David Todd McCarty - www.unsplash.com

Bishtajoret kokërr dhe ndikimi mbi jetën në planetin tonë

Bishtajoret kokërr janë lloje bimësh çudibërëse që rriten në çdo lloj kushti dhe klime që prej lashtësisë. Në këtë grup bëjnë pjesë specie bimore të përzemërta që kanë ekzistuar për miliona vjet. Bishtajoret rriten deri në rajone me klimë ekstreme të nxehtë dhe të ftohtë dhe gjenden në të katër anët e botës, me përjashtim të poleve dhe shkretëtirave jopjellore. Në to përfshihen grupe bimësh barishtore me ngjashmëri për nga vlerat ushqyese, agronomike dhe karakteristikat biologjike por edhe me veçori dalluese që burojnë nga vendorigjina dhe mjedisi ku rriten.

Emërtimi “bishtajore” është term bujqësor dhe botanik. Në bujqësi nën këtë emërtim përfshihen bimët barishtore njëvjeçare të kultivuara të cilat kanë frytin bishtajë me farat në trajta, madhësi e ngjyra të ndryshme. Në këndvështrimin botanik në këtë grup përfshihen bimë njëvjeçare dhe vetëpllenuese të familjes botanike të bishtajoreve (Leguminosae).

Termi “bishtajore kokërr” është i përcaktuar për bimët që vilen vetëm për kokrra të thata, gjë që i diferencon ato nga kulturat e tjera të perimeve që vilen kur janë ende të gjelbërta. Kokrrat janë farat e thata të ngrënshme që përdoren si ushqim për njerëzit dhe kafshët. Bimët formojnë dhe rrisin farat në frytin e njohur si “bishtajë”, ku mund të formohen deri në 12 fara për bishtajë që janë me larmi të lartë formash, madhësish dhe ngjyrash.

Bimët kanë lartësi të ndryshme, gjethe të përbëra, treshe, tekpendore ose çiftpendore sipas llojeve, kanë lule me kurorë në trajtë fluture, janë me ngjyra të ndryshme dhe frytin e kanë bishtajë. Rrënjët i kanë të pajisura me nyja/gunga, në të cilat rrojnë bakteret e gjinisë Rhizobium, specifike për çdo specie. Bakteret kanë aftësi të përvetësojnë azotin atmosferik në dobi të bimëve. Aftësia për fiksimin e azotit atmosferik në sistemin rrënjor të këtyre bimëve është shumë e lartë. (Figurat e fiksimit të azotit te bishtajoret).

Familja e bishtajoreve është shumë e gjerë dhe përfshin çdo bimë që rritet në bishtaja. Në bishtajoret kokërr, termi “kokërr” i referohet vetëm farës së thatë të ngrënshme brenda bishtajës. FAO aktualisht njeh 11 lloje bishtajoresh kokërr; a) fasulja e zakonshme (kokërrvogël), fasulja kokërrmadhe, bizelja, qiqra, thjerrëza (që përdoren kryesisht si ushqim për njerëzit); b) batha, bizelja foragjere, soja, lupini, burxhaku dhe koçkulla (që përdoren kryesisht për kafshët). (Fig. Grupi i Bishtajoreve dhe Bishtajoret për kokërr të thatë).

Me të drejtë sot thuhet: Bishtajoret janë aleati ynë i shijshëm në arritjen e sigurisë ushqimore, në zvogëlimin e kequshqyerjes dhe krijimin e një bote me “zero uri”.

Bishtajoret kokërr – ndikimi në jetën në planetin tonë

Bishtajoret kokërr janë bimë miqësore me mjedisin. Përveçse janë të mira për ushqim, bishtajoret kokërr janë edhe të mira për tokën. Ato janë kultura që rregullojnë azotin, thithin dhe e shndërrojnë azotin në ajër në një lëndë ushqyese të disponueshme të bimës. Ato zvogëlojnë nevojën për plehra azotike dhe përmirësojnë qëndrueshmërinë e sistemeve vjetore të korrjes.

Bishtajoret kokërr janë bimë të shëndetshme, kanë përfitime të dallueshme shëndetësore përveç bishtajoreve të tjera. Me përjashtim të sojës dhe kikirikut, bishtajoret kokërr në përgjithësi, kanë pak yndyrë dhe janë shumë të pasura në proteina dhe fibra. Kokrrat janë produkte të shëndetshme, të ushqyeshme, gatuhen lehtë dhe janë të pasura me lëndë të azotuara. Përmbajnë mjaft aminoacide sidomos lizinë dhe vitamina si A, Bt, D, E, PP, etj. Për shkak se janë kaq të shëndetshme, të ushqyeshme dhe të gjithanshme, produktet e bishtajoreve po bëhen gjithnjë e më tepër preferenca popullore, prandaj industria ushqimore në të gjithë botën po i përshin ato si “përbërës” në bukë, në petë, në antipasta të lehta dhe në ushqimet pa gluten.

Bishtajoret kokërr janë bimë për një bujqësi të qëndrueshme. Qindra varietete të ndryshme të bishtajoreve rriten në të gjithë globin. Gama e gjerë e variabilitetit të bishtajoreve kokërr, ka pikënisje vendorigjinën nga buron shkalla e lartë e përshtatshmërisë së tyre në sajë të bashkëveprimit gjenotip x mjedis. Ato kultivohen në të gjitha vendet e botës për prodhimin e kokrrës që përdoret në ushqimin e njeriut, si: fasulja, bizelja, thjerrëza, qiqra, soja, kikiriku dhe në ushqimin e përqendruar në blegtori siç janë batha, lupini, urovi, etj. Kultivimi i bishtajoreve promovon një bujqësi të qëndrueshme dhe të vjelat e tyre ndihmojnë në uljen e efektit të gazrave serë, rrisin shëndetin e tokës dhe përdorin më pak plehëra dhe ujë sesa kulturat e tjera.

Mënyrat e ndikimit të bishtajoreve në jetën tonë

Përdorimi i bishtajoreve ndikon në procesin e të ushqyerit. Kokrrat e tyre janë ndër më të ushqyeshmet në planet. Gjithashtu ato ofrojnë një nga investimet më të mira për zemrën dhe shëndetin e përgjithshëm të njeriut. Kultivimi i bishtajoreve ndihmon në zvogëlimin e gazrave serë dhe siguron thithjen e gazit karbonik të lartë, një ndër benefitet që i sjell planetit. Ndërkaq bishtajoret përmirësojnë pjellorinë e tokës dhe ushqejnë të korrat që mbillen pas tyre. Ndikimi nga përdorimi i bishtajoreve prek edhe sigurinë ushqimore. Ato janë një kulturë me kosto të ulët për fermerët, rriten në toka të thata dhe kanë jetëgjatësi në ruajtje

 

Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: