Shtrirja gjeografike: Bishtajoret kokërr kanë kërkesa të ndryshme për kushtet klimatike dhe dallohen për një gamë të gjerë përshtatshmërie me gjerësitë gjeografike, gjatësitë gjeografike dhe ndryshimet klimatike. Megjithëse llojet e ndryshme të bishtajoreve rriten pothuajse në çdo klimë, përshtatshmëria individuale e specieve të bishtajoreve të kultivuara, kufizohet në zonat e origjinës së tyre. Kërkesat jo të njëjta ndaj faktorëve të rritjes e të zhvillimit si dhe përshtatshmëria individuale e specieve të bishtajoreve, kanë bërë që ato të kenë shtrirje të ndryshme gjeografike në dy anët e hemisferit, të kenë periudhë bimore të ndryshme, të mbillen në vjeshtë dhe në pranverë etj.
Bizelet, thjerrëzat dhe qiqrat, të përhapura gjerësisht në rajonet tropikale dhe subtropikale të të gjithë botës, futen në grupin e bishtajoreve të sezonit të freskët dhe në shumë vende rriten gjatë dimrit. Kushtet klimatike kanë bërë që bizelja dhe disa lloje lupini (i verdhë dhe i kaltër – në mbjelljet pranverore) të shtrihen deri në 650 në pjesën veriore të hemisferit; batha ka shrirje relativisht më të vogël ndërsa fasulja dhe soja rriten në zonat ku shkon mirë misri. Fasulja rritet gjerësisht në të gjitha zonat kryesore kontinentale, nga 52° në veri e deri në shkallën 32° në jug, nga mjediset me lartësi mbidetare më të ulët në kontinentin amerikan dhe atë evropian, deri në lartësi prej më shumë se 3000 m mbi nivelin e detit në Andet e Amerikës së Jugut. Fasulja kokërrmadhe pëlqen zonat me klimë të freskët, duron më shumë se fasulja e zakonshme të ftohtin, por jo thatësirën. Soja është e shpërndarë gjerësisht në rajonet tropikale, subtropikale dhe në zonën e klimës së butë të botës që shtrihen midis 550 në veri dhe 32° në jug, në lartësi 2000 m nga niveli i detit.
Toka: Bishtajoret nuk kanë kërkesa të larta për tokën ku kultivohen. Kështu thjerrëza dhe qiqra kultivohen me efektivitet të kënaqshëm në toka me pjellori të ulët, në toka mbi ujë, ndërsa në toka skeletike dhe me prirje acide preferohet lupini, në toka bazike batha, qiqra dhe thjerrëza, ndërsa fasulja dhe soja në toka me reaksion neutral. Fasulja pëlqen toka ranore deri në argjilore të mesme, toka të bardha, tokat buzë lumenjve dhe toka me pamje nga dielli. Në përgjithësi bishtajoret kokërr preferojnë toka me pH 6.0-7.0.
Tokat shumë të pasura e zgjasin periudhën e vegjetacionit, ndërsa ato shumë të varfëra përshpejtojnë lulëzimin dhe shkurtojnë vegjetacionin. Gjithashtu edhe tepricat e azotit e zgjasin periudhën e vegjetacionit, me pasojë rritjen e masës vegjetative mbitokësore në dëm të prodhimit të kokrrës. Konsiderohen si toka jo të përshtatshme për bishtajoret kokërr tokat e kripura-alkaline, tokat acide, tokat e ulëta me tepricë lagështie (uji) si dhe tokat me infeksion të lartë me barëra të këqia. Rekomandohen mjedise/toka pa barëra të këqija për 30-45 ditët e para për shumicën e bishtajoreve kokërr. Moskontrolli i barërave të këqija gjatë periudhës vegjetative, mund të shkaktojë 40-60% humbje të rendimentit.
Temperatura: Sipas temperaturave minimale për mbirje (që lidhen me afatin e mbjelljes) bishtajoret kokërr ndahen në dy grupe: 1) Bimë makroterme e tipike pranverore (fasulja dhe soja). 2) Bimë mikroterme me mundësi mbjelljeje në vjeshtë në zonën e ngrohtë dhe në pranverë në zonën e ftohtë (batha, qiqra, thjerrëza, lupini).
Me kërkesa më të mëdha ndaj temperaturave është soja dhe ndërmjetëse janë; fasulja dhe qiqra, ndërsa thjerrëza ka pak kërkesa.
Temperaturat mbi 300C, të shoqëruar me mungesë të lagështirës tokësore dhe ajrore dëmtojnë rritjen dhe zhvillimin e bimëve. Ngritja e menjëhershme e temperaturave në shkurt-mars përshpejton pjekjen, zvogëlon madhësinë e kokrrave dhe pakëson rendimentin e bishtajoreve të sezonit të dimrit.
Bishtajoret kokërr në përgjithësi, pëlqejnë hapësirat me klimë të butë e të ngrohtë, pasi temperaturat relativisht shumë të larta ose shumë të ulta janë ndër faktorët më të rëndësishëm që kufizojnë kultivimin e tyre. Në këtë këndvështrim temperaturat e larta dhe në përgjithësi stresi i nxehtësisë, do të jetë kërcënim serioz për prodhimin e bishtajoreve kokërr dhe sidomos të fasuleve në dekadat e ardhshme.
Lagështia: Bishtajoret kokërr janë në përgjithësi tolerante ndaj thatësirës, por në faza të caktuara (lulëzim dhe lidhje bishtaje) lagështia është e rëndësishme. Batha dhe lupini kanë kërkesa më të mëdha për lagështi, ndërsa qiqra, thjerrëza dhe disa varietete fasulesh kokërrvogël janë më të qëndrueshme ndaj thatësirës. Ndër bishtajoret, qiqra është më e qëndrueshme ndaj thatësirës.
Te bishtajoret kokërr në përgjithësi kërkesat për lagështi rriten pas mbirjes, por nevojat më të mëdha këto bimë i shfaqin në fazën e lulëzimit dhe të lidhjes së bishtajave. Bishtajoret ulin aftësinë mbirëse të farave nëse bie shi i zgjatur në kohën e pjekurisë.
Si rregull, mosujitja dhe mungesa e lagështisë (sidomos në vitet e thatë) shkurtojnë fazat e zhvillimit dhe periudhën vegjetative, ndërsa lagështia (jo me tepricë) në vitet e lagët dhe ujitjet i zgjasin ato.
Në varësi të temperaturës, lagështirës dhe ajrimit mbirja zgjat 10-20 ditë (mesatarisht dy javë). Si rregull, farat tek varietetet me kokërr të vogël dhe me cipë të hollë të farës, mbijnë më shpejt se farat e varieteteve me kokërr të madhe dhe me cipë të trashë, pasi farat e varieteteve me kokërr të vogël kërkojnë më pak lagështi për mbirje. Gjithashtu, pakësimi i tepricave të ujit/ujitjeve në lulëzim dhe gjatë formimit të bishtajave rrit rendimentet.
Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.