Bimët bishtajore për kokërr bëjnë pjesë në klasën dythelbore, rendi Rosales, familja Leguminosae, nënfamilja Papilonaceae. Njohja e karakteristikave botanike (struktura e jashtme) e bimëve bishtajore (referuar si morfologji) ndihmon në ndjekjen biologjike të bimës dhe në shumë vendimmarrje agronomike të përditshme për fermerin.
Sistemi rrënjor: Bishtajoret kokërr kanë sistem rrënjor boshtor. Në rrënjët e tyre formohen gunga (kokrriza) ku jetojnë bakteret azotfiksuese të llojit rhizobium. Bakteret janë specifike për çdo specie dhe në sajë të simbiozës bimë-bakter, tërheqin dhe fiksojnë azotin atmosferik në sistemin e tyre rrënjor. Gjatë mbirjes së farës formohet rrënja e embrionit që shkon poshtë vertikalisht, ku gradualisht formohen rrënjët anësore dhe sistemi rrënjor në tërësi. Thellësia dhe madhësia e rrënjëve varet nga specia dhe ndikohet nga struktura, pjelloria dhe lagështia e tokës, etj. Sistem rrënjor më të zhvilluar ka lupini (thellësi 1-1,5 m), fasulja (rreth 1 m), qiqra dhe thjerza (0,7-0,8 m).
Sistemi rrënjor boshtor i tyre, me degëzime të shumta, shkon thellë në tokë dhe ndihmon në shkriftërimin fizik dhe agregimin strukturor të tokës, rrit përshkueshmërinë e ujit, shkriftërimin dhe ajrimin e tokës. Në përgjithësi sistemi rrënjor përmirëson pjellorinë dhe aktivitetin mikrobial të tokës, ruan lagështinë tokësore dhe ushqen të korrat që mbillen në vitin pasardhës. Kjo i bën bishtajoret për kokërr parabimë shumë të mira për të gjithë bimët e tjera sidomos për të lashtat.
Kërcelli: Në bimët bishtajore kërcelli ka qëndrim të ndryshëm; i shtrirë, gjysmë i ngritur, i ngritur, i hapur i drejtë, dhe/ose ngjitës. Kërcelli i bishtajoreve ka larmi të gjerë të gjatësive, madhësive, drunjëzimit dhe numrit të degëve. Kërcelli në bishtajore është pa nyje dhe ndërnyje të dallueshme. Megjithëse kërcenjtë e bishtajoreve ndryshojnë shumë, janë karakteristikat botanike si format e gjetheve, pamja e qëndrimit të kërcellit dhe lulet e tyre, tregues që e bëjnë identifikimin e bishtajoreve shumë të lehtë.
Gjethet: Kërcelli ka gjethet dhe nëngjethëzat, këto të fundit me zhvillim më të reduktuar. Forma e gjethes përcaktohet më vëzhgim vizual në kohën e 50% të lulëzimit dhe shënohet me alternativat: gjethe të përbëra, treshe, tekpendore ose çiftpendore sipas llojeve.
Bazuar në trajtën e gjetheve, bimët bishtajore ndahen në tre grupe:
1. Bishtajoret gjethependore. Bimët e këtij grupi kanë gjethe pendore (tek ose çift). Në këtë grup bëjnë pjesë: Batha (Vicia faba L), qiqra (Cicer arietinum L), thjerëza (Lens esculenta Moench).
2. Bishtajoret gjethetreshe: Bimët e këtij grupi i kanë gjethet treshe. Këtu bëjnë pjesë fasulja (Phaseolus vulgaris L) dhe soja (Soja hispida Moench).
3. Bishtajoret gjethepëllëmbore: Bimët e këtij grupi i kanë gjethet në formë pëllëmbore ose gishtore dhe përfaqësohen nga lupini.
Mbirja: Te bishtajoret kokërr forma e mbirjes lidhet me trajtën e gjetheve dhe kjo lidhje ka rëndësi praktike për fermerin, pasi ndihmon në njohjen e mbirjes. Sipas mbirjes (që lidhet edhe me trajtën e gjetheve), bimët bishtajore ndahen në dy grupe:
1. Mbirje me kotiledonet nën tokë: Bimët e këtij grupi, gjatë mbirjes, nuk i nxjerrin kotiledonet mbi tokë, hipokotili mbetet i pa zhvilluar, ndërsa epikotili i diferencuar plotësisht, zgjatet deri në sipërfaqe duke sjellë me vete gjethëzat e para të vërteta. Këtë mënyrë mbirjeje e kanë bimët bishtajore me gjethe pendore (tek ose çift) si batha, qiqra, thjerëza etj.
2. Mbirje me kotiledonet mbi tokë: Bimët e këtij grupi, gjatë mbirjes, i nxjerrin kotiledonet mbi tokë në sajë të veprimit të boshtit të hipokotilit që drejtohet dhe zgjatet me shpejtësi. Këtë mënyrë mbirjeje e kanë bimët bishtajore me gjethe treshe, si fasulja, soja etj, dhe bishtajoret me gjethe pëllëmbore ose gishtore që përfaqësohen nga lupini.
Lulëria: Lulëria përbëhet nga lule me kurorë në trajtë flutur e me ngjyra të ndryshme. Përbëhet nga pesë petla e nënpetla në formë fluture, me ngjyrë të bardhë, rozë, vjollcë, etj. Organi mashkullor përbëhet nga dhjetë thekë, ku 9 thekë janë të bashkuar dhe një është i lirë. Ndërsa organi femëror përbëhet nga një vezore me pistil të gjatë dhe krezë të dalë. Forma dhe dhe ngjyra e luleve janë shumë të dobishme për identifikim gjatë fazës riprodhuese.
Fryti: Bishtajoret kokërr janë bimë njëvjeçare që e kanë frytin bishtajë. Sipas bimëve, bishtajat kanë formë, madhësi, ngjyrë dhe numër të ndryshëm kokrrash. Praktikisht në bishtajoret kokërr gjenden një ose më shumë kokrra për bishtajë.
Kurbatura e bishtajës. Forma e bishtajës bazohet në përcaktimin vizual të formës së bishtajës dhe si karakteristikë dalluese është kurbatura ose përkulja e bishtajës. Kjo karakteristikë bazohet në përcaktimin e pranisë ose jo të kurbaturës te bishtajat e pjekura dhe shënohen: Bishtajë me mungesë ose kurbaturë të dobët; me kurbaturë të mesme dhe me kurbaturë të fortë. Bishtajat kanë veti të hapen (çahen) në të dy qepjet që ndikojnë në probabilitetin e shkoqjes gjatë vjeljes.
Kokrra. Kokrrat (farat) te bishtajoret janë zakonisht të rrumbullakëta. Kokrra/fara përbëhet nga hili, kotiledonet dhe embrioni. Cipa që vesh kokrrën, përveç ngjyrës që mundëson identifikimin, ka aftësinë të zvogëlojë thithjen e ujit dhe të zgjasë kohën e ruajtjes së tyre. Cipa e farës, që zvogëlon thithjen e ujit, e bën shpesh mbirjen të vështirë, prandaj mbjellja duhet bërë në tokë me lagështi të mjaftueshme.
Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.