Speci Kurube i Dibrës

Kultivari i specit Kurube i Dibrës (Specia: Capsicum annuum) njihet dhe kultivohet prej më shumë se 100-120 vjetësh. Fara e tij është mbajtur, ruajtur dhe trashëguar ndër breza nga bahçevanët. Aktualisht zë më pak se  1-2 % të sipërfaqes së mbjellë me spec në zonë, duke u bërë kështu një kultivar autokton i rrallë.

Bimët e këtij produkti kanë trup relativisht të ulët 50 – 60 cm,  kërcell të trashë dhe me degëzim mesatar, me qëndrim gjysmë të hapur. Ato kanë gjethe me formë eliptike – vezake, të mëdha dhe me ngjyrë të gjelbër mesatare. Kjo lloj bime prodhon 9-10 fruta për bimë. Kanë formë blloku, me 3-4 brinjë dhe peshë mesatare 100-110 g. Nëse përshkruajmë procesin e pjekjes teknike, rezulton se ato kanë ngjyrë të verdhë të fildishtë, kurse në atë biologjike shfaqin ngjyrë të kuqe në portokalli. Fryti, në përgjithësi ka tre fole, por ka raste kur është edhe me katër fole të farërave. Tuli është i trashë dhe i ngjeshur. Është spec i ëmbël, i lëngshëm dhe me shije të mirë. Frutat e para arrijnë në pjekjen teknike pas 75-80 ditësh nga mbjellja e fidanëve në fushë.

Kultivimi i specit Kurube

Farat e këtij speci mbillen në farishte në gjysmën e dytë të shkurtit dhe fidanët në fushë rreth datave 10-15 maj. Prodhimi fillon në fund të muajit korrik dhe vazhdon deri në ngricat e para të vjeshtës. Përsa i përket rendimentit, ky proces varion në rreth 30-35 kv/dynym.

Veçantitë pozitive të specit Kurube kanë të bëjnë me: qëndrueshmëri të mirë ndaj sëmundjeve dhe ndjeshmëri të ulët ndaj streseve abiotike (njollosja diellore, temperaturave të ulëta dhe të larta). Përsa i përket veçorive negative, speci kurubi ka fruta uniformë.

Ky kultivar gjen përdorim të gjerë. I freskët, ai përdoret në sallata dhe gatime të ndryshme, por gjen hapësira dhe për përpunim, për konsum në familje dhe për tregun lokal.

Vlen të përmendet edhe çështja e riskut për këtë produkt. Para viteve 1990-të, speci kurube mbillej në sipërfaqe mbi 25-30 hektarë. Por me futjen e farërave të importit po mbillet gjithnjë e më pak dhe vetëm në pak kopshte familjare; pra është në rrezik zhdukjeje.

 

Prof. Dr. Sokrat Jani
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: