Shpyllëzimi në Amazonë, Brazil, sipas të dhënave zyrtare ka arritur nivelin më të lartë në 15 vite. Sipas raportit të Agjencisë Braziliane të Kërkimeve Hapësinore (Inpe) bëhet e ditur se shpyllëzimi është rritur me 22 % brenda një viti. Brazili është ndër vendet të cilat kanë premtuar se do t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030 dhe këtë premtim e dhanë gjatë
samitit për klimën, mbajtur në Gllasgou të Skocisë. Autoritetet janë të shqetësuara për situatën pasi në Amazonë jetojnë rreth tre milionë lloje bimësh dhe kafshësh dhe një milionë njerëz indigjenë. Rajoni shihet si akumulues jetik i karbonit që ngadalëson ritmin e ngrohjes globale.
Sipas të dhënave të fundit, rreth 13,235 km katrorë pyje kanë humbur gjatë periudhës 2020-2021. Kjo është hapësira më e madhe që nga viti 2006.
Ministri i Mjedisit i Brazilit, Joaquim Leite, tha se të dhënat paraqesin një “sfidë” përpara.“Duhet të jemi më autoritarë ndaj këtyre krimeve”, shtoi ai. Shpyllëzimi i Amazonës është rritur gjatë presidencës së Jair Bolsonaro, i cili thuhet se i ka inkurajuar aktivitetet bujqësore dhe minerare në rajon.