COP26, udhëheqësit botërorë premtojnë t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030

Më shumë se 100 udhëheqës botërorë do të zotohen t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, në marrëveshjen e parë të madhe të samitit të klimës COP26.

Brazili, vendi ku ndodhet pylli më i madh tropikal i Amazonës, do të jetë mes nënshkruesve të marrëveshjes. Zotimi përfshin pothuajse 14 miliardë paund (19.2 miliardë dollarë) në fonde publike dhe private.

Ekspertët e mjedisit e mirëpritën këtë masë, por paralajmëruan se një marrëveshje e mëparshme në vitin 2014 kishte “dështuar të ngadalësonte shpyllëzimin” dhe duhej të përmbusheshin angazhimet.

Prerja e pemëve kontribuon në ndryshimin e klimës sepse varfëron pyjet që thithin sasi të mëdha të gazit CO2.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, e quajti marrëveshjen e së martës një “marrëveshje historike për mbrojtjen e pyjeve të Tokës”. Samiti dyjavor në Glasgow shihet si vendimtar për kontrollin e ndryshimeve klimatike.

Vendet që thonë se do të nënshkruajnë zotimin, duke përfshirë Kanadanë, Brazilin, Rusinë, Kinën, Indonezinë, Republikën Demokratike të Kongos, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, mbulojnë rreth 85% të pyjeve të botës. Më shumë se 30 nga kompanitë më të mëdha në botë, do të angazhohen gjithashtu për t’i dhënë fund investimeve në aktivitetet që lidhen me shpyllëzimin.

Samiti i klimës COP26 – Pikat themelore

  • Ndryshimet klimatike janë një nga problemet më urgjente në botë. Qeveritë duhet të premtojnë zotime më ambicioze në uljen e emetimeve të gazrave për të parandaluar një rritje më të madhe të temperaturës globale.
  • Samiti në Glasgow është vendi ku mund të ndodhë ndryshimi. Duhen vërejtur veçanërisht premtimet e bëra nga ndotësit më të mëdhenj të botës, si SHBA-ja dhe Kina, dhe nëse vendet më të varfra po marrin mbështetjen që u nevojitet.
  • E gjithë jeta jonë do të ndryshojë. Vendimet e marra këtu mund të ndikojnë në mënyrën si i ngrohim shtëpitë tona, çfarë hamë dhe si udhëtojmë.

Nënshkruesit e marrëveshjes përfshijnë një sërë shtetesh me rëndësi kyçe.

Indonezia është eksportuesi më i madh në botë i vajit të palmës, një produkt që gjendet pothuajse në çdo artikull, nga shampo tek biskotat. Prodhimi i tij po nxit shkatërrimin e pemëve dhe humbjen e territorit për njerëzit indigjenë.

Ndërkohë, pyjet e mëdha natyrore të Rusisë, që zënë më shumë se një të pestën e pemëve të planetit, kapin më shumë se 1.5 miliardë ton karbon në vit.

Në pyllin më të madh tropikal të planetit, Amazona, shpyllëzimi u përshpejtua në nivelin më të lartë në 12 vjet gjatë mandatit të presidentit brazilian Jair Bolsonaro.

Aktualisht, në Amazonë, çdo minutë, po humbet një sipërfaqe pylli sa madhësia e 27 fushave futbolli.

Ina Vejsiu

Na Ndiqni në: