Vajza që ndërton varka


Burimi video: Top Channel

Nga sot deri në datën 6 qershor, në Majorka të Spanjës organizohet Panairi i Jahteve.  Në të marrin pjesë individ dhe kompani prodhuese të fushës së detarisë nga e gjithë bota.

Këtë vit për herë të parë merë pjesë edhe Shqipëria dhe përfaqësohet nga një… grua!

Genta Ahmeti njihet si vajza e parë që ndërton varka në Shqipëri dhe pjesëmarrjen e saj në këtë panair e konsideron si një sukses personal, por edhe një kënaqësi pasi përfaqëson vendin tonë në një fushë jo shumë të prekur nga gratë.

“Aktualisht me kompaninë tonë ne po marrim pjesë në panairin e jahteve në Majorka, Spanjë. Është diçka pozitive për ne sepse po marrim pjesë në shoh të dedikuar tregut detar dhe të përfaqësohesh në europë për ne është një hap i madh.

Ajo që ka rëndësi është se sa do pak tregu evropian po njihet me një produkt shqiptar dhe me punën tonë.

Normalisht nuk është e lehtë të konkurrosh me kompani të mëdha dhe mbi të gjitha të them që nga një vend i vogël është një grua që po përfaqëson”- i tha Ahmeti gazetës Dita mbi këtë pjesëmarrje të veçantë.

Shqipëria nuk është vetëm ajo e politikës, në vendin tonë gjen njerëz të cilët i përkushtohen zanateve që nuk janë fortë të dukshëm, nuk reklamohen gjithandej, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë.

“Ndihem krenare për punën tonë dhe për faktin që përfaqësoj dhe atë Shqipëri që kemi harruar që ekziston jashtë politikës”- shprehet Genta, e emocionuar për pjesëmarrjen e saj në këtë panair.

Kush është Genta Ahmeti

Ajo e kalon ditët duke gdhendur drurin e duke i dhënë atij formën që do. Genta Ahmeti nuk është rastësisht një inxhiniere e përpunimit të drurit. “Shkollën” e parë në këtë drejtim ajo e ka bërë qysh fëmijë kur bënte sikur ndihmonte babain në ndërtimin e shtëpisë së tyre, kur ishte vetëm 7 vjeç. Me një talent të trashëguar dhe sy të stërvitur, Genta sot nuk bënë punë normale me dru, por ajo ndërton varka.

-Genta, ju keni studiuar në degën e Përpunimit të Drurit apo jo?

Po, unë kam përfunduar Universitetin Bujqësor, Degën e Përpunim Drurit në Fakultetin e Shkencave Pyjore. Babai im është inxhinier dhe unë jam rritur duke luajtur me drurin. Për mua druri përbente një emocion të veçantë, prandaj kjo bëri dhe zgjedhjen time. Dëshiroja që një ditë edhe unë të mund të krijoja art me drurin

-Domethënë e paskeni pasur rrugën të diktuar nga familja, në një farë mënyrë?

Gjërat nisen duke luajtur, të ngulësh një gozhdë, të hapësh një vrime apo të pastrosh një sipërfaqe. Duke luajtur t’i ndien aromën e drurit dhe pa e kuptuar fokusohesh te ajo dizenjo karakteristike për çdo lloj druri dhe për çdo copë. Në moshën 8-9 vjeç ndërkohë që babai im në një pjesë të oborrit tonë ndërtonte shtëpinë prej druri, unë isha ndihmësja e tij. Ndërkohë që shtëpia merrte formë dhe ngrihej para syve të mi për mua ishte sikur të kisha ndërtuar një kështjellë edhe pse isha thjesht një fëmijë që po ndihmonte. Kjo ndikoj te profesioni që për mua është më shumë pasion dhe në atë orientimin tim e të bërit art dhe gjera sa më të bukura me dru.

-Kam pas gjithmonë përshtypjen se të punosh me drurin është antistres, si është për ty, marrëdhënia me drurin?

Druri është vërtet antistres. Për mua është të merresh me diçka të gjallë. Druri ka ngjyrë, shije dhe aromë natyrale në çdo moment por mbi të gjitha druri merr frymë. Për mua çdo copë druri në bazë të formës që ka me lë të kuptoj se çfarë objekti apo orendi do të jetë. Edhe pse tashmë jam e rritur, me drurin unë vazhdoj të luaj.

-Nuk kisha dëgjuar më parë për një vajzë që ndërton varka. Duket më shumë punë për burra. Si e përballoni?

Në fakt është e vërtet të ndërtosh mendohet gjithnjë si punë që mund t’i bëjnë vetë burrat, por ka gjëra që edhe dora e një femre mund t’i bëj shumë mirë. Ndërtimi i një varke është punë aq sa fizike edhe mendore. Procesi i punës është i ndarë në 3 faza të cilat një femër me kujdesin që tregon mund t’i bëj shumë mirë. Në fillim është projekti që lexohet dhe zbërthehet në çdo detaj, më pas është krijimi i maketit dhe shablloneve. Faza përfundimtare është ndërtimi i varkës në përmasat e sakta me materiali e përcaktuar. Duke qenë se puna është e ndarë në detaje të vogla dhe duhet shumë kujdes, për mua është diçka që vërtet bëhet me kënaqësi. Ajo që mendoj është se kur gjërat bëhen me kënaqësi dhe plot pasion nuk ndihen lodhje apo vështirësi.

-Që të ndërtosh anije besoj duhet të kesh informacione shtesë rreth mënyrës së si funksion, cila është marrëdhënia juaj me këtë mjet?

Jo vetëm për të bërë varka e anije prej druri por unë do të thosha që në çdo profesion duhet të jesh gjithnjë duke mësuar. Për mua studimi nuk ishte thjesht të përfundoja studime e përpunoja diplomën, por është në vazhdimësi. Për të qenë gjithnjë sa më e përgatitur në çdo hap më duhet të studioj thuajse çdo ditë. Tashmë varkat janë bërë pjesë e imja.

-E kujtoni punën e parë në këtë drejtim, si jeni ndjerë?

Në fakt unë prej vitesh kam punuar me mobilierin dhe ndërkohë studioja për të ngritur një varkë. Puna e parë ka filluar përpara 6 vitesh. Ishte aq sa emocionuese sa edhe diçka që konsiderohej absurde. Një varkë që po ndërtohej në periferi të kryeqytetit dhe jo pranë detit.

-Ju keni vite që merreni me këtë punë, çfarë keni mësuar prej këtij profesioni?

Kam mësuar shumë por dhe kam ende për të mësuar shumë nga kjo punë. Duke qenë se ka gjithnjë detaje për të përmirësuar apo informacione historike për të mësuar, studimi është çdo ditë.

-A ju është “kalitur” durimi?

Durimi është një pjesë, është kalitur ndër vite. Tashmë të merresh me varkat ka durimin tim maksimal. Kjo është një gjë që edhe të relakson në të njëjtën kohë.

Burimi: http://www.gazetadita.al

koment

Na Ndiqni në: