Një lajm i publikuar në revistën Nature analizon shpërthimin egazit në tubacionet Nord Stream në Detin Baltik. Sipas këtij lajmi studiuesit po nxitojnë të llogarisin emetimet e gazrave serrë që vijnë nga rrjedhjet misterioze në tubacionet kryesore të gazit që lidhin Rusinë me Evropën.
Figura 1: Shpërthimi i gazit mbi tubacionet Nord Stream në Detin Baltik më 27 shtator. Foto nga Xinhua/Shutterstock
Gjatë natës së 26 shtatorit, operatorët e gazsjellësit Nord Stream2 vunë re një rënie të papritur të presionit, nga 105 bar (që është 105 herë presioni atmosferik) në vetëm 7 bar. Menjëherë pas kësaj, një zonë 1 kilometër e gjerë e sipërfaqes së Detit Baltik po flluskonte nga gazi që dilte. Gazsjellësi Nord Stream 2 është mbyllur që në shkurt, kur Rusia pushtoi Ukrainën, por ende është plot me gaz, i cili supozohet të jetë rreth 90% metan. Rënia e presionit i shtyu sizmologët të shikonin më nga afër të dhënat e tyre, duke zbuluar një aktivitet sizmik në të njëjtën kohë me rrjedhjen. Ky aktivitet ishte në përputhje me shpërthimet dhe jo me tërmetet, të cilat kanë një gjurmë sizmike të ndryshme.
Alarmi për klimë
Ngjarjet kanë vënë në gatishmëri edhe komunitetin e klimës. Andrew Baxter, dikur inxhinier në industrinë e naftës dhe gazit, tani drejtor i tranzicionit të energjisë në Fondin e Mbrojtjes së Mjedisit, me seli në Nju Jork, vlerësoi se, në bazë të dimensioneve të tubit dhe temperaturës së ujit, 115,000 tonë metan ishin lëshuar me shumë mundësi gjatë rënies fillestare të presionit në Nord Stream 2. “Unë dola me një vlerësim shumë të përafërt, ka kaq shumë variabla dhe të panjohura këtu, është shumë e vështirë të thuhet përfundimisht se sa metan ka hyrë në atmosferë,” thotë ai. Për njësi mase, metani ka një efekt serrë shumë më të fuqishëm sesa dioksidi i karbonit – veçanërisht në afat të shkurtër. Baxter thotë se ndikimi i përgjithshëm i kësaj rrjedhjeje është i barabartë me emetimet vjetore të karbonit nga dy milionë makina.
“Nëse këto shifra konfirmohen së fundi, kjo do të ishte një nga rrjedhjet më të mëdha të vetme të gazit natyror në histori në një vend të vetëm,” thotë Zeke Hausfather, një shkencëtar klimatik në Berkeley Earth, një organizatë jofitimprurëse e analizës së të dhënave në Kaliforni. Por ai shton se kjo nuk e ndryshon rrënjësisht madhësinë e emetimeve globale.
Ngjarja, edhe pse e madhe, përbën rreth 0.14% të emetimeve vjetore globale të metanit nga industria e naftës dhe gazit, thotë Mark Davis, shefi ekzekutiv i Capterio, një kompani në Londër.Ai argumenton se, pasi u zbulua rrjedhja, ndezja e saj mund të kishte zbutur shumë nga dëmet, duke e kthyer metanin në dyoksid karboni. Që nga rënia fillestare e presionit në NordStream 2, rrjedhjet janë raportuar edhe në gazsjellësin NordStream 1, i cili kalon pranë tij dhe gjithashtu nuk është aktualisht në funksion.
Lajmi i plotë mund të gjendet në adresën e internetit:https://www.nature.com/articles/d41586-022-03111-x
Adri Erebara
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.