Një specie e re për florën e Shqipërisë tashmë gjendet në Bankën Gjenetike

Misioni për gjurmimin, identifikimin dhe koleksionimin e kultivarëve lokal të bimëve në rajonin e Korçës në vitin 2021, bëri të mundur gjetjen e një specie të re, të asaj që quhet trëndelina blu  (Trigonella caerulea (L.) Ser. (= T. coerulea (L.) Ser.), e njohur në literaturë me emra të ndryshëm si trigonela blu, tërfili blu-i bardhë,  meliloti blu, tërfili i ëmbël etj. Në florën e Shqipërisë gjinia Trigonella L. (Trëndelinore) përfshin gjashtë specie barishtore trëndeline (Trigonella spp.). Në volumin 2 të Florës së Shqipërisë janë përshkruar katër specie (T. corniculata, T. monspeliaca, T. gladiata dhe T. foenum-graecum), ndërsa në Checklist of vascular plants of Albania (Barina, Z., Somogyi, G., Pifkó, D., Rakaj, M. 2018, Phytotaxa 378, 1) jepen 6 specie: Trigonella corniculata (L.) L. (T. esculenta aggr.), Trigonella foenum-graecum L., Trigonella glabra Thunb. (T. hamosa L.), Trigonella gladiata Steven ex M.Bieb., Trigonella graeca(Boiss. & Spruner) Boiss. dhe Trigonella monspeliaca L.

 

Fig 1. Trigonella caerulea (L.) Ser.

Trigonella caerulea (trëndelina blu) ende nuk përfshihetlistën e specieve në Florën e Shqipërisë. Pra, mund të konsiderohet si specie e re bimore për florën e Shqipërisë. Kjo specie, tashmë është pjesë e inventarit dhe ruhet në fondin e germoplazmës së Bankës Gjenetike të Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, të Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe fondin e Bankës së Farave të Komunitetit(BFK) në Korçë.

Trigonella caerulea është bimë bishtajore njëvjeçare, erëmirë, e kultivuar në kopshte ose obore në rrethinat e Korçës.Specia është gjetur për herë të parë në fshatrat Klocë, Shëngjergj (Korçë) dhe Nizhavec (Pogradec). Gjatë koleksionimit, u zbatuan protokolle standarde të miratuara nga ECPGR, duke marrë mostra fare nga individë të ndryshëm. Nuk dihet mëshumë për orgjinën dhe praninë e saj në zonën e Korçës, nëse ka ardhur nga ndonjë vend tjetër apo është specie spontane. Emërtimi i saj, me të njëjtin emër, si T. foenum-graecum njohur si gruri i Qabesë” në fshatin Klocë, të bën të mendosh se bima mund të ketë ardhur shumë herët nga Persia.

Gjinia Trigonella L. (Linnaeus, 1753), i përket tribusë Trifolieae, nëntribusë Trigonellinaefamiljen Fabaceae (Leguminosae). Ajo përbëhet nga më shumë se 135 lloje të shpërndara gjerësisht në rajonet rreth Mesdheut, Azisë Perëndimore, Evropës Jugore, Afrikës Veriore dhe Jugore, Amerikës së Veriut dhe Australisë Jugore. Qendrat e origjinës së Trigonella konsiderohen rajoni i Lindjes së Afërt, që shtrihet nga Izraeli përmes Sirisë dhe Turqisë jugore deri në Iran dhe Irak dhe Qendra e Mesdheut duke përfshirë Spanjën, Marokun dhe Turqinë. Disa specie të kësaj gjinie janë të rëndësishme për ushqim dhe si bimë mjekësore, veçanërisht specia e kultivuar T.foenum-graecum L., e njohur dhe e përdorur për qëllime të ndryshme, nga kohët antike, sidomos në Greqi dhe Egjypt.

Megjithë përhapjen e gjerë, bankat e gjeneve strehojnë një koleksion të pakët germoplazme të specieve Trigonella. Në fondin e germoplazmës së Bankës Gjenetike Bimëve të Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, të Universitetit Bujqësor të Tiranës tashmë ruhen dy aksesione, një e T. foenum-graecum dhe tjetra e T. caerulea, depozituar prej autorëvë të këtij shkrimi në vitin 2020 dhe 2021.

Përdorimi dhe vlera ekonomike

Speciet e gjinisë Trigonella dhe veçanërisht Trigonella foenum-graecum , njohur si “Gruri i Qabesë dhe trëndelina (T. corniculata L.), janë të njohura mirë për aromën e tyre shumë të fortë, vlerat e larta ushqyese dhe vetitë e shumta terapeutike. Ato gjejnë përdorime për qëllime kulinare, mjekësore dhe industriale. Trigonella foenum-graecum (Gruri i Qabesë) zakonisht kultivohet si perime për vlerat antidiabetike dhe për mundësinë e uljes së nivelit të glukozës dhe kolesterolit në gjak. Trendelina blu (T. caerulea) është më pak e njohur dhe e përdorur se T. foenum-graecum, por herë pas here kultivohet si bimë aromatike, mjekësore dhe foragjere. Gjithashtu ajo përdoret si bimë zbukuruese, më shpesh në kopshte me lule të egra, gurë dhe zhavorr. Trendelina blu mund të përdoret në programet e përmirësimit gjenetik të specieve të kultivuara të Trigonella-s.

Trëndelina blu ka aromë dhe shije të ngjashme me Grurin e Qabesë, por më lehtë. Në gatime dhe si bimë mjekësore, mund të përdoren farat, bishtajat, gjethet dhe sythat lulor.

Bimëzat e reja të trëndelinës blu përdoren si ushqim, duke u konsumuar me vaj dhe kripë. Gjethet e majës dhe gjethet e bimëve të reja janë përdorur kryesisht për gatim. E gjithë bima ose farat e thara (nga njëherë bishtaja të plota) përdoren gjerësisht për aromatizimin dhe ngjyrosjen e bukës, djathit, në gatime dhe receta të ndryshme në rajonin e Alpeve Evropiane, Evropës Perëndimore dhe në rajonet kufitare Europë-Azi, por shpesh përdoret edhe jashtë këtyre rajoneve. Gjethet e thara dhe të bluara, si edhe lulet, përdoren si erëza në supa dhe gjellë me patate, si dhe për çajra.

Pothuajse të gjitha speciet e gjinisë Trigonella kanë një aromë të fortë dhe shumica e tyre përdoren si repelente ndaj insekteve për mbrojtjen e drithrave, pëlhurave, etj., ndërsa vajrat esencialë të disa prej tyre janë një lëndë e parë shumë e vlefshme për parfumerinë. Në zonën e Korçës, lulesat trëndelinës blu lidhen në tufa dhe vendosen nëpër syndyqe ose në dollapin e rrobave për t’i mbrojtur këto të fundit nga mola si dhe për t’u dhënë atyre erë të mirë. Masa bimore e freskët përdoret si foragjere, veçanërisht për gjedhët. Kur teprohet me konsumin, qumështi i prodhuar dhe nënproduktet e tij mbajnë erë trëndelinë.

Trëndelina blu është një bimë mjekësore. Në literaturë i atribuohen veti për të stimuluar oreksin, si dhe veti laksative dhe antiglicemike.

Përgatiti:

Prof. Dr. Robert Damo, Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë;

Prof. Dr. Sokrat Jani, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UB-Tiranë.

Na Ndiqni në: