Një sërë problematikash janë konstatuar së fundmi nga ekspertë të fushës për ullishtat e Belshit, pas studimeve të zhvilluara në këtë zonë. Sipas të dhënave u vunë re probleme të tilla si më poshtë vijon:
- Zgjedhja jo saktë e varieteteve të ullirit
- Shumë ullishte të reja të abandonuara
- Pemë në formë jo të mirë për shkak të gabimeve në krasitje
- Konstatim i dëmeve serioze prej sëmundjeve dhe dëmtuesve
- Krasitje e kryer në kohë dhe me metodë të papërshtatshme
Ekspertët dhe specialistë të zonë saktësojnë se një nga sëmundjet që po përhapet me shpejtësi kohët e fundit dhe po shkakton dëme serioze në ullishta është tuberkulozi (Pseudomonas sevastanoi).
Për këto problematika dhe të tjera çështje u zhvilluan në Belsh seminare teorike dhe seanca praktike me fermerët pjesëmarrës të përzgjedhur nga çdo fshat i zonës, me qëllim për të realizuar sqarime teorike për kultivimin e ullirit dhe zhvillimin e demonstrimeve praktike për krasitjen.
Nëpërmjet krasitjes realizohen këto qëllime kryesore:
- Të krijohet formë kurore e përshtatshme për prodhim të bollshëm dhe konstant.
- Rigjenerimi i pemëve të infektuara dhe të degraduara nëpërmjet riformimit.
- Krasitja është një prioritet për shëndetësimin dhe zgjatjen maksimale të jetës e pemës së ullirit.
Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve u dhanë rekomandime dhe u trajtuan edhe temat për mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet ndërsa u diskutua në detaje edhe tema në lidhje me dëmtuesit.
Rrezikshmëria që paraqesin sëmundjet dhe dëmtuesit e ullirit kërkojnë marrjen e masave parandaluese nga çdo fermer por ndërkaq drejtoria e bujqësisë në bashkinë Belsh do t’u vijë gjithashtu në ndihmë duke fuqizuar rrjetin e bashkëpunëtorëve, identifikimin në kohë të sëmundjeve e dëmtuesve të ullirit nëpërmjet organizimit të qendrave të prognoz – sinjalizimit.
Gjendja e ullishtarisë
Territori i Bashkisë së Belshit ndodhet midis lumenjve Shkumbin dhe Devoll, përbën mbi 70 % të territorit të zonës së Dumresë dhe përfshin 35 fshatra. Në këtë zonë kultivohen rreth 2000 ha ullinj me mbi 600 000 rrënjë, të cilat janë të moshës deri 20- vjeçare dhe shumë pak ullinj, janë shekullor.
Mungesa e përvojës, mbjellja e ullinjve pa studime si dhe moskryerja e shërbimeve të nevojshme, ka nxjerrë në dukje disa probleme shqetësuese për kulturën e ullirit në këtë zonë.
Për studimin e gjendjes, identifikimin e problematikës si dhe për zbatimin e masave për përmirësimin e gjendjes në ullishtari po zbatohet një projekt i mbështetur nga Programi IADSA 2. Ky projekt ka si synim fuqizimin e ekonomisë bujqësore të fermerëve të Belshit dhe t’i pajisë ata me gjithë njohuritë dhe teknikat e nevojshme për të qenë të suksesshëm me produktet e tyre në tregjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare.
Në këtë kuadër Bashkia Belsh në partneritet me qendrën ACIT ka organizuar një cikël trajnimesh në pesë njësitë administrative të bashkisë.
Siperfaqja e mbjellë me ullinj jo vetëm është shtuar ndjeshëm por ajo ka tendencë rritje dhe çdo vit mbillen rreth 60,000 rrënjë ose 200-250 ha. Aktualisht prodhohen rreth 5000-6000 ton ullinj në vit dhe rreth 90% e sasisë përpunohet në fabrikat e vajit të Belshit. Prodhohen çdo vit rreth 700-800 ton vaj ulliri i cilësisë së lartë.
Siç vihet re nga të dhënat, ulliri zë një vend të rëndësishëm në strukturën e kulturave bujqësore në këtë zonë dhe është burim kryesor i të ardhurave për fermerët. Prandaj studimi i gjendjes, njohja e mangësive në kultivimin e ullirit dhe marrja e masave për eliminimin e tyre, kërkon në vazhdimësi trajnimin e kultivuesve të ullirit.
Denis Agolli
Drejtor i Bujqësisë dhe Kadastrës në bashkinë Belsh