TEMPERATURAT E ULËTA DHE KAFSHËT E PRODHIMIT

TEMPERATURAT E ULËTA DHE KAFSHËT E PRODHIMIT

Jashtë është ftohtë. Por edhe Brenda duhen marrë masa që të bëjmë ngrohtin. Pra, është ftohtë, është stina për këtë…. Por, ftohtë nuk ke vetëm ti. Nëse temperaturat zbresin nën -5 gradë Celcius, edhe kafshët e fermës tënde do të ndikohen ndjeshëm nga i ftohti. Ndaj, është koha që të merren disa masa të domosdoshme në mënyrë që të shmangën problemet shëndetësore të tyre. Për të ruajtur shëndetin e kafshëve edhe në këtë periudhe mjaft të ftohtë (deri në të acartë) duhet të merren disa masa paraprake për kujdesin ndaj kafshëve. Është e rëndësishme që të ndiqen disa këshilla e të merren disa masa të tjeshta por që kanë ndikim shumë të madh në ruajtjen e shëndetit të kafshëve:

  • Qënroni vazhdimisht të informuar lidhur me parashikimin e motit. Masat që do të ndërmerrni para rënies së ndjeshme të temperaturave janë gjithnjë më efikase se sa ato që do të ndërmerrni pasi ka ndodhur rënia e temperaturave!
  • Siguroni bar të thatë në racionin ushqimor të kafshëve sidomos gjatë mbrëmjes më qëllim që të nxisni procesin e ripërypjes, sikurse dhe herët në mëngjes kur temperaturat janë shumë të ulta. Tashmë, siç edhe dihet, ripërtypja shoqërohet me çlirim të gazrave dhe mbajtjen aktive të organizmit që nxisin mbajtjen ngrohtë të trupit të kafshës. Në këtë rast ju rekomandojmë që gjatë planifikimit të bazës ushqimore, të përllogarisni një rezervë apo shtesë prej rreth 20% të sasisë së barit të thatë që konsumohet normalisht në fermë, rezervë e cila do t’ju vijë në ndihmë në ditët tepër të ftohta!
  • Siguroni hyrjen e kafshëve në periudhën e dimrit me një kondicion të mirë trupor. Ju rekomandojmë të mbani një kondicion ndërmjet 5-6 pikë, ku 1 është kondicioni i lopëve tepër të dobëta dhe 9 është kondicioni i lopëve tepër të dhjamosura!
  • Në rastin e mbajtjes së kafshëve në rregjimin stallor, mundësoni lëvizjen e rregullt të kafshëve në oborrin jashtë stallës, duke bërë kështu eliminimin e problemeve që mund të shkaktohen nga mungesa e ventilimit, ndër të cilat janë sëmundjet e frymëmarrjes (respiratore) si pneumonia!
  • Një kujdes tepër i veçantë duhet treguar për të sapo lindurit. Ruajini ambjentet e marteniteteve nga rrymat e ftohta ajtore, siguroni një mjedis me temperatura optimale si dhe ventilimin e pastërtinë e duhur për parandalimin e pneumonisë dhe diarresë!
  • Siguroni pastërti dhe higjenë në stallë duke pastruar jashtëqitjet e kafshëve në mënyrë të rregullt!
  • Siguroni ujë të mjaftueshëm, të pastërt e në temperaturën e duhur. Duke siguruar ujë të vazhdueshëm edhe kur temperaturat zbresin nën pikën e ngrirjes, ju i mbani kafshët në gjendje aktive!
  • Siguroni mbajtjen pastër të mjediseve nga balta, pasi ajo jo vetëm krijon problem me thundrat e kafshëve, por njëkohësisht pengon qëndrimin ngrohtë të kafshëve kur trupi i tyre ndotet dhe ndikohet nga balta!
  • Gjatë periudhës me temperatura të ulta kushtojini vëmendje kafshëve barrëse. Ndiqni protokollet e duhura së bashku me veterinerin, mbajini kafshët barrëse në gjendje sa më të mirë shëndetësore gjatë dimrit, duke siguruar njëkohësisht edhe suplemente ushqimore!
  • Siguroni rehatinë e kafshëve. Siguroni një shtrat të rehatshëm e të pastërt, gjë që mundëson reduktimin e stresit tek kafshët. Mbajtja e shtratit të pastërt e të thatë, ul ndikimin e motit të ftohtë. Bëni kujdes me lopët që milen gjatë periudhës së dimrit, ato duhet të mbahen nën kontroll të vazhdueshëm për dëmtime të thithave të gjirit. Ju rekomandojmë të përdorni kremëra për kurimin e plagëve të mundëshme të thithave dhe gjirit. Njëkohësisht kushtojini vëmendje kurimit sa më të shpejtë të plgëve në pjesë të tjera të trupit!
  • Merrni masa që të riparoni paraprakisht dëmtime të ndryshme të stallës, qofshin edhe të vogla: plasaritje të dyerve, ndonjë pikë të çatisë, rrjellje të çesmave, apo bllokim të tubave të shkarkimit (sidomos ato mekanizmat e pastrimit të jashtëqitjeve), në mënyrë që të shmangen problematikat!
  • merrni të gjitha masat që të keni balancën e duhur ushqimore, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për kripërat e nevojshme për një metabolizëm sa më normal të kafshëve!

Një nga aspektet shumë të rëndësishme janë viçat apo edhe në vijim të periudhës edhe qengjat e kecat të cilët kalojnë faza delicate të jetës së tyre. Në këtë stinë ata mund të preken kryesisht nga ftohja dhe diarreja. Për ta mënjanuar këto problem, rekomandohet që të merren masat sin ë vijim: i) mënjanoni ndryshimet e mëdha të temperaturës në stallë; ii) evitoni dhënien e ushqimeve të ngrira; iii) kur shfaqet ftohja thërrisni sa më shpejt mjekun veterinar; iv) jepuni viçave qumështin në temperaturën që e marrin atë nga nëna; v) enët që u jepet qumështi duhet të pastrohen rregullisht, duhet tu jepet sasia e nevojshme për çdo shujtë sipas nevojave; vi) respektoni rregullat higjeno-sanitare në të ushqyerit e viçave duke pasur parasysh se në këto ditë të ftohta racioni ditor duhet të rritet me 10-15 % më tepër për të përballuar të ftohtit; vii) kini kujdes nga bari dhe kashtërat e mykura pasi shkaktojnë intoksikim, diarre dhe ulje të shtesës peshës.

Të gjitha këto masa, duhet të jenë në qendër të vëmendjes së fermerave që mbarështojnë kafshët, si nga ata amatorë e me pak krerë, e deri tek pronarët apo menaxherët e stallave me shumë krerë. Në këtë fazë, ka shumë rëndësi të mabahen kontaktet dhe të rriten konsultat me specialistët e zooteknisë dhe të veterinarisë, në mënyrë që të ruahet jeta e kafshës, por edhe niveli i rpodhimtarisë në nivele sa më të mira.  

Na Ndiqni në: