Akhal-Teke, rraca më e bukur e kuajve në botë

Jemi mësuar të shohim shpesh kuaj të rracave të ndryshme, me lëkurë të zezë, kafe, të bardhë e reflekse të ngjashme të lëkurës, por është mahnitëse të shohësh kuajt e rracës Akhal-Teke të Turkmenistanit, disa prej të cilëve janë në ngjyrë të artë.

Kuajt Akhal-Teke, një nga rracat më të lashta në botë, janë kthyer tashmë në një symbol kombëtar për Turkmenistanin dhe cilësohen si kuajt më të bukur në botë. Për to thuhet se janë kuaj shumë të shpejtë, të duruar, shumë inteligjentë dhe kanë një shkëlqim të veçantë metalik. E veçantë për kuajt Akhal- Teke, është se ato nuk shiten por vetëm dhurohen. Pjesa më e madhe e këtyre kuajve gjenden kryesisht në Turkmenistan dhe Rusi, por të paktë në numër janë gjetur edhe në Evropë dhe në Amerikën e Veriut.

Këta kuaj gjithë shkëlqim, hir dhe tepër të hijshëm kanë lëkurë të ndryshme nga kuajt e tjerë, një ndër cilësitë që i ka karakterizuar ata si rracën më të bukur në botë, për shkak edhe të tipareve morfologjike të tyre. Ata kanë një përshtatshmëri të madhe në një sërë disiplinash garuese. Këta kuaj ishin edhe rraca e preferuar për ushtarë dhe mbretër nga Kazakistani në Kinë. Ata kanë aftësi shumë të mira garuese, kryejnë lëvizje të sakta, janë kërcyes të mirë dhe kanë rezistencë të madhe.

Besohet se origjina e tyre është nga Turkmenistani, aty ku edhe janë stërvitur nga fisi Teke në oazin Akhal, në shkretëtirën Karakum. Pikërisht për tiparet e bukura dhe të veçanta, ky lloj kali njihet ndryshe si “kali qiellor’’ ose “xhevahiri i Turkmenistanit’’ .

Kjo kafshë e hollë dhe elegante që arrin në një lartësi 160 cm për meshkujt dhe 155 cm për femra, ka një lëkurë plot shkëlqim, pa shumë qime si në rracat e tjera, me sy të mëdhenj dhe një pamje që duket sikur tregon krenarinë e kësaj kafshe.  Kuajt Akhal-Teke janë shumë të guximshëm, besnik dhe tepër të ndjeshëm.

 

Na Ndiqni në: