Impakti ekologjik i njeriut (Ecological footprint) mbi burimet natyrore në ekosisteme

 

Shumë flitet e diskutohet për zhvillimin e shoqërisë njerëzore dhe si mund të përmirësohet cilësia
e jetës por, duke mbajtur aftësinë mbështetëse të burimeve natyrore dhe ekosistemeve tokësore.
Shfrytëzimi i burimeve natyrore mbështet jetën njerëzore dhe sigurisht krijon një nivel të caktuar
të ”mirëqënies ekologjike”, por kjo evidenton impaktin ekologjik të njeriut mbi burimet natyrore
dhe ekosistemet.
Impaktit ekologjik mbi burimet natyrore, pra dëmin që ne shkaktojmë në mjedis, mund ta
shprehim thjesht duke e përcaktuar ”…si këmbët tona lënë një gjurmë në tokë, kështu edhe stilet
tona të jetës lënë një gjurmë në Tokën së cilës ne i konsumojmë burimet”.
Impakti ekologjik është një tregues statistikor që mund të përdoret për të matur kërkesën
njerëzore në natyrë për burime. Ai vë në lidhje konsumin njerëzor të burimeve natyrore me
aftësinë e Tokës për tu rigjeneruar.
Në një farë mënyre ai mat hapësirat biologjikisht prodhuese të Tokës e të detit, të nevojshme për
të rigjeneruar burimet e konsumuara nga një popullsi njerëzore dhe për të absorbuar mbetjet e
krijuara. Përdorimi i këtij treguesi na mundëson të vlerësohet sa planet Tokë do të duhej për të
mbështetur njerëzimin, atëherë kur të gjithë do të jetonin sipas një stili të caktuar të jetës. Duke
krahasuar impaktin ekologjik të një individi (ose rajoni, ose shteti) me sasinë e tokës së
disponueshme për person (d.m.th., raportin ndërmjet sipërfaqes totale dhe popullsisë botërore),
mund të kuptohet në se niveli i konsumit dhe i përdorimit të burimeve është i qëndrueshëm ose
jo. Impakti ekologjik është një argument shumë i gjerë që i përket ushqimit, mobiliteteve,
energjisë së konsumuar, tipit të shtëpisë në të cilën jetojmë, d.m.th., gjithë stilit tonë të jetës.
Pyetja që njerëzit bëjnë shpesh është: Sa qënie njerëzore mund të mbajë Toka?
Bëhet fjalë për një pyetje që nuk është e lehtë për t’ju përgjigjur.
Kjo pyetje përmban të tjera dhe saktësisht pyetjet të cilave duhet t’u japim përgjigje janë: Për sa
kohë një popullsi mund të mbahet? Në çfarë niveli jete? Duke përdorur çfarë teknologjish? Si
do të bëhet për të ushqyer në vitin 2050 një popullsi globale që është parashikuar 50% më e
madhe se ajo aktuale, ose mbi 9,5 miliard banorë? Dhe si do t’i dilet të garantohet një cilësi jete e
pranueshme për të gjithë?
Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve janë përdorur shumë metodologji e tregues, ku ndërmjet
treguesve të pranuar hyn edhe “Ecological Footprint” (gjurmët ekologjike) që mat në formë
sasiore impaktin e njeriut mbi Tokën. Ky tregues tregon dëmin që ndodh për të furnizuar të
mirat e konsumuara nga burimet natyrore. Në një farë mënyre, ai parashtron pyetjen se cila është
sipëfaqja e përgjithshme e ekosistemeve tokësore të nevojshme për të mbajtur vazhdimisht të
gjitha aktivitetet sociale dhe ekonomike të popullsisë së një vendi? Pra, duhet marrë në
konsideratë sipërfaqja e territorit e nevojshme për të prodhuar burime dhe për të asimiluar

2
mbetjet si dhe për të garantuar funksione të ndryshme themelore për mbijetesën e shoqërisë
njerëzore. Bëhet fjalë për një sipërfaqe e cila siguron të mira e shërbime ekologjike për shoqërinë
ose për ato të cilat mund të quhen “kuotat e tokës”.
Sipërfaqet e nevojshme (kuotat e tokës) për fitimin e të mirave materiale dhe jo materiale mund
ti shprehim si:
 sipërfaqe toke e kultivuar e nevojshme për të prodhuar ushqime (sipërfaqe bujqësore);
 sipërfaqe për kullotje e nevojshme për të prodhuar produkte shtazore (sipërfaqe kullotë);
 sipërfaqe pyjore e nevojshme për të prodhuar drurë dhe letër (sipërfaqe pyjore);
 sipërfaqe toke e nevojshme për të mbajtur struktura ndërtuese (sipërfaqe ndërtuese ose jo
ekologjikisht prodhuese);
 sipërfaqe deti e nevojshme për të prodhuar peshq e fruta deti (sipërfaqe detare);
 sipërfaqe pyjore e nevojshme për thithjen e gazit karbonik që vjen nga konsumi energjitik
(sipërfaqe për prodhimin e energjisë).
Për të përcaktuar sipërfaqen totale të tokës, e nevojshme për mbështetjen e konsumit, duhet të
kuptojmë format e përdorimit të tokës për çdo kategori të konsumit. Duke qenë se nuk është e
mundur të vlerësohet kërkesa e tokës për çdo të mirë të veçantë konsumi, mund të kufizohen
llogaritjet në kategoritë kryesore:
 ushqim; banesë; transport; të mira konsumi; burime të trupëzuara në shërbimet e marra
(sasia e burimeve natyrore të nevojshme për të shpërndarë dhe për të marrë shërbimet).
Për çdo sipërfaqe të përdorur për plotësimin e nevojave të shoqërisë krijohet një impakt
ekologjik në natyrë.
Impakti ekologjik është një tregues i kuptueshëm që shkon në drejtimin që mban parasysh dhe
llogarit burimet natyrore. Llogaritja e këtij treguesi na lejon të kuptojmë nga ana sasiore
impaktin tonë në natyrë.
Sipas Komisionit Botëror të Mjedisit, sot njeriu ka në dispozicion një sipërfaqe prej 1.9 ha për
person. Kjo sipërfaqe mund të bëhet pikë referimi për të vënë në krahasim impaktin ekologjik të
popullsive të ndryshme në planet. Eshtë e qartë që disa popullsi mund të kenë nevojë më të
madhe, të tjerë duhet të përdorin më pak se mesatarja në dispozicion të tyre sepse përdorimi më i
madh sjell degradim ekologjik të burimeve natyrore. Duke mbajtur parasysh sipërfaqen e
referimit prej 1.9 ha, sipas studimeve të fundit, në disa vende përdoren: në Sh.B.A. përdoret 9.6
ha/person, Australia 9.4 ha/person, Suedia 6.1 ha/person, Franca 5.8 ha/person, Gjermania 4.8
ha/person, Italia 4.2 ha/person, Kili 2.3 ha/person, Tailanda 1.9 ha/person, Egjipti 1.4 ha/person,
Kina 1.5 ha/person, India 1.0 ha/person, Etiopia 0.7 ha/person, Bangladeshi 0.6 ha/person etj.
Këto të dhëna tregojnë mbi stilet e ndryshme të jetës të vendeve të ndryshme.
Llogaritja e treguesit të impaktit ekologjik përbën një instrument planifikimi që shërben për të
menaxhuar në mënyrë më efikase burimet natyrore.

