Gjinia Capillaria e cila përfaqësohet me rreth 250 lloje është gjinia më e rëndësishme e familjes Capillaridae. Kapilaridet janë krimba boshtorë të ngjashëm me anëtarët e tjerë të superfamiljes Trichuroidea si Trichuris, por me dallime të vogla në morfologjinë e skajeve të përparme dhe të pasme. Përbujtësit përfundimtarë të kapilarieve janë gjitarë, shpendë, zvarranikë dhe peshq. Megjithëse ato gjenden në gjitarë, disa lloje peshq dhe zvarranike, këto specie janë me rëndësi të madhe në shpendë. Vendet e lokalizimit në organizmin e bujtësit ndryshojnë midis llojeve dhe nuk kufizohen vetëm në sistemin gastrointestinal. Specie të rëndësishme përfshijnë C. annulata, C. anatis dhe C. contorta.
Kapilariet janë nematodë adenoforeatë shumë të hollë. Ata janë krimba filamentalë 15-25 mm të gjatë (meshkujt) dhe 35-80 mm të gjata (femrat).. Trupi i kapilarieve ndahet në pjesën ezofagale e cila është gjysma e gjatësisë së trupit të parazitit dhe nga pjesa postezofagale e cila përfaqëson pjesën tjetër të trupit. Cikli biologjik i kapilarieve mund të jetë me ose pa përbujtës të ndërmjetëm. Vezët e tyre janë të pasegmentuara. Ato kanë fryrjet karakteristike bipolare, por nuk janë të dalat në skajet e tyre.
Fryrjet karakteristike të vezëve janë me tendencë për nga brenda vezës. Vezët kanë dy membrana të trasha, ndërkohë që madhësia mund të ndryshojë midis specieve. Larvat zhvillohen në ambjentin e jashtëm 9-34 ditë pas daljes së vezëve me feçe në mjedisin e jashtëm. Vendlokalizimi i tyre tek përbujtësi varion në varësi të llojit. Kapilariet dëmtimet më të rënda i shkaktojnë në shpendë.
Kapilariet e shpendëve
Capillaria annulata Molin 1858. Gjithashtu e njohur si: Eucoleus annulata – Hairworms – Threadworms. Kjo specie prek shumë lloje të zogjve të egër, si dhe shpendë të zbutur, gjelat dhe rosat. Është shkaktar i kapilariozës së pulave dhe pulave të detit. Vend lokalizimi i shkaktarit është ezofagu dhe gusha e shpendëve. Krimbat e rritur janë të hollë. Kutikula e këtij nematodi në pjesën e parë të trupit formon një zgjerim specifik në formë bulbusi pas vrimës së gojës. Femrat janë dukshëm më të gjata se meshkujt. Është nga kapilariet më të mëdha dhe paraziti mashkull është 15-25 mm i gjatë, ndërsa femra është 38-70 mm. Vezët e Capillaria annulata janë 60-62 x 24-27 µ. Vezët kanë priza bipolare.
Krimbi i shiut është bujtësi i ndërmjetëm për këtë specie, duke e bërë ciklin jetësor të tërthortë. Vezët kalojnë në jashtëqitje dhe mjedis dhe shpejt merren nga bujjtësi i ndërmjetem, në këtë rast krimbat e tokës, ku larvat zhvillohen dhe kthehen në larvat infestive. Bujtësi përfundimtar merr krimbat e shiut të infestuar me larvat invasive. Në organizmin e tij larvat zhvillohen në parazitët e rritur. Zogjtë e rinj janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes. Të rriturit imunë mund të jenë transportues dhe rezervuarë të parazitit. Lokalizimi për këtë kapilarie është ezofagu i shpendit. Paraziti do të fusë pjesën e përparme në mukozën e ezofagut dhe kjo është arsyeja që shkakton inflamacion. Nivelet e larta të infestimit mund të rezultojnë me trashje të dukshme të murit të ezofagut dhe mund të jenë fatale për shpendin e prekur. Prania e këtyre krimbave në numër të ulët mund të jetë shkak i vonesës së futjes së shpendëve në prodhim, por në numër të madh mund të shkaktojnë dëmtime të rënda dhe ngordhje.
Capillaria contorta (Creplin, 1839) Travassos, 1915. Gjithashtu e njohur si Eucoleus contorta. Ashtu si tek C. annulate kjo specie gjendet në mukozë dhe submukozë në ezofag dhe gushën e shpezëve shtëpiake dhe shumë zogjve të egër. Është dhe shkaktari kryesor i kapilariozës së pulave të detit. Është vrejtur dhe në shpendët e egër sidomos në shpendët shtegtarë në të gjithë globin dhe vend lokalizimi i shkaktarit është gusha dhe ezofagu i këtyre shpendëve. Femrat kanë një zgjerim karakteristik të kutikulës përpara vulvës. Paraziti mashkull është nematod 12-15 mm i gjatë, ndërsa femra është 27-38 mm. Vezët e Capillaria contorta janë 46-60 x 21-28 µ. Si të rriturit dhe vezët e kësaj specie janë më të vogla, por morfologjia e përgjithshme mbetet e njëjtë.
Vezët embrionohen në tokë në 24-30 ditë pas daljes ne mjedis me fecet, por në kushte të papërshtatshme për embrionimin e tyre ato mbeten të qëndrueshme të paktën 15 muaj. Krimbat e tokës (Eisenia foetida, Allolobophora caliginosa, Lumbricus spp., Dendrobaena spp.) normalisht janë bujtësi i ndërmjetëm, por është e mundur që kjo specie të ketë dhe një cikël jetësor të drejtëpërdrejtë me vezën e embrionuar me L1 si fazë infestuese. Shenjat klinike janë të rralla në nivele të ulëta infestimi edhe pse mund të shoqërohen me një humbje në produktivitet. Ngarkesa e lartë e parazitëve në shpendë do të rezultojë në mënjanimin dhe aneminë dhe mund të jetë fatale. Shqetësimi primar epidemiologjik me këtë parazit është aftësia e tij për të pasur dhe një cikël jetësor të drejtpërdrejtë dhe kështu pavarësisht se zogjtë të mbahen brenda dhe larg bujtësit të ndërmjetëm mund të infestohen përsëri.
Capillaria obsignata Madsen 1945. Gjithashtu i njohur si Baruscapillaria obsignata dhe Capillaria columbae. Bujtësit përfundimtarë janë pulat, pëllumbat, gjelat dhe zogjtë e egër. Lokalizohet në zorrët e holla të shpendëve. Këta nematodë janë të ngjashëm me C. annulata, por të rriturit janë pak më të vegjël në rreth 10 mm gjatësi. Paraziti mashkull është 8,6-10 mm i gjatë, ndërsa femra është 10-12,7 mm. Vezët e Capillaria obsignata janë 48-52 x 27-30 µ. Cikli jetësor është i drejtpërdrejtë. Infestimi i shpendëve realizohet nëpërmjet marrjes së vezëve infestive. Vezët pastaj zhvillohen për të rriturit plotësisht riprodhues brenda bujtësit dhe nuk kërkojnë një fazë migratore. Periudha paraprake (prepatente) është 3 javë. Është shkaktari kryesor i kapilariozës në pëllumba dhe shpendët shtëpiakë në të gjithë botën. Paraziton në zorrët e holla të këtyre shpendëve dhe është shumë e përhapur anembanë globit.
Capillaria caudinflata (Molin 1858) Wawilowa, 1926. Gjithashtu i njohur si Aonchotheca caudinflata. Bujtësit përfundimtarë janë pulat, gjelat e detit, patat, pëllumbat dhe zogjtë e egër në Europë, Azi dhe Amerikë. Krimbat morfologjikisht janë shumë të ngjashëm me C. annulata. Është shkaktar i kapilariozës së shpendëve dhe vend lokalizimi i shkaktarit është duodeni dhe ileumi i shpendëve (zorrët e holla). Takohet shpesh dhe në pëllumba. Paraziti mashkull është nematod 9-14 mm i gjatë, ndërsa femra është 14-25 mm. Vezët e Capillaria caudinflata janë 43-57 x 21-27 µ. Krimbat e tokës janë bujtës të ndërmjetëm, dhe cikli jetësor është indirekt.
Capillaria anatis. Gjithashtu e njohur si Capillaria brevicollis, Capillaria retusa, Capillaria colaris, Capillaria anseris, Capillary mergi, Capillaria anatis. Prek pulat, gjelat, rosat dhe patat. Është parazit i përhapur në të gjithë botën. Lokalizohet në cecum dhe në zorrët e holla (rallë) të këtyre shpendëve. Të rriturit janë krimba filamentozë dhe femrat janë rreth 30 mm në gjatësi, dhe më të mëdha se meshkujt. Vezët janë pangjyrë dhe kanë një guaskë të jashtme të trashë. Cikli jetësor është i drejtpërdrejtë. L1 zhvillohet brenda vezës. Bujtësi infestohet kur me gëlltitje merr larvat ose vezët e infestuara dhe në zorrët e shpendëve pas fiksimit realizon 4 shëndrrime të një pas njëshme për tu kthyer në parazit të rritur. Periudha paraprake (prepatent) është 3-4 javë.
Capillaria bursata Freitas & Almeida, 1934. E njohur si Aonchotheca bursata dhe takohet kryesisht në pula, gjela deti dhe fasanë në Europë (Britani, Itali, Poloni, Turqi, Bullgari, vende të ish BRSS etj.) dhe Amerikë. Lokalizohet në zorrët e holla të shpendëve. Nuk është raportuar ende në shpendë në vendin tonë.
Perioda prepatente (periudha nga infestimi deri në vezën e parë në feçe) në kapilariet e shpendëve është specie-specifike:
Capillaria annulata = Eucoleus annulatus: 2 deri 4 javë
Capillaria bursata = Aonchotheca bursata: 3 deri 4 javë
Capillaria contorta = Eucoleus contortus: 6 to 8 javë
Capillaria caudinflata = Aonchotheca caudinflata: 3 to 4 javë
Capillaria obsignata: 3 deri 4 javë
Capillaria anatis = Capillaria retusa: ~4 javë
Kapilariet ne shpendë duke përjashtuar Capillaria obsignata dhe Capillaria anatis që zhvillohen me cikël të drejtëpërdrejtë pa përbujtës ndërmjetës të gjitha llojet e tjera të kapilarieve zhvillohen me përbujtës të ndërmjetëm. Përbujtësit ndërmjetës të kapilarieve janë krimbat e shiut të gjinive Eisinia, Allolobofora, Lumbrikus etj. Vezët zhvillohen kur temperaturat e mjedisit dhe lagështia mundësojnë zhvillimin e vezëve invazive. Për llojet e kapilarieve të cilat kanë përbujtës ndërmjetës krimbat e shiut vezët që merren prej tyre shndrohen brenda disa javësh në larva invazive brenda trupit te tyre. Infestimi i përbujtësve përfundimtarë ndodh me marrjen e vezëve invasive si në rastin e Capillaria obsignata dhe Capillaria anatis ose ushqimin me krimbat e tokës të infestuar me larvat invazive për llojet e tjera të kapilarieve. Tek kapilariet periudha e inkubacionit zgjat 21 ditë.
Nga kapilarioza preken më shumë shpendët deri në 4 muajsh. Capillaria annulata dhe Capillaria contorta janë speciet më të dëmshme në shpendë. Ata mund të dëmtojnë seriozisht gushën dhe ezofagun, sidomos në gjelat e detit, rosa, pata, pëllumba, fazanë, shpendët e egër, por edhe në pulat deri në 4 muajshe. Gusha dhe ezofagu bëhen të përflakur dhe të fryrë, gjë që mund të bëjë gëlltitjen e pamundur tek zogjtë e prekur. Viktimat janë të shpeshta në rastet e infestimeve të rënda. Speciet e kapilarieve të shpendëve që parazitojnë në zorrë hyjnë në vile dhe madje edhe në gjëndrat e zorrëve dhe në rast të infestimeve të rënda ato mund të shkaktojnë enterite dhe fibrozë.
Kapilariet të cilat vendlokalizohen në pjesën e parë të aparatit tretës shkaktojnë tek përbujtësi inflamacione kataralo-hemoragjike, vatra nekrotike dhe shpesh herë eksudime të tipit kataralo-purulent. Kapilariet të cila lokalizohen në zorrët e shpendëve shkaktojnë inflamacione kataralo- hemoragjike dhe përmbajtja e zorrës së shpendit gjatë ekzaminimeve anatomo patologjike mund të paraqesë ngjyrë rozë të errët të përmbajtjes së zorrës, trashje të mukozave dhe cipa difteroide. Kur paraziti është lokalizuar në gushë ose ezofag shenja më tipike e sëmundjes është vështirësia dhe në rastet e rënda pamundësia e marrjes së ushqimit. Kjo vrehet re më shumë në rastet e marrjes së ushqimeve të thata.
Duhet theksuar se oreksi i shpendit nuk prishet, po pamundësia e të ushqyerit bën që ushqimet të dalin sërish jashtë. Shpendët e prekur e mbajnë kokën lart dhe përpiqen të bëjnë gëlltitje të vazhdueshme. Nga pamundësia e ushqimit vrehen kasheksitë, vonesat në rritje, anemi dhe shpesh herë dhe ngordhje. Kur kapilariet janë të lokalizuara në zorrë vrehet anoreksi, dobësim progresiv, diare me përmbajtje gjaku e cila më vonë bëhet diare e ujshme etj. Në rastet e kapilariozave kronike vrehet re vetëm vonesat në rritje, pakësimi i shtimit në peshë dhe ulje e ndjeshme e prodhimtarisë së vezëve. Shenjat klinike mbizotëruese, kryesisht në zogjtë e vegjël janë diarre (mukozë ose madje edhe lëng), anemi, apati, pupla të zbehura, humbje e oreksit dhe peshës, zvogëlim i prodhimit të vezëve etj. Rosat dhe patat e prekura mund të mos notojnë siç duhet.
Diagnoza klinike përkon me vlerësimin e diaresë së ujshme ngjyrë trëndafili, vështirësisë së gëlltitjes dhe shenjave të tjera të sindromit të nën prodhimtarisë. Diagnoza bazohet në zbulimin e vezëve tipike në fece dhe/ose në identifikimin e krimbave në vendet e tyre të lokalizimit pas nekropsisë. Diagnoza koproskopike konfirmon sëmundjen dhe ka të bëjë me gjetjen e vezëve të kapilarive në feçe. Për diagnozën koproskopike përdoret metoda e notimit. Diagnoza anatomo-patologjike përkon me gjetjen e parazitit të rritur në shpendë gjatë nekropsisë. Antihelmintikë të shumtë me spektër të gjerë janë efektive kundër kapilarieve si p.sh. disa benzimidazole (albendazole, fenbendazole, flubendazole, mebendazole, oxfendazole, etj), levamisole, si dhe laktonet makrociklike (p.sh. ivermektina).
Disa komponime me një spektër më të ngushtë janë gjithashtu efektive kundër këtyre krimbave, p.sh. derivate piperazine dhe pirantel. Terapia praktike kundër kapilarideve në shpendë konsiston në përdorimin e febendazolit 8-10 mg për kg peshë për 6 ditë rrjesht, levamisolit 30 mg për kg p-gj në ushqim ose ujë, tetramisolit 250 -600 mg/litër ujë 1-2 ditë dhe mebendazolit 30 mg/kg/p/gjallë për 3 ditë në ushqim. Për përdorim në shpezë, këto përbërës aktivë zakonisht janë të disponueshëm si aditivë për ushqim ose ujë të pijshëm, rrallë si injeksione ose tableta (kryesisht për trajtimin e shpendëve të vetmuara). Shumica e këtyre medikamenteve vrasin krimbat menjëherë pas trajtimit dhe metabolizohen shpejt dhe ekskretohen brenda disa orëve ose ditëve. Kjo do të thotë se ata kanë një efekt të shkurtër të mbetur, ose asnjë efekt mbetës. Si pasojë, shpendët e trajtuara janë shëruar nga krimbat, por nuk mbeten të mbrojtura kundër infeksioneve të reja.
Për të siguruar që ato të mbeten pa krimba, shpendët duhet të jenë të trajtuara në mënyrë periodike, në varësi të kushteve lokale epidemiologjike, ekologjike dhe klimatike. Për të ruajtur kondicionin dhe prodhimtarinë e shpendëve prej kapilarideve duhet bërë kontroll i herë pas hershëm i feçeve të gjitha llojeve të shpendëve për gjetjen e vezëve të kapilarieve. Duhen zbatuar masat higjenike në stallat e shpendëve. Duhet të kryhet ndërrimi i herë pas hershëm i shtresës së stallave. Duhet eleminuar lagështia në stallat e shpendëve. Duhet parandaluar ushqimi i shpendarisë me krimbat e infestuar dhe me larvat invazive të kapilarieve.
Për të parandaluar ose të paktën të reduktuar infestimet prej kapilarieve rekomandohet që të mbahen shtresat e zogjve sa më të thata dhe të ndryshojnë shpesh, sepse zhvillimi i vezëve të krimbave ka nevojë për lagështirë. Higjena e rreptë e ushqyesve dhe pirësve është një domosdoshmëri për të shmangur ose zvogëluar ndotjen e tyre me vezë invazive të kapilarieve. Rekomandohet gjithashtu rotacioni i kullotave. Për zogjtë që mbahen jashtë është e këshillueshme që të kufizojnë qasjen e tyre në mjedise të lagështa ku krimbat e tokës zakonisht janë më të bollshëm. Të gjitha këto masa janë veçanërisht të rëndësishme për zogjtë e vegjël, të cilët ka gjasa të vuajnë më shumë nga infestimet e kapilarieve.
Deri më tani asnjë vaksinë nuk është në dispozicion kundër kapilarieve. Kontrolli biologjik i kapilarieve (duke përdorur armiqtë e tyre natyrorë) nuk është aq e realizueshme. Ndërkohë që nuk ka asnjë raport mbi rezistencën e konfirmuar të kapilarieve ndaj antihelmintikëve. Kjo do të thotë që nëse një antihelmintik nuk arrin të arrijë efikasitetin e pritshëm kundër kapilarieve ne shpendë, ka shumë të ngjarë që produkti të jetë i papërshtatshëm për kontrollin e këtyre krimbave ose është përdorur gabimisht.
Prof. Asoc. Dr. Bejo Bizhga
Departamenti i Moduleve Paraklinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.