Të rinjtë e të rejat që do të jenë pjesë e skuadrave sportive të UBT-së, në disiplina të tilla si volejboll për femra, basketboll për meshkuj e minifutboll për meshkuj patën sot një takim me drejtues të këtij institucioni e përfaqësues të Zyrës së Karrierës. Studentet/ët e UBT-së të cilët zgjodhën vullnetarisht të jenë pjesë e këtyre skuadrave,falë edhe mbështetjes së universitetit, do të marrin pjesë në
kampionatin kombëtar universitar për kategoritë e sipëpërmendura sportive.
Pjesë e këtyre skuadrave janë studente/ë nga të gjitha fakultetet e UBT-së e përkatësisht nga FBM, FMV, FBU, FSHP e FEA.
Dritan Kampionati nga Zyra e Karrierës, saktësoi se kampionati do të zgjasë 5 javë, përgjatë ditëve të marta dhe javën e gjashtë do të zhvillohet ndeshja finale e këtij kompeticioni. Ai konfirmoi gjithashtu se ka mundur të sigurojë edhe kostumet e sportistëve të UBT-së, uniforma të cilat janë mundësuar nga Bashkia e Tiranës, Federata e Sporteve Universitare dhe shoqëruar edhe me logon e UBT-së gjithashtu.
Ndërkaq Rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku duke i inkurajuar të rinjtë e të rejat për këtë inisiativë, si një mundësi e mirë dhe në dobi jo vetëm të universitetit por edhe secilit prej tyre për vetë të mirat që sjell sporti, shprehu mbështetjen e tij në emër të institucionit që drejton për gjithçka u nevojitet atyre.
Gjithashtu duke u uruar suksese e fitore në këtë rrugëtim, Prof. Sallaku u bëri thirrje të rinjve e të rejave që ta shijojnë pjesëmarrjen në këtë kampionat dhe të mos dekurajohen cilido të jetë rezultati, pasi sipas tij rëndësi ka pjesëmarrja.
Ndër të tjera, në kuadër të inkurajimit dhe të përfshirjes së të rinjve në aktivitete sportive, Rektori Sallaku sugjeroi edhe ideimin e një minikampionati brenda vetë Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kampionati kombëtar universitar i sporteve starton nesër në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” me pjesëmarrjen e të gjitha universiteteve në vend.
Aktiviteti organizohet nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar e cila është përgjegjëse për organizimin dhe qeverisjen e garave sportive në nivel rajonal dhe kombëtar për studentët (atletët) midis moshës 17 dhe 28 vjeç.
Misioni i FSHSU-së është ti ofroje institucioneve të arsimit të lartë mundësinë për të forcuar rolin e sportit në universitete për të mirën e studentëve dhe të komunitetit.