3
Metoda e vlerësimit të impaktit ekologjik mbi burimet natyrore është futur dhe përpunuar që në
1996 nga Mathis Wackernagel e William Rees. Metoda i është nënshtruar përmirësimeve të
vazhdueshme gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Analiza e impaktit ekologjik synon kalimin e disa
problemeve lidhur me vlerësimin e kapacitetit të ngarkesës (Carrying Capacity) të species
njerëzore, duke përmbysur krejtësisht pyetjen tradicionale: në vend që të pyesë “Sa persona
mund të mbajë Toka?”, metoda e impaktit ekologjik pyet “Sa tokë kërkon çdo person për tu
mbajtur?”.
Dhe shkaku kryesor i përkeqësimit të mjedisit global dhe burimeve natyrore, konsiston në
modelet e paqëndrueshme të prodhimit e të konsumit, në veçanti në vendet e industrializuara.
Për të llogaritur impatin ekologjik të një personi, të një grupi, të një vendi, nisemi duke matur
burimet e përdorura, ndarë në pesë kategori: transport, ushqime, shërbime, banim, të mira
konsumi.
Sa mjedis shërben për të jetuar dhe sa tokë mund të vihet në dispozicion? Duke ndarë tokën dhe
detin përdorur nga njeriu për numrin e banorëve të Tokës, rezulton se secili prej nesh ka në
dispozicion 2,85 ha. Por duhet të konsiderojmë edhe hapësirën për kafshët që jetojnë në këtë
territor. Për çdo banor mbeten kështu 1.1 ha për person, rreth sa një fushë futbolli. Në realitet ne
konsumojmë shumë më tepër, disa konsumojnë shumë, të tjerë pak. P.sh., të shikojmë disa
vende: Arabia Saudite 16 ha/person, Sh.B.A. 12 ha/person, Franca 8 ha/person, Italia 5.58
ha/person, Eritrea 0.35 ha/person.
Sa burime natyrore konsumojmë?
Sikurse thamë më sipër, çdo banor i Tokës ka në dipozicion vetëm 1.9 ha të Tokës nga e cila
merret mbështetja dhe ku derdhen mbetjet, vlerë kjo që bëhet referuese për të vënë në krahasim
impaktin ekologjik të popujve të ndryshëm.
Sipas të dhënave të fundit të WWF, veriu i botës është rajoni me impaktin ekologjik më të madh
(11,77 ha), me Sh.B.A. në krye me 12,22 ha; Europa Perëndimore regjistron një impakt
ekologjik 6,28 ha; Danimarka e Finlanda me impakt të madh mjedisor (respektivisht 9,88 dhe
8,45 ha); Italia ka një impakt ekologjik 5,5 ha dhe në kontinentin Afrikan është vlerësuar një
mesatare prej 1,33 ha. Eritrea është vendi me impaktin ekologjik më të ulët ekologjik të botës me
0.35 ha.
Impakti ekologjik mat sa territor biologjikisht prodhues (shprehur në ha për person) përdoret nga
një popullsi e caktuar (individ, familje, komunitet, komb) për të prodhuar burimet konsumatore
dhe thithur mbetjet e prodhuara.
Por si mund ta zvogëlojmë impaktin tonë ekologjik mbi burimet natyrore. Për këtë duhet të kemi
parasysh konsumin tonë për të cilin po japim disa shembuj:
Ushqime. Konsumi i një gote me qumësht në vit korespondon me 4 m 2 sipërfaqe (impakt),
ndërsa 1 kg mish në vit korespondon me 300 m 2 dhe 1 kg bukë me 29,7 m 2 .

4
Transporti. Transporti konsumon djegës dhe materiale (përdorur për tu fabrikuar). Impakti prej 1
km përshkim me makinë çdo ditë është vlerësuar me rreth 2500 m 2 .
Banesat. Edhe shtëpitë rrisin impaktin: duke zënë tokën, konsumojnë energji e materiale.
Vlerësohet që një shtëpi me rreth 150 m 2 sjell një impakt 1500 m 2 .
Të mirat e konsumit. Edhe të mirat e konsumit sjellin impakt ekologjik. Vlerësohet që një palë
këpucë lëkure në vit sjell një impakt 300 m 2 .
Shërbimet. Vlerësohet që 50 euro telefonata korespondojnë me një impakt rreth 200 m 2 .
Pra, këta janë disa shembuj që na krijojnë një ide se sa natyrë ne shpenzojmë.
Por si mund ta shpenzojmë më pak natyrën?
Për të pasur një impakt ekologjik më të vogël duhet të ndryshojmë sjelljen e përditshme të secilit
prej nesh. Çfarë nënkupton? P.sh., duke theksuar idenë që për të përdorur një objekt duhet që ta
kesh. Sigurisht që ne duam tre televizorë në familje. Por parë në këndvështrimin e efiçiensës
duhet të kursejmë sa më shumë të jetë e mundur. Të kursejmë mund të jetë stimuluese.
Por “… mirëqënia e vërtetë nuk varet nga ajo që të kesh më shumë, si duam të bëjmë, por të kesh
më pak nevoja”.
Modeli ynë i zhvillimit e ka konsideruar tokën si një burim të pashtershëm për përfitimin e
burimeve dhe si një hapësirë pa fund për depozitimin e mbetjeve.
Por asgjë nuk është e pashtershme, ka kufij të cilët duhen njohur e respektuar me qëllim që
sistemi të funksionojë e aq më tepër sot kur flitet për zhvillim të qëndrueshëm mjedisor.

Prof.Dr. Albert Kopali
Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore

Na Ndiqni në: