Albania Overshoot Day

Earth Overshoot Day shënon datën kur kërkesa e njerëzimit për burime dhe shërbime ekologjike përgjatë një viti të caktuar tejkalon atë që Toka mund të rigjenerojë në atë vit. Krahas llogaritjes në nivel global, llogaritet edhe bilanci sipas shteteve. Për vitin 2022, kjo datë për Shqipërinë është më 3 nëntor. Albania Overshoot Day është data në të cilën do të binte Earth Overshoot Day nëse i gjithë njerëzimi do të konsumonte burimet si njerëzit në Shqipëri. Ne e plotësojmë këtë deficit duke mbishfrytëzuar rezervat e burimeve ekologjike dhe duke grumbulluar mbetje. Ne vazhdojmë të “gërryejnë” kapitalin natyror të vënë në dispozicion nga Toka Mëmë dhe të futemi në borxhe me të ardhmen duke konsumuar më shumë burime sesa planeti na vë në dispozicion çdo vit.

Gjurmët kombëtare dhe llogaritë e biokapacitetit.

Burimi: National Footprint and Biocapacity Accounts, 2022 Editiondata.footprintnetwork.org

 

Earth Overshoot Day organizohet dhe llogaritet nga Global Footprint Network, një organizatë ndërkombëtare kërkimore që u ofron vendimmarrësve një sërë mjetesh për të ndihmuar ekonominë njerëzore të funksionojë brenda kufijve ekologjikë të planetit tonë. Për të përcaktuar datën e Earth Overshoot Day për çdo vit, Global Footprint Network llogarit numrin e ditëve të atij viti që biokapaciteti i Tokës mjafton për të siguruar gjurmën ekologjike të njerëzimit. Pjesa e mbetur e vitit i takon të jetë tejkalim global.

Global Footprint Network mat kërkesën e popullsisë dhe ofertën e burimeve dhe shërbimeve të ekosistemeve. Nga ana e ofertës, biokapaciteti i një shteti përfaqëson tokën dhe zonën detare biologjikisht produktive, duke përfshirë tokat pyjore, kullotat, tokat bujqësore, zonat e peshkimit dhe truallin e ndërtuar. Nga ana e kërkesës, Global Footprint Network mat kërkesën e një popullsie për ushqime me bazë bimore, produkte fibrash, bagëti,produkte peshku, lëndë druri, produkte të tjera pyjore, hapësirë për infrastrukturën urbane dhe pyjet për të absorbuar emetimet e dioksidit të karbonit nga lëndët djegëse fosile.

Gjurma ekologjike e çdo qyteti, shteti apo kombi mund të krahasohet me biokapacitetin e tij. Nëse kërkesa e një popullsie për asete ekologjike tejkalon ofertën, ai rajon ka një deficit ekologjik. Një rajon me deficit ekologjik plotëson kërkesën duke importuar, likuiduar asetet e veta ekologjike (si peshkimi i tepërt) dhe/ose duke emetuar dioksid karboni në atmosferë.

Earth Overshoot Day llogaritet duke pjesëtuar biokapacitetin e planetit (sasinë e burimeve ekologjike që Toka mund të gjenerojë atë vit), me gjurmën ekologjike të njerëzimit (kërkesat e njerëzimit për atë vit) dhe duke shumëzuar me 365 (numrin e ditëve në një vit):

Biokapaciteti i Tokës / Gjurma ekologjike e njerëzimit x 365 = Earth Overshoot Day

Gjatë vitit 2022 Earth Overshoot Day ishte më 28 korrik. Pra, në këtë datë njerëzimi ka shpenzuar të gjitha burimet që planeti ynë arrin të gjenerojë përgjatë vitit 2022.

Jo të gjitha vendet kanë një Earth Overshoot Day. Me anë të ekuacionit të mësipërm, një vend do të ketë një ditë tejkalimi vetëm nëse gjurma e tij ekologjike për person është më e madhe se biokapaciteti global për person.

Gjurma ekologjike për jetesë të qëndrueshme në Japoni

WWF Japoni dhe Global Footprint Network

Earth Overshoot Day është edhe një kujtesë që na tregon se sa thelbësore është t’i kthehemi të jetuarit në një mënyrë të qëndrueshme, duke plotësuar nevojat e brezave të tanishëm pa cenuar brezat e ardhshëm që të plotësojnë nevojat e tyre. Kjo raportohet edhe tek Konferenca e Stokholmit, e cila që më 1972 deklaronte që: “Burimet natyrore të Tokës, duke përfshirë ajrin, ujin, tokën, florën dhe faunën, dhe veçanërisht mostrat përfaqësuese të ekosistemeve natyrore, duhet të ruhen në interes të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, nëpërmjet planifikimit dhe menaxhimit të duhur. Aftësia e Tokës për të prodhuar burime thelbësore të rinovueshme duhet të ruhet dhe, kurdo që është e mundur, të rivendoset dhe përmirësohet. Burimet jo të rinovueshme të Tokës duhet të përdoren në mënyrë të tillë që të mos rrezikohet shterimi i tyre dhe në mënyrë të tillë që përfitimet që rrjedhin nga përdorimi i tyre të ndahen nga i gjithë njerëzimi.”

Adri Erebara

Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT

Na Ndiqni në: