Ndër veçoritë dalluese të ullinjve të vjetër shekullorë është edhe cilësia e “luksit që gëzojnë” në pamjen e jashtme, ku përngjasimi me diçka i bën ata mjaft tërheqës, sidomos në trendin e ditëve të sotme në zhvillimin e agroturizmit. Interesant dhe i tillë duket edhe rasti i këtij ekzemplari të vjetër ulliri, eksploruar nga specialistë të IRGJB-së në zonën e Gërdecit në komunën Prezë, Tiranë. Ekzemplari njihej në zonë si ulliri “fytyrë njeriu”.
Një tjetër kuriozitet i familjeve të vjetra shqiptare, ku bimën e ullirit e lidhnin ngushtë me kulturën dhe traditën e kohës, ishte jo vetëm mbjellja e tyre në pronat e familjeve të fisme apo me traditë në zonë, por në disa raste referohet se edhe varret e njerëzve të parë të fisit vendoseshin pranë ullinjve shekullorë. I tillë është edhe rasti në zonën midis komunës Bubq dhe Prezë, ku në një ekzemplar të vjetër ulliri të familjes së Bojve në Prezë, familjarët kanë vendosur varrin e stërgjyshit të familjes. Siç shihet edhe në foto, në bazën e trungut të pemës sipas familjarëve, ekziston një varr që ndan pemën në dy degëzime.
Prof.As. Adriatik Çakalli
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.