Jean-Philippe Delberghe - www.unsplash.com

Fakulteti i Shkencave Pyjore forcon bashkëpunimin me aktorë të interesit për sektorin e industrisë së drurit

Fakulteti i Shkencave Pyjore në UBT në bashkëpunim me Klasterin shqiptar të Industrisë së Drurit organizuan workshopin me temë “Sfidat në industrinë e mobilerisë. Përmirësimi i bashkëpunimit midis grupeve të interesit dhe strategjia e aplikimit për projekte kombëtare dhe ndërkombëtare ’’.

Me pjesëmarrjen e pedagogëve të departamentit të industrisë së drurit në FSHP, drejtuesve të këtij fakulteti, përfaqësues të KID (Klasterit të Industrisë së Drurit), të ekspertëve të Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme në vend, aktiviteti nxorri në pah disa nga problematikat me të cilat përballet ky sektor aktualisht ndërsa u diskutua për mënyrat e bashkëpunimit mes aktorëve të interesit për të bërë më të mirën e mundshme në ndihmë të sektorit, veçanërisht të industrisë së përpunimit të drurit, për shtimin e kapaciteteve, aftësimin profesional, për domosdoshmërinë dhe rritjen e stafeve të kualifikuara në fushat respektive e të tjera.

Klasteri i Industrisë së Drurit dhe përditësimi i aktiviteteve të tij, prezantim i projekt-ideve në bashkëpunim edhe me organizata të ngjashme përtej kufijve siç është Klasteri i Sllovenisë,  ai i projektit të fondit të Sfidave Rajonale dhe bashkëpunime të ndryshme u detajuan përpara të pranishmëve nga Julinda Kllapi, menaxhere e KID. Ndër të tjera ajo shtoi se ky takim do të shërbejë për vitalizimin e Kasterit, zgjerimi i të cilit është një ndër ojektivat për të ardhmen.

Në fjalën e saj, Kllapi shtoi se Klaster mund të kontribuojë për FSHP por edhe për të tjerë në një sërë drejtimesh, si trajnime, ndihmë dhe ekspertizë për përdorimin e aparaturave dhe makinerive,  asistencë të huaj për zhvillimin e strategjive të eksportit, projekte ndihmëse për të pajisur me infrastrukturë ambientet e mësimdhënies e të tjera.

Menaxherja e KID vuri theksin gjithashtu tek Fondi Rajonal i Sfidave që synon të forcojë rëndësinë e tregut të punës në arsim dhe aftësimit profesional si dhe në uljen e papunësisë tek të rinjtë dhe furnizimin e kompanive me forcë punëtore të kualifikuar, etj.  Ndërkaq dekani i FSHP në fjalën e tij veçoi dy çështje kryesore ndërsa foli për sfidat dhe përpjekjet e sektorit; internacionalizimin e Klasterit dhe ngritjen e kapaciteteve. Prof. Asoc. Leonidha Peri foli për bashkëpunimin e deritanishëm por edhe për vijimësinë e këtij bashkëpunimi në të ardhmen jo vetëm me aktorët vendas të interesit por edhe me ndërkombëtarët, duke specifikuar mbështetjen dhe ndihmën e dhënë nga ambasada sllovene.

Megjithatë ai vuri në dukje nevojën për personel të kualifikuar në sektorin e industrisë së drurit dhe jo vetëm.  “Të gjithë së bashku” – tha ai- duhet të bëjmë më shumë për të rritur interesin e studentëve të këtij fakulteti për profesionet që gjeneron, si në industrinë e drurit ashtu edhe në sektorin e pyjeve etj.

Nga diskutimet u hodhën ide se si mund të gjenden modalitete të përbashkëta për shkëmbimin e eksperiencave për studentët e FSHP, për kontributin apo asistencën që mund të japin bizneset për të rritur kapacitetet profesionale, për të rritur burimet e kualifikuara njerëzore (si një aset i munguar në bizneset shqiptare )për ndihmën që mund të japin autoritetet shtetërore siç është MIE dhe jo vetëm, për mënyrat sa më efikase të bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve të përmendur për këtë industri e cila është mjaft e rëndësishme në vendin tonë.  Takimi i zhvilluar në ambientet e FSHP ishte i dyti radhazi ndërsa të tjera workshope frytdhënëse do të pasojnë në vijim për të konkretizuar idetë e paraqitura si një e mirë e përbashkët mes palëve.

Na Ndiqni në: