KËRKIMI SHKENCOR DHE KËSHILLIMI BUJQËSOR SHQIPTAR NDËR VITE

KËRKIMI SHKENCOR DHE KËSHILLIMI BUJQËSOR SHQIPTAR NDËR VITE
Falenderoj për mbështetjen e këtij botimi: Eco Green Albania dhe Syngenta Hellas

Autore
Tatjana DISHNICA

Konsulentë shkencorë:
Prof.Assoc.Dr. Drini Imami
Prof.Dr. Përparim Laze

Parathënia Prof.Dr. Seit Shallari

Redaktor: Medina Mehmeti
Grafika: Eva Kukaleshi

Autori, 2022
Të gjithë të drejtat janë të rezervuara

Shtëpia botuese. ALBAS
ISBN 978-9928-375-41-4

Dedikim

Për Prindërit e mi, Gjystina dhe Ymer Dishnica, që më edukuan, me urtësi, për të shprehur
gjithmonë të vërtetën dhe për tim bir, Ymerin, i cili më fali, ndër vite, me bujari dhe mirëkuptim,
pjesë kohe, për të punuar dhe shkruar, nga ajo, c’ka duhet ti dedikoja atij, si Nënë e
Kryefamiljare
Vouloir C’est Pouvoir

Kërkimi shkencor dhe Këshillimi bujqësor shqiptar ndër vite
TATJANA DISHNICA
TABELA E PËRMBAJTJES
Parathënie
Përmbledhje ekzekutive
PJESA E PARË: FILLIMET DHE ECURIA E KËRKIMIT DHE INFORMACIONIT
BUJQËSOR
Kapitulli I. Fillesat e kërkimit bujqësor në Shqipëri dhe ngritja e instituteve kërkimore
Kapitulli II. Historik i shkurtër mbi ecurinë e informacionit bujqësor në vendin tonë

PJESA E DYTË: KËRKIMI BUJQËSOR PUBLIK PËRBALLË EKONOMISË SË
TREGUT
Kapitulli III. Reforma e privatizimit në bujqësi dhe sfidat në përshtatjen e kërkimit bujqësor
Kapitulli IV. Riorganizimi i kërkimit bujqësor në fillim të viteve ‘90
Kapitulli V. Të dhëna të përgjithshme mbi institutet kërkimore të sistemit të MBU-së
Kapitulli VI. Reforma e kërkimit bujqësor pas vitit 2006 dhe ngritja e QTTB-ve

PJESA E TRETË: MENAXHIMI I KËRKIMIT BUJQËSOR NDËR VITE

Kapitulli VII. Problematika të Sistemeve Kombëtare si dhe Misioni i kërkimit bujqësor
Kapitulli VIII. Vështrim i përgjithshëm i menaxhimit të kërkimit bujqësor në vendin tonë ndër
vite
Kapitulli IX. Roli i arsimit të lartë në fushën e Kërkimit dhe Këshillimit Bujqësor

PJESA E KATËRT: KËSHILLIMI BUJQËSOR NË SHQIPËRI

Kapitulli X. Këshillimi bujqësor si një koncept dhe marrëdhënie e re me fermerin
Kapitulli XI. Misioni i këshillimit bujqësor në vendet në tranzicion

Kapitulli XII. Hapat e ndërmarrë pas viteve ‘90, arritje dhe problematika
Kapitulli XIII. Kooperimi bujqësor si domosdoshmëri përballë sfidave të tregut në bujqësi
Kapitulli XIV. Shërbimi statistikor dhe angazhimi i këshillimit bujqësor në këtë shërbim

PJESA E PESTË: KONTRIBUTI I DONATORËVE KRYESORË PËR KËRKIMIN DHE
KËSHILLIMIN BUJQËSOR

Kapitulli XV. Mbështetja e donatorëve për kërkimin, këshillimin dhe informacionin bujqësor
Kapitulli XVI. Rëndësia e Memories Institucionale dhe rreziku i humbjes së saj

PJESA E GJASHTË: TRENDE DHE SFIDA TË KËRKIMIT DHE KËSHILLIMIT
BUJQËSOR NË PROCESIN E INTEGRIMIT EUROPIAN

Kapitulli XVII. Trende e sfida në zhvillimin bujqësor, në botë dhe në vendin tonë
Kapitulli XVIII. Politikat bujqësore në procesin e integrimit evropian, me fokus kërkim &
këshillim bujqësor
Kapitulli XIX. Sfidat e bujqësisë digjitale dhe kalimi drejt qasjes AKIS, FAS dhe LEADER
Kapitulli XX. Dimensioni etik i bujqësisë dhe dilemat etike

PJESA E SHTATË: SITUATA AKTUALE E SHËRBIMEVE TË KËRKIMIT,
KËSHILLIMIT DHE INFORMACIONIT BUJQËSOR. NEVOJAT PËR NDËRHYRJE

Kapitulli XXI. Situata aktuale e QTTB-ve dhe e shërbimit të këshillimit. Nevoja për ndërhyrje
Kapitulli XXII. Nevoja e ngritjes së një sistemi kombëtar të informacionit bujqësor, “Gur
themeli” për zhvillimin bujqësor dhe rural në vendin tonë

PJESA E TETË: DISA KONSIDERATA PËR PËRMIRËSIMIN E SITUATËS SË
SHËRBIMEVE TË KËRKIMIT, KËSHILLIMIT DHE INFORMACIONIT BUJQËSOR

Kapitulli XXIII. Drejt një shërbimi modern të këshillimit bujqësor, “Extension-Plus” dhe disa
hapa që rekomandohen
Kapitulli XXIV. Disa konsiderata për përmirësimin e kornizës institucionale, administrative dhe
detyrave të shërbimeve të kërkimit, këshillimit dhe informacionit bujqësor
Shënim i autores
Akronime & Shkurtime
Terma teknik sqarues
Bibliografia

Parathënie
“Kërkimi Shkencor dhe Këshillimi Bujqësor Shqipëtar , ndër vite”, i shkruar nga Prof.Dr.
Tatjana Dishnica, është memoria historike e një periudhe të gjatë ndryshimesh dhe tranzicioni,
një referencë me vlerë, për të sotmen dhe për të ardhmen.
Botimi paraqet, në mënyrë koherente të gjithë fazat, në të cilat kanë kaluar, politikat e kërkimit ,
këshillimit bujqësor si dhe informacionit bujqësor, ndër vite, në vëndit tonë. Ky mision
realizohet, jo vetëm duke paraqitur fakte e shifra, bazuar ne qindra dokumenta, që prej fillesave
të kërkimit bujqësor, në vitet 20, ngritjen e instituteve kërkimore dhe strukturës së këshillimit
bujqësor, ecurinë e tyre, analizën e situates aktuale, por duke dhënë edhe disa konsiderata, që
autorja, rekomandon për të ardhmen.
Transformimi i strukturave të kërkimit dhe keshillimit bujqesor, për ti bërë ato sa më efektive,
është një debat botëror. Tatjana ofron jo vetëm histori, por nëpërmjet vështrimit të saj, na
ndihmon të kuptojmë se, si dhe çfarë ndodhi me Institutet e Kërkimit Shkencor në Bujqësi, përse
politika mori ato vendime, kush ishin aktorët dhe këndvështrimi i tyre, i drejtë apo i gabuar.
Të gjithë ata, që për shumë vite kanë qënë të angazhuar në prodhimin bujqësor, që kanë qënë
pjesë e administratës së lartë shtetërore në bujqësi, që kanë punuar në institucionet kërkimore të
bujqësisë, në universitete apo Akademinë e shkencave, e kuptojnë se, sa e vështirë është të bësh
analize, apo të nxjerrësh konkluzionë, për një periudhë afro 30 vjecare, të politikave të kërkimit
shkencor dhe këshillimit në fushen e bujqësisë .
Kjo periudhë, përkon edhe me ndryshimet e mëdha politiko-ekonomike në Shqipëri, në
kontekstin e të cilave, një analize e tillë bëhet edhe më e vështirë, pasi këndvështrimi dhe
opinionet e gjithësejcilit, natyrshëm mund të jenë, objektive ose jo, të paragjykuara politikisht
apo në disa raste analiza thjesht teknike, të shkëputura nga konteksti ekonomikoe-shoqëror, etj.
Megjithatë, duke lexuar këtë libër të Prof Dishnicës, lexuesi e kupton se, autorja ja ka dalë me
sukses të tejkalojë çdo subjektivitet, paragjykim apo influencë të çfardolloji, në përshkrimin
historik, institucional, organizativ dhe tekniko-shkencor, të kërkimit dhe këshillimit bujqësor në
Shqipëri.
Duke lexuar këtë libër, lexuesi e kupton se transformimet e mëdha të bujqësisë ndër vite, ashtu
si edhe sfidat dhe problemet e mëdha të këtij sektori, kanë në bazën e tyre edhe punën kërkimore

shkencore, që me aq pasion dhe sakrifica, është ndjekur nga disa breza specialistësh, ekspertësh,
kërkuesish, profesorësh dhe akademikësh, të cilët fatin e tyre të jetës, e kishin të lidhur pikërisht
me bujqësinë.
Një pjesë me shumë interes në këtë libër, është ajo që përshkruan periudhën e transformimeve të
mëdha që ndodhën në fushën e kërkimit dhe këshillimit bujqësor, në fillim të viteve '90, në
Shqipëri. Në analizën e saj, autorja e këtij libri, paraqet qartë, situatën në të cilën u gjëndën, në
ato vite institutet kërkimore dhe stafet e kërkimit shkencor, të cilët në një mënyrë " krejt pa
pritur" u ballafaquan me ekonominë e tregut, dhe me "ligjet e rrepta" të saj, të konkurencës dhe
të kërkesë-ofertës , e cila në thelb nuk përbënte më, një "përballje me vetvehten", siç kishte
ndodhur deri në fund të viteve 90’, por ishte një ballafaqim me tregun rajonal dhe evropian, me
insitute dhe qëndra kërkimi, të konsoliduara në shekuj, si dhe me teknologji nga më modernet, të
cilat edhe sot e kësaj dite, mbeten të pa konkurueshme dhe të pa arritshme, në shumë aspekte.
Në këtë kontekst, autorja me shumë objektivitet, përpiqet të shpjegojë për lexuesin, edhe
reformat që u ndërmorën gjatë këtyre 30 viteve të fundit, në fushën e kërkimit dhe këshillimit
bujqësor, reforma që për hir të së vertetës, shpesh herë kanë qënë edhe të "ashpra", në aspektin,
organizativ, institucional, apo edhe në atë të menaxhimit të burimeve dhe kapaciteteve humane,
pra të personelit të angazhuar në fushën e kërkimit dhe këshillimit bujqësor. Nëpërmjet kësaj
analize, autorja lën të kuptojë së një pjesë e këtyre reformave, ishin një vendimmarrje tepër e
domosdoshme për kohën, ashtu sikurse edhe një pjesë tjetër e tyre , apo aspekte të veçanta të
këtyre reformave, për shumë arsye, objektive apo subjektive, nuk patën impaktin e pritshëm.
Theksi që autorja vë, në rrezikun e humbjes së memorjes dhe vazhdimësisë insititucionale,
bazuar edhe në përvojën e saj të gjatë, në administratën publike , përbën jo vetëm një risi , por
edhe një kontribut të vecantë në këtë botim. Libri paraqet edhe një “Arkiv” të ndërhyrjeve të
donatorëve, që kanë mbështetur këto shërbime ndër vite.
Autorja, znj. Dishnica ofron dëshminë dhe gjykimin e saj, treguar dhe shkruar bukur, i cili është
me shumë vlerë për kërkuesit, vendimarrësit e sotëm dhe ata të së nesërmes, në kërkim të gjetjes
së rrugës më optimale për mbështetjen e Kërkimit dhe Këshillimit në fushën e bujqësisë,
kudoqoftë ai, në Institute, në Qëndra apo në Universitete.
Prof.Dr. Seit Shallari

Përmbledhje ekzekutive
Detyra e mos-humbjes dhe mbajtjes gjallë të “Kujtesës dhe Vazhdimësisë Institucionale”
konsiderohet ndër funksionet thelbësore të një strukture publike si dhe asaj private. Ne duhet t’i
ruajmë, t’i respektojmë, t’i vlerësojmë, t’i gjykojmë, në kuadrin e rrethanave, dhe të përfitojmë
nga eksperiencat që trashëgohen, qofshin këto pozitive apo negative. Mosvlerësimi dhe harresa
bën që ne jo vetëm të mohojmë arritjet, por edhe të përsërisim dështimet, të humbasim kohën dhe
burimet e vlefshme.
Në vitet e para të tranzicionit, institucioneve kërkimore shkencore në shkallë vendi, (në varësi të
specifikave të tyre), u kërkohej të transformoheshin thellësisht, por në vend që të fillonin
përshtatjen, në përgjithësi, ata vazhduan një mbijetesë të varfër, të garantuar nga mosndërhyrja
dhe lënia mënjanë (Raporti i Komitetit Ad hoc, 2003).
Sfida kryesore me të cilën u përball sistemi i kërkimit bujqësor në Shqipëri pas viteve ‘90 ishte
transformimi i vetvetes nga një sistem i projektuar për të funksionuar në një ekonomi të
centralizuar, në një sistem që duhet të funksiononte në kushtet e një ekonomie tregu, proces ky
shumë i vështirë. Hapja e tregjeve dhe importimi i inputeve dhe teknologjive bujqësore solli edhe
një “humbje të peshës” që një pjesë e instituteve kërkimore kishin në sistemin e kaluar.
Ndryshimit të strukturës së bujqësisë në dinamike duhet t’u jepej përgjigje me ndryshime
strukturore në sistemin e kërkimit. Performanca e sistemeve të Kërkimit Bujqësor Kombëtar, në
vendet në tranzicion është konsideruar e pamjaftueshme, për arsye të problemeve të shumta, të
cilat derivojnë si “simptoma” të problemit strukturor dhe të kapacitetit të ulët institucional. Pa
dyshim, edhe vendi ynë, për një sërë arsyesh, ka rezultuar me një performancë të dobët të këtij
sistemi.
Në kushtet e transformimit rrënjësor të bujqësisë shqiptare, sistemi i fragmentarizuar i instituteve
dhe stacioneve kërkimore, me gjithë kontributin e dhënë para viteve ‘90, pa një ristrukturim të
thellë, do të vazhdonte të “vegjetonte”, duke mos sjellë produktin që kërkonte ekonomia e
tregut. Reduktimi i njësive të vogla, nevoja për kërkime të orientuara nga tregu, efiçienca, kostot
etj, ishin ndërhyrjet kryesore që vetë koha i kërkonte. Duhet pranuar se forcimi i sistemit
ekzistues, duke ruajtur potencialet humane e materiale, ishte një opsion i përkohshëm dhe në këtë
kontekst, kërkimi bujqësor vazhdoi të fokusohej më tepër në punën afatgjatë, gjenetiko-

seleksionuese të bimëve dhe kafshëve, sesa në testimin e teknologjive të reja dhe përmirësuara,
që kishin vlerë direkte për fermerët, në kushtet e ekonomisë së tregut.
“Kur fryn era e ndryshimit, disa ndërtojnë mure mbrojtëse, të tjerë mullinjtë e erës”, thotë një
proverb kinez. Fillimisht, institutet ndërtuan, siç mund të shprehet në mënyrë metaforike, “mure
mbrojtëse”, për të ruajtur status-quo-në e tyre, por pas pak vitesh ishte domosdoshmëri që “era e
ndryshimit” të shfrytëzohej për prodhimin e “energjive pozitive”. Parë në këtë kontekst, edhe
sistemi i kërkimit bujqësor në vendin tonë, ndonëse me mjaft ngadalësi, filloi përpjekjet për t’u
përshtatur me kushtet e reja.
Në këtë proces u kryen një sërë ndryshimesh të pjesshme të karakterit strukturor dhe
problematikës së kërkimit; u krijuan raporte e lidhje të reja me strukturat e këshillimit dhe
fermerët, u zgjerua bashkëpunimi ndërkombëtar dhe u fuqizua baza laboratorike e një pjese të
konsiderueshme të instituteve kërkimore. Niveli relativisht i ulët i produktivitetit bujqësor ishte
pasojë e një sërë faktorësh, ku predominonte struktura e bujqësisë me ferma të fragmentuara, por
sigurisht edhe cilësia e qasja në sistemin e transferimit të njohurive dhe teknologjisë.
Riorganizimi i kërkimit bujqësor dhe shërbimit këshillimor ka qenë objekt i diskutimesh të gjera,
të bëra edhe në dekadën e fundit. Pavarësisht konceptit të gjithëpranuar “Humboldian”, “Holistic
combination of research and studies”… mendoj se në mënyrë specifike, në fushën e kërkimit
bujqësor, ideja e shkrirjes dhe kalimit të menjëhershëm të pjesës më të madhe të instituteve
kërkimore nën varësinë e Universitetit Bujqësor, ishte e parakohshme , për të mundësuar
zgjidhjen e duhur.
Në shumicën e vendeve europiane, kërkimi bujqësor i orientuar drejt tregut dhe i lidhur me
shërbimin këshillimor kryhet jashtë universiteteve (Brent, 2005).
UBT-ja, për një sërë arsyesh, në atë periudhë (2006) nuk ishte e gatshme të thithte menjëherë dhe
njëkohësisht gjithë gamën e aktivitetit, të pjesës më të madhe të instituteve të sistemit të MBU-
së, dhe të bazave të tyre eksperimentale/prodhuese, apo edhe të merrte përgjegjësinë e disa
shërbimeve që këto institute kryenin në bazë të ligjeve përkatëse. Gjithashtu, vështirësi do të
kishte të pranonte pa probleme që kërkuesit e instituteve në fushat e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve,
peshkimit, të angazhoheshin edhe në mësimdhënie, pasi, në rast se kjo nuk arrihej, reforma do të
çalonte ndjeshëm në vetë konceptin e saj. Nga ana tjetër, kërkimi i orientuar drejt tregut dhe i
lidhur me shërbimin këshillimor, do të mbetej në vakuum, për arsye se, nga njëra anë, kërkimi

bujqësor në tërësi do të kalonte nën varësinë e Universitetit, ndërsa shërbimi këshillimor që do të
“transmetonte” rezultatet e kërkimit, ose teknologji të adaptuara te fermerët e interesuar, mbetej
pjesë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Pra, një shkëputje e qartë e zinxhirit Kërkim-
Këshillim.
Gjithsesi, mendimet e ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe ato të vetë atyre drejtuesve dhe
kërkuesve “mendjehapur” të instituteve, përgjithësisht, konvergojnë në konkluzionin se: “Në
vendin tonë, në kushtet e transformimit të bujqësisë, në institutet kërkimore të sistemit të
bujqësisë, duke veçuar vetëm disa elementë të përmirësimit gjenetik që mund të përfshiheshin në
kërkime të mirëfillta, gjithë pjesa tjetër ka qenë kërkim i natyrës aplikativo-adaptive, bile për të
thënë realitetin, hap pas hapi, i fokusuar atje ku duhej, në “Përshtatjen dhe transferimin e
teknologjive bujqësore dhe blegtorale”.
Gjithsesi, reforma e kërkimit shkencor në shkallë vendi, në vitin 2006 përfshiu të gjitha fushat e
kërkimit, për rrjedhojë, edhe kalimin e kërkimit bujqësor si pjesë substanciale të universiteteve,
por duhet pranuar se vetë universitetet (UBT dhe UFN), nuk arrinin të realizonin kërkim të
mirëfilltë shkencor për një sërë arsyesh, mbi të gjitha të mungesës së një buxheti të alokuar për
kërkimin, si dhe të problemeve infrastrukturore e logjistike.
Në këto rrethana, në pamundësi për mbajtjen e statusit dhe emërtimin e deriatëhershëm “institute
kërkimore” dhe në kontekstin e zhvillimeve rajonale, ngritja dhe funksionimi i Qëndrave
Rajonale të Kërkimit dhe Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QKTTB) mbeti zgjidhja më e
pranueshme. (Duhet thënë se ky emërtim që përfshinte termin “Kërkim” nuk u pranua nga Grupi
i ekspertëve të komunitetit akademik, 2006 (GE, 2006) dhe përfundimisht këto qendra u
emërtuan Qendra të Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB).
Këto struktura disi “hibride” mundësuan që Ministria e Bujqësisë, duke qenë struktura shtetërore
më e informuara, për pikat e dobëta, pikat e forta dhe nevojat e ardhshme të bujqësisë shqiptare,
të mund të vazhdonte, nëpërmjet këtyre strukturave të realizonte kërkime adaptive/transferim
teknologjie, të domosdoshme për nevojat e fermerëve dhe lidhjen direkte me ta, nëpërmjet
shërbimit këshillimor, si partneri kryesor i kërkimit/transferimit të teknologjive. Ngritja e
QKTTB-ve kishte si synim një orientim më të mirë të kërkimit bujqësor drejt kërkesave të tregut
dhe prioriteteve rajonale, në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Pranohet gjerësisht se shkrirja e instituteve kërkimore të bujqësisë solli nga ana e drejtuesve dhe
kërkuesve të instituteve një reagim të fortë dhe duhet thënë të drejtë në mjaft aspekte, sidomos
për institutet që kishin edhe funksione shërbimi dhe kjo, jo vetëm nga “Nostalgjia” në lidhje me
historikun e instituteve, arritjet, sidomos para viteve ‘90, vlerësimin që kishin kërkuesit, duke
qenë pjesë e një institucioni kërkimor, por edhe për vetë rëndësinë që kishte statusi “Institut
Kërkimor”, në marrëdhëniet me homologët e tyre, në botë. Por, duhet kuptuar që ky ndryshim
rrënjësor u krye në shkallë vendi dhe jo vetëm për fushën e bujqësisë.
Për më tepër, nevoja për një reformim tërësor të sistemit të kërkimit bujqësor në vend ishte një
proces i domosdoshëm. Kjo, veç të tjerash, mbështetet në faktin e thjeshtë se një vend i vogël me
kapacitete të kufizuara humane dhe infrastrukturore, por aktualisht të ndara (Institute të kërkimit
bujqësor dhe universitete), duhej të bashkonte “forcat” për një qëllim të përbashkët. Por, ky
qëllim i mire dhe i drejte, ishte njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, një sërë problemesh specifike për
vendin tonë, duheshin marrë fort në konsideratë, të cilat nuk u vlerësuan sa duhej, në disa
drejtime.
Gjithsesi, ky ndryshim i madh, kërkonte kohe, parapërgatitje dhe mbështetje.
Ky kalim nuk u shoqërua me efektet që priteshin, për një sërë arsyesh.
Reforma, në rastin e instituteve kërkimore të sistemit të bujqësisë, paraqiti probleme, në zbatimin
e saj, në disa drejtime, së pari në faktorin kohë, por edhe të mungesës së një Plani veprimi, me
hapa konkrete, të argumentuar dhe të detajuar të vetë universiteteve, tek të cilët do të bëhej
kalimi i administrimit të instituteve kërkimore dhe që Grupi i ekspertëve, 2006, duhej
paraprakisht ta kishte në dispozicion.
Kjo mungesë u reflektua edhe në bashkëpunimin mjaft të dobët midis universiteteve dhe
Ministrisë së Bujqësisë, e cila e kishte përqendruar gjithë vëmendjen në ristrukturimin dhe
mbështetjen e procesit të ngritjes së QTTB-ve si dhe të ISUV-it, dhe jo në institutet që tashmë do
t’u kalonin universiteteve, të cilët në një farë mënyre , sidomos në fillimet e këtij procesi, mbeten
disi “Jetimë”, përgjegjësi kjo, e të dy strukturave.
Në këtë reformë tërësore, përballë vendimit për shkrirjen dhe kalimin pothuajse tërësor të
instituteve në UBT, për rastin specifik të fushës së bujqësisë, ngritja e QTTB-ve , nga ana e
MBUMK -së, ishte alternativa e duhur. Duhet thënë se 5-6 vitet e para të krijimit, QTTB-të jo
vetëm që u mbështetën fuqimisht në të gjitha drejtimet (investime, statusi i nëpunësit civil, niveli
i rritur i pagave etj.), por demonstruan ecuri dhe rezultate mjaft pozitive.

Është tashmë një fakt se me gjithë “Kritikat e forta dhe të shumta”, kundra ngritjes së QTTB-ve,
edhe sot pas 16 vitesh asnjë qeveri , e majtë apo e djathtë, nuk shfuqizoi VKM-në e vitit 2006, që
trajtonte ngritjen e këtyre strukturave.
Në përgjithësi pranohet që “importimi i modeleve të reja” nuk konsiderohet më si një zgjidhje e
vlefshme dhe modeli i duhur, lypset të zgjidhet, në varësi të sfidave që duhen adresuar dhe
mjedisit institucional të nevojshëm, për t'iu përgjigjur këtyre sfidave. Kjo vlente edhe për vendin
tonë. QTTB-te nuk ishin aspak , një model i importuar , por një model e zgjidhje , e përshtatur,
ndaj rrethanave aktuale .
Menaxhimi i kërkimit bujqësor përfshin shumë vendime që kanë pasojat shkencore, sociale dhe
politike. Çdo vënd përcakton prioritetet e kërkimit bujqësor, bazuar në shumë faktorë kompleks,
të cilët duhet të merren fort në konsideratë, kur merren vendime të rëndësishme. Për më tepër,
nga ekspertë të fushës, rekomandohet, që rishikimi periodik i njësive kërkimore, duhet të bëhet
pjesë integrale e menaxhimit të kërkimit bujqësor.
Në këtë kontekst , të rishikimit periodik, bazuar në situatën aktuale të zhvillimit të bujqësisë,
trendit të kohës, problematikave në shërbimin këshillimor publik dhe QTTB-ve, struktura të cilat
që me ngritjen e AREB-ve kanë një shkëputje serioze nga njëra-tjetra, konsiderojmë se është
koha të kalohet në zbatimin e një riorganizimi të ri, për “Kërkimin e aplikuar/adaptiv dhe
Këshillimin bujqësor”.
Ky organizim i ri ka në thelb integrimin e kërkimit dhe këshillimit bujqësor, në një sistem
efektiv, në nivel kombëtar, krijimin i një Agjencie me statusin e një Trupe Menaxhuese, pra një
strukture menaxhuese e koordinuese, fillimisht me kompetencat e një strukture gjysmë të
pavarur, dhe në një të ardhme të afërt, me pavarësi të plotë, me pesë institute rajonale të Kërkimit
të Aplikuar/adaptiv dhe Këshillimit Bujqësor (IRKKB), të cilat do të mbulojnë 12 rajonet e
vendit. (Emërtimi institute apo qendra rajonale, mbetet për t’u vlerësuar dhe për t’u pranuar.)
Në aspektin organizativ rajonal duket sikur rekomandohet thjesht një shkrirje dhe njëkohësisht,
“Bashkim mekanik dhe konvertim”, i 5 QTTB-ve ekzistuese dhe AREB-ve të tanishme, në një
Agjenci Kombëtare me Institute Rajonale të Kërkimit aplikativo/adaptiv dhe Këshillimit
Bujqësor (IRKKB). Por, ky rekomandim që paraqitet në këtë botim (i detajuar në kapitullin
përkatës) ka të bëjë me ndryshime të thella konceptuale dhe funksionale, për sa i përket
menaxhimit dhe financimit, burimeve humane, metodologjisë së “Qasjes me Pjesëmarrje”,

zgjerimit të agjendës së këtyre dy shërbimeve dhe mbi të gjitha, rritjes së efektivitetit, duke thyer
konceptin e një “varësie tërësore” nga MBU-ja, drejt një “procesi autonomie”.
Qendrat e Informacionit Rural, që propozohen, do të jenë me interes të ndërsjelltë dhe do t’i
shërbejnë edhe pushtetit lokal për të informuar komunitetin e zonave rurale, me një spektër
informimi, shumë më të gjerë se fusha e bujqësisë .
Funksionimi i një Departamenti/Njësie Agro-ekonomike brënda Agjencisë pritet të sjellë një risi
dhe informacionin e duhur për vlerësimin e kostove dhe përfitimeve, në sektorin e bujqësisë.
Agjencia Kombëtare e Kërkimit aplikativo/adaptiv dhe Këshillimit Bujqësor, (AKKKB), me
bordin e saj që propozohet, nuk mund të jetë në përmasat e Qendrës Kombëtare të Kërkimit dhe
Ekstensionit të propozuar në Master Planin e fillim viteve ‘90, pasi ideja ka evoluar për disa
arsye madhore: Së pari se, tashmë, kërkimi i mirëfilltë shkencor ka kaluar si funksion pranë
universiteteve dhe së dyti, Master Plani rekomandonte të përqendronte gjithë stafin e kualifikuar
dhe investimet në Qendër, pa kërkues rezident në qendrat rajonale, duke u lënë shumë pak
hapësirë kërkimeve për zhvillimet rajonale. Për më tepër që një sërë investimesh serioze u kryen,
ndër vite, në QTTB-të në rajone, të cilat do të duhen të ruhen.
Bujqësia është një “biznes”, që nga kontributi që jep në GDP, nga rëndësia dhe përmasat
justifikon plotësisht krijimin e një agjencie të veçantë, si propozohet në këtë botim.
Duhet thënë se megjithëse Ministria e Bujqësisë u referohet AREB-ve të ngritura më 2018, me
termin “agjenci” në të vërtetë ato janë “Geographical sub-offices” të Ministrisë, të fokusuara
pjesërisht në ofrimin e shërbimeve këshilluese dhe, me kohën më të madhe të shpenzuar, me
punë administrative dhe mbledhjen e të dhënave.
Për më tepër, AREB-et e kufizojnë veprimtarinë e tyre, duke operuar tërësisht në kuadrin e një
strukture publike, pa asnjë vizion pavarësie për të ardhmen.
Në kushtet tona, hapi duhej bërë i menjëhershëm, që mund ti jepte zgjidhje të dy shërbimeve
kërkim dhe këshillim, me një ndryshim te thellë konceptual, ndërsa Ministria, me ngritjen e
AREB-ve, ndërmorri, thjesht, një ndryshim organizativ “Të pjesshëm”, për të dhënë imazhin, e
një ndryshimi te plotë .
Referuar raportit IPESA (2020), për këtë shërbim thuhet se “Niveli i autonomisë është
substancial. Shërbimet këshilluese autonome ose gjysmautonome, të organizuara jashtë

strukturave komplekse dhe shpesh të vështira të Ministrisë, mund të ofrojnë cilësi shumë më të
mira të shërbimeve”.
Edhe në Draft SARDF (2021-2027), nuk jepet asnjë alternativë për ristrukturim tërësor të QTTB-
ve dhe këto struktura qartazi janë lënë të shkëputura nga reformimi i thellë që rekomandohet për
shërbimin këshillimor, kur dihet që lidhja e tyre është sinergjike.
Duke krahasuar kontrollin dhe varësinë tërësore të këtyre dy shërbimeve (Kërkim & Këshillim)
nga shteti, në vendin tonë, eksperti holandez Holtland, që ka punuar për shumë vite në Shqipëri,
në një studim të vitit 2011, me bashkëautorë Skreli, Balliu, thekson: “Në Evropën Perëndimore,
një kontroll i tillë i drejtpërdrejtë i shtetit mbi këto dy shërbime, ka dekada që është hequr, pasi si
qeveria, ashtu edhe sektori privat ishin të pakënaqur me joefikasitetin e sistemit. Ndryshimi
themelor ishte se shteti nuk financonte më, strukturën e kërkimit dhe këshillimit bujqësor, por më
tepër produktet që këto struktura shpërndajnë. Në vend që të paguante të gjithë stafin dhe të
gjitha investimet, kostot rrjedhëse të një instituti kërkimor, shteti paguante për ndikimin e punës
së institutit në terren. Financohej produkti dhe jo inputet”.
Gjithashtu referuar edhe ekspertëve shqiptarë Sallaku, Bicoku (2018), “Kërkimi shkencor,
këshillimi bujqësor dhe arsimi në Shqipëri, duhet të shkojnë drejt një procesi ristrukturimi, me
tendencë liberalizimin e tyre”.
Misioni i AKKKB-së, i propozuar, mund të formulohet: “Kërkim i aplikuar/adaptiv dhe
transferim teknologjie, në lidhje të ngushtë dhe funksionale me Shërbimin Këshillimor, drejt një
“qasjeje me pjesëmarrje”, duke përfshirë sektorin privat dhe aktorët e tjerë relevantë, me
infrastrukturën që kërkon koha, në mbështetje të një prodhimi bujqësor efikas, të leverdishëm
dhe të qëndrueshëm në Shqipëri, në funksion të prioriteteve rajonale dhe kombëtare”.
Në kushtet e vendit tonë, çdo kërkim i aplikuar duhet të rezultojë në formën e paketave
teknologjike këshilluese të thjeshta, të qarta, të asimilueshme, shoqëruar këto me udhëzime dhe
ilustrime praktike. Këto lloj paketash duhet të transferohen te shërbimi i këshillimit bujqësor,
nëpërmjet Qasjes “Trainer of trainers”, dhe më pas, zbatimi i tyre në fermat model/demonstruese,
do të përbënte edhe “produktin” final, të prekshëm, të gjithë zinxhirit, me mundësi të mëdha, për
t’u transmetuar si duhet në një masë të gjerë të fermerëve të interesuar.

Eksperti anglez, Brent, K. J., me të cilin unë punova ngushtësisht në vitet 2003-2005 , (ndarë në
disa faza), për studimin “Strengthening agricultural research in Albania”, të mbështetur nga
ASP-Banka Botërore, ka qenë i pari që ka dhënë idenë e ngritjes së një agjencie të kërkimit të
aplikuar dhe ekstensionit, me një bord drejtues, me bazë të gjerë, të cilit duhet t'i delegohej
drejtimi (qeverisja) e kërkimit dhe ekstensionit. Sipas tij, “Shteti nuk mund të destinojë dhe
adresojë burime financiare, pa qenë i bindur për efektshmërinë dhe për të mbrojtur me çdo kusht
strukturat buxhetore nga konkurrimi. Në këtë aspekt, ai është përgjegjës për të financuar dhe
mbështetur vetëm mbi bazën e efiçiencës dhe kostos”.
Në dinamikën e zhvillimeve të reja, domosdoshmërisë së institucionalizimit të bashkëpunimit
midis gjithë aktorëve të këtij sistemi, si dhe qasjes AKIS (Sistemi i Njohurive dhe Inovacionit
Bujqësor), shtrohen disa pyetje thelbësore:
– Cili është tregu i sotëm i produkteve të QTTB-ve, AREB-ve, apo edhe universiteteve (për
pjesën e Kërkimit & Shërbimit këshillimor), dhe aktorëve të tjerë të këtij sistemi, në përshtatje
me kushtet e ekonomisë së tregut?
– A justifikohen me produkt të matshëm dhe të absorbueshëm, bazuar në treguesit e ndikimit
SMART, edhe ato “pak” burime materiale në dispozicion të tyre?
– A duhet të konsiderohet imediate zhvendosja reale në punën kërkimore, nga qasja tradicionale,
Top-down approach, drejt një qasjeje me pjesëmarrje?
Agjenda e Këshillimit Bujqësor tashmë po zgjerohet drejt Shërbimeve Këshillimore Rurale, RAS
(Rural Advisory Services) dhe ky koncept po referohet gjerësisht në botë si “Extension-Plus”.
Planifikimi strategjik për një shërbim të tillë modern, duke përfshirë sektorin privat dhe aktorët e
tjerë relevantë, në mënyrë që të mbulojnë nevojat në tërësi, duke shërbyer si një urë lidhëse midis
kërkimit, edukimit dhe fermerëve, përbën trendin e sotëm.
Të dy shërbimet që trajtohen në botim përballen me një sërë sfidash të tjera.
Krijimi i mekanizmave koordinues të institucionalizuar midis Agjencisë së propozuar dhe
Universiteteve, për të siguruar komplementaritet dhe shfrytëzimin racional të burimeve njerëzore
e materiale, mendojmë se mbetet edhe alternativa më e mirë. Nëse kjo do të funksiononte ashtu
si duhej, atëherë në të mirë të vendit, universitetet, Agjencia me Institutet Rajonale dhe strukturat

private të interesuara për kërkimin bujqësor, do të mund të realizonin gradualisht së bashku atë
që quhet me termin Kërkim për Zhvillim, që, sipas G. Loebenstein et al (2007) kombinon
agjendat e kërkimit strategjik, të aplikuar dhe adaptiv. Por kjo, do të kërkonte zgjidhjen e një lloj
dikotomie , që sjell edhe mungesën e koordinimit, midis MASH-it (për UBT & UFN-Korçë) dhe
Ministrisë së Bujqësisë (për QTTB-të), e cila ka lidhje me ndarjen e buxheteve për kërkimin
bujqësor. MASH-i financon kërkimin që ka kaluar si pjesë substanciale e universiteteve dhe
Ministria e Bujqësisë financon kërkimin aplikativ/transferim teknologjie, kur dihet dhe bile
pranohet që jo vetëm nuk ka një përcaktim të qartë dhe proporcional të dy llojeve të kërkimit,
dhe në praktikë ka mbivendosje në aktivitetet midis dy institucioneve, por nuk ka as mekanizma,
ekspertiza specifike apo një bord të përbashkët për të analizuar kërkesat e secilës palë, ndarjet e
përgjegjësive, shoqëruar me ndikimin që pritet të japin. Për më tepër, duhet thënë se buxheti i
dhënë për kërkimin bujqësor konsiderohet një buxhet mbijetese.
Vendi ynë është në procesin e anëtarësimit në BE dhe pajtueshmëria me Acquis-in e BE-së për
bujqësinë dhe zhvillimin rural është kërkesë dhe sfidë. Në këtë kontekst, teknologjia e
informacionit dhe komunikimit (TIK) ka një potencial të madh për nxitjen e zhvillimit bujqësor.
Pandemia COVID-19 theksoi edhe më shumë fuqinë digjitale, ashtu si dhe zbuloi pabarazitë
digjitale midis zonave të ndryshme urbane/rurale si dhe atyre vulnerabël. Hartimi i një strategjie
për Bujqësinë Digjitale gjithëpërfshirëse dhe të harmonizuar brenda një kornize kombëtare
mbetet një përparësi.
Për sa më sipër, ndër sfidat me të cilat shërbimet që trajtohen në këtë botim përballen aktualisht,
mbështetja dhe vullneti politik për pranimin e ndryshimeve përbën edhe sfidën më të madhe.
Autorja

Na Ndiqni në: