wuzefe - www.pixabay.com

Veçoritë agronomike dhe fiziko-kimike të bishtajoreve kokërr

Veçoritë agronomike

Bimët bishtajore kanë përmbajtje të lartë në proteina të tretshme, si në kokërr ashtu edhe në pjesët e tjera të bimës. Bimët e këtij grupi megjithëse janë në të njejtën familje, paraqesin vlera të larmishme agronomike.

Ato shfaqin ndryshime lidhur me kërkesat ndaj faktorëve të rritjes dhe zhvillimit, janë me periudhë bimore të shkurtër, mbillen në vjeshtë dhe në pranverë, nuk kanë shumë kërkesa për tokën dhe e lirojnë tokën herët, cilësi që i bëjnë këto bimë mjaft të përshtatshme për kohështrirjen e mbjelljeve, sidomos për zonat kodrinore dhe malore.

Bishtajoret janë mjaft të përshtatshme për qarkullimet bujqësore, janë parabimë shumë të mira për të gjithë bimët e tjera sidomos për të lashtat. Nuk kanë kërkesa të larta për tokën ku kultivohen. Kështu thjerëza dhe qiqra kultivohen me efektivitet të kënaqshëm në toka me pjellori të ulët dhe mbi ujë, ndërsa në toka skeletike dhe me prirje acide preferohet lupini, në toka bazike batha, qiqra dhe thjerza, ndërsa fasulja dhe soja në toka me reaksion neutral.

Bishtajoret kokërr si bizele, koçkull, fasule, thjerrëz, qiqër, etj., pëlqehen në qarkullimin bujqësor sepse ato thyejnë/prishin ciklet e sëmundjeve dhe të dëmtuesve, përmirësojnë diversitetin dhe aktivitetin mikrobial të tokës, përmirësojnë agregimin e tokës, ruajnë lagështinë tokësore dhe sigurojnë diversitet ekonomik produktesh. Bishtajoret, si bimë, përmirësojnë pjellorinë e tokës dhe krijojnë kushte për rritjen e rendimenteve të bimëve pasardhëse.

Veçoritë fiziko-kimike: Bimët bishtajore ndihmojnë në përmirësimin fiziko-kimik dhe biologjik të tokës. Sistemi rrënjor boshtor i tyre, me degëzime të shumta, shkon thellë në tokë dhe ndihmon në shkrifërimin fizik dhe agregimin strukturor të tokës, rrit përshkueshmërinë e ujit, shkrifërimin dhe ajrimin e tokës në përgjithësi. Nëpërmjet sistemit rrënjor bimët bishtajore tërheqin nga thellësitë e tokës drejtorganeve mbitokësore, elementë të rëndësishëm si kalçiumi, fosfori, etj., duke ndihmuar qarkullimin e elementëve ushqyes në profilin tokësor.

Bishtajoret kokërr – ndër bimët më miqësore me tokën

Aftësia azotfiksuese: Bishtajoret kokërr janë bimë të mira dhe miqësore me tokën. Bimët bishtajore rregullojnë azotin në tokë pasi kanë aftësinë të shndërrojnë azotin në ajër në lëndë ushqyese të disponueshme për bimën në tokë. Në këtë mënyrë, bishtajoret zvogëlojnë nevojën për plehra azotike dhe kontribuojnë në zvoglimin e nivelit të kimizimit të tokës nga plehrat. Aktiviteti azotfiksues i bishtajoreve kokërr promovon një bujqësi të qëndrueshme dhe përmirëson qëndrueshmërinë e sistemeve vjetore të vjeljes së prodhimeve.

Bimët bishtajore kanë aftësi të lartë në tërheqjen dhe fiksimin e azotit atmosferik në sistemin e tyre rrënjor në tokë. Vlerat e azotit lehtësisht të asimilueshëm që mbetet nga këto bimë (sidomos lupini dhe batha) arrijnë rreth 50-100 kg për ha.

Në përgjithësi bimët bishtajore ndikojnë në uljen e efektit serë të gazrave, ndihmojnë në thithjen e gazit karbonik të lartë, përdorin më pak plehra dhe ujë se kulturat e tjera, rrisin shëndetin dhe përmirësojnë pjellorinë e tokës dhe të korrat që mbillen pas tyre, janë kultura me kosto të ulët për fermerët, mund të rriten në toka jo pjellore e të thata dhe prodhimet kanë jetësi të gjatë të ruajtjes.

Kontrolli i erozionit: Bishtajoret me sistemin e tyre rrënjor të shtrirë ndihmojnë për të kontrolluar erozionin e tokës. Bishtajoret sigurojnë mbulesë vegjetative të shkëlqyer. Mbulesa vegjetative mbitokësore që lidhet si rrjetë me gremçat që formohen, ngadalëson shpejtësinë e lëvizjes së ujit dhe gërryerjen e tokës. Mbulesa vegjetative ngadalëson forcën goditëse të shiut, ndihmon në zvogëlimin e erozionit të tokës që shkaktojnë reshjet intensive, rrjedhjet sipërfaqësore të ujit etj.

 

Prof. Dr. Belul Gixhari
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: