Karakteristikat botanike
Fiku (Ficus) bën pjesë në gjininë Ficus dhe i takon familjes Moraceae. Njihet fiku i kultivuar ( ficus carica L) dhe fiku i egër (Ficus caprificus) i cili nuk jep fruta të ngrënshëm por shërben për të realizuar ciklin biologjik të fikut; mame, profig, mammone, procesin e pjalmimit.
Pema e fikut jeton gjatë, deri në 100 vjet. Ajo fillon të frutifikojë pas tre vjetësh por në varësi të varietetit dhe kushteve agronomike dhe klimatike. Fiku rritet në formën e pemës por dhe në formë shkurre, në varësi të varietetit dhe terrenit. Sistemi rrënjor është i fuqishëm dhe ka tendencë t’i përhapë rrënjët dhe t’i shtrijë në gjerësi dhe thellësi e kjo bën të jetë rezistent ndaj thatësirës dhe pa kërkesa të veçanta agronomike. Qafa e rrënjës ka aftësi të lëshojë fundake. Nën lëkurë formohen sferoblaste, formacione drunore me rezerva ushqimore. Lëkura e trungut është në ngjyrë gri dhe e lëmuar dhe kjo bën që të dallohet shumë lehtë si pemë.
Gjethet e fikut janë në forma të ndryshme, tipe të ndryshme, me karakteristika të ndryshme sipas varietetit (T. Koka, 2010, Fig Germoplasm in Albania, Monography) dhe me madhësi të ndryshme (variojnë nga të vogla, mesatare dhe në të mëdha). Gjethet janë me ngjyrë jeshile të errët në sipërfaqe dhe në pjesën e poshtme të gjethes me ngjyrë jeshile të çelët. Ato janë të ashpra.
Sythat e fikut ndahen në të zakonshme dhe mitake. Sythat lulore formohen në sqetullat e 3-4 gjetheve të sipërme të lastarit. Drunoret janë gjithmonë sqetullore e të vendosur bashkë me lulore. Kur janë të vendosur bashkë me luloret, rregullisht ato nuk çelin. Sythat e përzierë zakonisht ndodhen në majë të lastarit, kanë formë konike e ngjyrë si ajo e frutit të bardhë. Sytha të përzierë ka dhe në majë.
Lulet e fikut janë unikale në llojin e tyre. Luleria është e mbyllur. Luleria është një e vetme dhe quhet sikon (Fik). Ajo vendoset në sqetullën e gjetheve. Në pjesën e poshtme të fikut gjendet një vrimë e vogël në formën e syrit dhe quhet ostiol. Nëpërmjet këtij syri ostiolit realizohet pjalmimi. Fiku është bimë dioike, ka lule femërore me stil të gjatë. (R. Osmani, T. Koka, 2004).
Fiku shtohet me copa të drunjëzuara me gjatësi rreth 25 cm, kryesisht nga lastarët dyvjeçare. Rrënjëzohen në kushte të ndryshme si në serë, në qese plasmasi ose direkt në një kanal të hapur, duke i vendosur në rresht kalemat.
Prof. Ass. Dr. Tatjana Koka
Përgjegjëse për pemët frutore, farore dhe sub-tropikale, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.