Emocioneve të studenteve/ëve që u diplomuan në UBT për vitin akademik 2020-2021, iu shtua edhe entuziasmi i festës së ideuar posaçërisht për ta, po në ambientet e kampusit universitar menjëherë pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit.
Rektorati dhe organizatorët e festimeve me rastin e 70-vjetorit të UBT-së por edhe të ceremonisë së diplomimit, me shpresën për t’ua bërë edhe më të paharrueshme këtë ditë të rinjve të sapodiplomuar, organizuan “Natën e bardhë”, një festë e cila bëri bashkë studente/ë, të afërm të tyre e anëtarë të stafit akademik. Të gjithë së bashku shijuan deri në orët e vona të pasdites, muzikë të mirë, ushqime dhe pije të ndryshme. Për herë të parë në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës u zhvillua “Nata e Bardhë”, festë e cila i dha një dinamikë tjetër festimeve të programuara në kuadër të 70-vjetorit të universitetit më të vjetër në vend. Ky vit akademik listoi 1577 studente/ë të diplomuar në rreth 60 degët e studimit në UBT.