Agroturizmi, alternativë zhvillimi ekonomik e destinacioneve turistike në Tiranë

Agroturizmi në Shqipëri në 10 vitet e fundit kryesisht ka njohur një rritje si në drejtim të prodhimit por edhe në atë konsumit turistik, kombëtar e ndërkombëtar.

Ky studim trajton zhvillimin e agroturizmit në territorin e Tiranës, kryesisht si një destinacion turistik. Turizmi kulturor dhe historik ka mbajtur dhe mban një vend të sigurtë përsa i përket tërheqjes së vizitorëve vendas dhe të huaj por gjithashtu është vënë re se vitet e fundit vizitorët kanë kthyer vëmendjen e tyre ndaj turizmit të aventurës, kulinarisë, natyrës etj. Përcaktimi i rolit të kulturës dhe historisë në bizneset e agroturizmit është i një rëndësie të veçantë.

Bashkisë së Tiranës që nga viti 2015 i janë shtuar dhe 13 njësi administrative të tjera e kështu ka zgjeruar territorin e saj dhe më tej, faktor i cili ka ndikuar dhe në shtimin e hapësirave bujqësore, të gjelbra, të terreneve të përshtatshme për të zhvilluar aktivitete të shumta sportive, agroturistike etj. Turistët e shohin agroturizmin kryesisht si një mënyrë shumë të mirë për të qenë sa më pranë aktivitetit bujqësor, natyrës, monumenteve dhe kulinarisë si element i rëndësishëm i traditës.

Në këtë punim do të evidentojmë ndikimin që ka sjellë agroturizmi në rritjen e numrit të konsumatorëve turistikë, në rritjen e ditëve të qëndrimit në territorin e Tiranës për të eksplouar rrethinat e saj dhe mbështetja që po i ofrohet atyre përmes promovimit dhe projekteve konkrete, të cilat sjellin më në fokus produktet territoriale që prodhohen në Tiranë.

Gjithësesi duhet thënë që një ndër problematikat kryesore të hasura gjatë këtij punimi ka të bëjë me evidentimin e agroturizmave të mirëfilltë të certifikuar duke qenë se shumë prej tyre janë regjistruar si të tilla por nuk kanë kërkuar certifikim nga ministria përkatëse e linjës.

Turizmi në Tiranë është një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë e çdo vit vihet re zhvillimi i politikave dhe strategjive për një zhvillim të qëndrueshëm të saj. Tirana ka një popullsi prej 850,530 banorësh nga 842,019 banorë që kishte një vit më parë[1], duke tregur një zhvillim të vazhdueshëm e ajo është tashmë qendra e jetës artistiko – kulturore, një destinacion i vazhdueshëm për turistët dhe një qytet i pozicionuar në hartën ndërkombëtare të destinacioneve turistike. Klima që Tirana ofron, pozicioni gjeografik, infrastruktura dhe lehtësirat e krijuara, të japin mundësinë që këtë qytet ta vizitosh si nga toka dhe nga ajri dhe të jetë një stacion i parë qëndrimi për vizitorët.

Në territorin e Tiranës mund të themi që të gjitha tipologjitë e turizmit, si turizmi historiko – kulturor, turizmi rural, turizmi i konferencave, turizmi kulinar, turizmi religjoz, turizmi dentar etj gjejnë një hapësirë të dedikuar për t’i zhvilluar ato. Tirana ka pjesë integrale të saj që nga viti 2015, përveç qytetit të Tiranës dhe 13 njësi administrative ruale që e rrethojnë atë si kurorë: Baldushk, Bërzhitë, Dajt, Farkë, Kashar, Krrabë, Ndroq, Petrelë, Pezë, Shëngjergj, Vaqarr, Zall-Bastar, Zall- Herr. Në secilën prej tyre gjen të evidentuara tashmë atraksione të ndryshme, monumente kulture e natyre, restorante tradicionale, biznese agroturizmi dhe punishte, të cilat tentojnë të ruajnë ato elementë të traditës si kulinaria dhe artizanati. Gjithashtu, sipas të dhënave të QKB[2], në vend janë licencuar 75 operatorë turistikë dhe 322 agjenci udhëtimi me një shpërndarje të ndryshme në qarqe, me pjesën dërrmuese të tyre të përqëndruar në Tiranë.  Si operatorët turistikë ashtu edhe agjencitë e udhëtimit janë padyshim pjesë e rëndësishme e zinxhirit për zhvillimin e turizmit rural.

 

Agroturizmi në Tiranë është një koncept i cili po evoluon dita ditës. Në një qytet tashmë që tenton të ofrojë një tërësi elementësh për të qënë gjithnjë e më tepër atraktiv për vizitorët vendas e të huaj, agroturizmi po zë një vend të rëndësishëm në atë që qyteti i Tiranës ofron dhe është një potencial në zhvillim.

Agroturizëm është veprimtaria pritëse që zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër agrikulturore, me
qëllimin për të tërhequr vizitorë, shpeshherë duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në veprimtaritë
bujqësore ose veprimtari të tjera ndihmëse që zhvillohen në atë mjedis bujqësor. Agroturizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së
mjedisit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës.

Që nga viti 2018 tashmë kemi një ligj të dedikuar “Për miratimin e kritereve e të procedurave për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të tij, i cili padyshim rrit standartin, cilësinë e konkurueshmërinë. Nga të dhënat e marra në bashkinë e Tiranës vihet re evidentimi i të gjitha agorturizmave, restoranteve, bujtinave si subjekte që ndodhen në territorin e saj, evidentimin e produkteve lokale, kulinarisë dhe shërbimet që ato ofrojnë me synim promovimin e tyre për vizitorët vendas dhe të huaj.

Variablat e marra për këtë studim janë numri i turistëve pranë Zyrave të Informacionit Turistik dhe ditët e qëndrimit të këtyre turistëve në Tiranë, të cilat paraqesin rritje nga viti 2018 në vitin 2019, rritje e cila ndalon gjatë vitit të pandemisë. Gjithësesi edhe pse numri i turistëve ka qënë më i pakët gjatë dy viteve të fundit, qëndrimi i turistëve ka qenë më i shtirë në kohë, nga 2-3 ditë deri në disa muaj. Turistët e paraqitur pranë këtyre zyrave përveç historisë dhe atraksioneve të cultures, kanë shprehur interesin nga viti në vit për rrethinat e saj, monumentet e natyrës, hapësirat e gjelbra dhe gatimeve tradicionale të cilat i ofrojnë agroturizmat në Tiranë.

Ndërkohë mund të themi se një ndër problematikat e vëna re ka të bëjë me statistikat në lidhje me bizneset e agroturizmit dhe fakti që jo të gjitha subjektet janë të certifikuara pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të njihen si të tilla. Ky certifikim i cili vlen për një periudhë 5- vjeçare dhe me të drejtë rinovimi, do të ishtë një ndihmë e madhe për ta e do të përfitonin si nga ana financiare apo dhe ajo e granteve, por sigurisht do t’i jepnin subjektit seriozitetin dhe standartin e dëshiruar.

 

M.Sc. LORENA SHELE

Prof. As. EDMOND KADIU

Bashkia Tiranë, Muzeu vendor “Shtëpia Studio Agolli”

Menaxhimit të Turizmit Rural

Na Ndiqni në: