Ndryshimet klimatike dhe resurset gjenetike të perimeve.
Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike është bërë një çështje e ngutshme dhe urgjente duke pasur parasysh shpejtësinë alarmante me të cilën po ndodhin ato. Bujqësia është e kushtëzuar fuqimisht nga faktorë klimatikë por aktualisht ajo është një ndër sektorët më të prekur pasi pronarët dhe prodhuesit e vegjël nuk kanë burime të përshtatshme financiare për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike. Megjithatë agrobiodiversiteti ofron një mundësi për pronarët dhe prodhuesit e vegjël që të përshtaten me ndryshimet klimatike. Të ballafaquar me këtë ndjeshmëri në rritje, fermerët e vegjël kanë mësuar nga përvoja se prodhimi bujqësor mund të ruhet duke përdorur kultivarët e vjetër lokalë të identifikuar gjatë brezave si tolerantë ndaj ekstremeve klimatike, veçanërisht thatësirës. Vëzhgimi i kësaj njohurie lokale ka motivuar disa programe zhvillimi për t’i ruajtur dhe mirëmbajtur ato.
Kultivarët lokalë dhe landracat, të zhvilluara në vende e rajone të ndryshme, janë pjesë e një strategjie të zhvilluar nga pronarët e vegjël për të arritur një gjendje të sovranitetit të ushqimit dhe pavarësisë nga burimet tregtare të farës hibride. Aftësia e pronarëve dhe prodhuesve të vegjël për të ruajtur kolektivisht kultivarët e vjetër lokalë dhe landracat e tyre, të adaptuara tashmë për klimën, tregon thellësinë e njohurive dhe aftësive brenda komuniteteve lokale që mund të merren për të përmbushur sfidat e ardhshme të ndryshimit të klimës.
Ndërsa agrobiodiversiteti i kulturave perimore është i përfaqësuar mirë në genebanka në të gjithë vendet e globit, kjo është ende shumë pak për perimet tradicionale. Përpjekjet për koleksionimin e tyre në pikat e nxehta të diversitetit gjenetik të bimëve perimore ka qenë dhe mbetet një kërkesë e përhershme për të ruajtur këtë germplasmë përpara se të zëvendësohet nga varietetet moderne. Kopshtet shtëpiake, bankat e farërave të komunitetit dhe prezantimi i varieteteve lokale përmes kompleteve të farërave të perimeve, janë mënyra sesi genebankat mund të lidhen me komunitetin bujqësor për të forcuar sektorin informal të farës. Kjo nga ana tjetër mund të rezultojë në sisteme më të larmishme të prodhimit dhe rritjes së konsumit të perimeve.
Në aspektin zyrtar të farës, mbarështuesit e perimeve kanë nevojë për qasje të një larmie të gjerë të burimeve gjenetike, kryesisht varietete të fermerëve, landracave dhe të afërmve të egër.
Roli dhe Rëndësia e Kultivarëve Lokalë të Perimeve në Sigurinë Ushqimore
Rritja e bujqësisë moderne konsiderohet të ketë çuar në rënie të numrit të specieve bimore nga të cilat varet ushqimi për njerëzit. Kjo rënie ka prekur veçanërisht perimet, gjysmë të kultivuara dhe të kultivuara, erëzat, etj, të pasura me mikroelemente thelbësore për një dietë të shëndetshme. Këto kultura/specie, historikisht kanë forcuar sigurinë ushqimore, gjatë dështimeve të kulturave kryesore. Analizat më të fundit të tendencave të konsumit të ushqimit në nivel rajonal dhe global, zbuluan ndryshime që drejtohen nga rritja e të ardhurave, urbanizimi, liberalizimi i tregtisë, korporatat ushqimore transnacionale si dhe tregtimi e shitja me pakicë e produkteve të industrisë ushqimore përmes supermarketeve. Konsumatorëve u ofrohet tani më shumë larmi dhe komoditet por në të njëjtën kohë ushqim më i lirë, më pak i shëndetshëm dhe më shumë i përpunuar, me përmbajtje të lartë yndyrash dhe sheqernash dhe që është bërë më lehtë i arritshëm dhe i përballueshëm.
Në tregjet e mëdha të perimeve dhe në industrinë agroushqimore, nevoja për standardizimin e parametrave teknologjikë dhe merceologjikë të produkteve, ka çuar në një erozion gradual të ndryshueshmërisë, cilësisë së lëndës së parë bujqësore dhe në homogjenizimin e “shijes” dhe humbjen e lidhjes tradicionale ndërmjet territorit, traditave dhe zakoneve të të ushqyerit.
Kultivimi i formave lokale dhe landracave të perimeve është zvogëluar dhe në zonat më të largëta, veçanërisht gjatë dekadave të fundit. Ato po humbasin me shpejtësi për shkak të përdorimit gjithnjë e më të kufizuar, shumëzimit dhe konservimit. Këta faktorë lidhen drejtpërdrejtë me humbjen e këtij burimi të vlefshëm gjenetik me kalimin e kohës. Gjithnjë e më pak fermerë që prodhojnë për konsum familjar, po kultivojnë këto forma dhe ruajnë stokun e farave nga viti në vit. Humbja e tyre është shkatërruese për rezervën e gjeneve të specieve të kulturave perimore, pasi gjenet që kanë evoluar gjatë mijëvjeçarëve janë duke humbur. Kontributet kryesore të landraceve në zhvillimin e varieteteve të reja të bimëve kanë qenë të lidhura me tipare për marrjen më të efektshme të lëndëve ushqyese dhe përdorimin si dhe gjenet për përshtatjen në mjediset stresuese, siç janë stresi i ujit, kripësia dhe temperaturat e larta. Kështu pra, kultivarët lokalë dhe landracet janë një burim i rëndësishëm gjenetik që lejon speciet e bimëve të përshtaten me efektet lokale të klimës dhe dëmtuesve dhe përfundimisht të japin rendimente të përmirësuara për një mjedis specifik, veçanërisht për disa lloje të kushteve stresuese. Burimet gjenetike të bimëve janë thelbësore për mbijetesën e ardhshme të njerëzimit dhe siguria ushqimore e ardhshme varet nga ruajtja e tyre.
Vitet e fundit, grupe të shumta të konsumatorëve kanë filluar një trend me orientim të ndryshëm nga tendenca e përgjithshme në zgjedhjen e ushqimit për ushqime sovrane, gjë e cila po çon në rimëkëmbjen e trashëgimisë tradicionale dhe përdorimin e sa më shumë kultivarëve të vjetër lokalë të perimeve të adaptuara tashmë me klimën e zonës. Në prodhimin bujqësor dhe industrinë agroushqimore, zhvillimi i produkteve vendore (tipike), përfshirë markat e cilësisë, mund të jetë një mbrojtje efektive e kultivarëve të vjetër lokalë të perimeve dhe ekonomisë lokale përkundrejt konkurrencës globale ku roli i ndërlidhjes midis territorit dhe produktit nuk mund të realizohet askund tjetër më mirë. Këtë trend po e shohim ne rrethinat e Tiranës, Korçës, Vlorës, Shkodrës, Lezhës etj.
Specialistët dhe teknikët bujqësorë që punojnë me prodhuesit e vegjël kanë konfirmuar strategjinë e përzgjedhjes së pronarëve të vegjël. Raportohet se ndërsa varietetet lokale dhe landracet kanë tendencë të kenë produktivitet më të ulët në vite me kushte të pafavorshme, krahasuar me hibridet komerciale, format lokale dhe landracet mund të jenë një strategji e sigurt për të vazhduar prodhimin edhe në vitet me parregullsi në sasi dhe frekuencë të reshjeve.
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve (IRGjB) në mbështetje të iniciativave bashkëkohore.
IRGJB dhe Banka Gjenetike e tij, vit pas viti po punon me partnerë dhe aktorë të tjerë publik dhe privat, për të lehtësuar procedurat dhe për t’u krijuar mundësi fermerëve në gjetjen e farave të kultivarëve lokalë, të përshtatura me kushtet lokale të tyre dhe kërkesat e industrisë ushqimore lokale me çmime të arsyeshme. Për të përmbushur kërkesën në rritje për alternativa të shëndetshme dhe miqësore me mjedisin, IRGJB me mbështetjen e UBT dhe të partnerëve të tjerë në vend, do të vazhdojë bashkëpunimin për të rritur përdorimin e kultivarëve të vjetër lokalë të domateve, specave, patëllxhanëve, sallatave, rukolave, etj (Fig 1, Fig 2, Fig 3, Fig 4, Fig 5, Fig 6, Fig 7, Fig 8), përmes fenotipizimit, gjenotipizimit dhe lokalizimit hartografik të germoplazmës së specieve të sipërcituara si dhe shumimit të kultivarëve të traditës që ruhen në Bankën Gjenetike Shqiptare.
Këto resurse gjenetike me vlera të mëdha potenciale ndaj ndryshimeve klimatike, janë të disponueshme për kërkime, për mbarështime dhe përdorim për ushqimin dhe bujqësinë. Thënë ndryshe, këto tipare të nevojshme për përshtatje me skenarët e ardhshëm të klimës, të pranishme në rezervën e gjeneve të specieve perimore që ruhen në bankën gjenetike të Tiranës, janë në dispozicion për të interesuarit.
Prof. Dr. Sokrat Jani
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.