Si të reduktojmë shpërdorimin e ushqimeve?

Si të reduktojmë shpërdorimin e ushqimeve?

Një ndër problemet më madhore dhe serioze që shoqëron botën e industrializuar dhe moderne është humbja dhe shpërdorimi i ushqimit.  Në vitin 2011, FAO vlerësoi se rreth 1/3 e ushqimit në botë, ose rreth 1.3 billion ton, humbet ose shpërdorohet çdo vit. Megjithatë, akoma dhe sot shumë pak ka ndryshuar në lidhje me perceptimin global të problemit si një shqetësim të madh publik. 

Për shumë njerëz në planet, ushqimi është i dhënë. Por për rreth 820 milionë njerëz të uritur, ushqimi është luks. Për më tepër, shpërdorimi i ushqimit nënkupton humbjen e parave, punës dhe burimeve si p.sh energjia, toka dhe uji që shkojnë në prodhimin e tij, si dhe rrit emetimet e gazeve serrë dhe përkeqëson ndryshimevet klimatike.

Ekzistojnë dy kategori kryesore të ushqimeve të shpërdoruara: humbja e ushqimit dhe mbetjet e ushqimit. Humbja e ushqimit është kategoria më e madhe dhe përfshin çdo ushqim të ngrënshëm që nuk konsumohet në asnjë fazë të zinxhirrit të shpërndarjes. Përveç ushqimit që nuk hahet në shtëpi dhe dyqane, kjo përfshin të korrat e mbetura në fushë, ushqimin që prishet gjatë transportit dhe të gjitha ushqimet e tjera që, për një arsye ose tjetrën, nuk arrijnë në dyqan. Ndërsa, mbetjet e ushqimit janë një pjesë specifike e humbjes së ushqimit, të cilën Shërbimi i Kërkimeve Ekonomike (ERS) i Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së (USDA), e përkufizon si “ushqim i hedhur nga shitësit me pakicë për shkak të ngjyrës ose pamjes, dhe mbetjet e pjatave nga konsumatorët”. Mbetjet e ushqimit përfshijnë ushqimin e mbetur gjysmë në pjatë në një restorant, mbetjet e ushqimit nga përgatitja e një vakti në shtëpi, ushqimet e hedhura në kosh për shkak të datës së skadencës etj. 

Reduktimi i ushqimeve të shpërdoruara është thelbësor për krijimin e një shoqërie me ‘Zero Uri’ dhe arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të botës. Të gjithë ne kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë problem. Më poshtë jepen disa këshilla për të reduktuar mbetjet ushqimore dhe shpërdorimin e tyre në përditshmërinë tonë.

  1. Fillojeni vaktin me një racion të vogël. Nesë nuk të mjafton, mund të kërkosh ekstra ushqim në pjatën tënde.
  2. Ruajeni ushqimin që keni lënë në pjatë. Mund ta përdorini për të përgatitur nje vakt tjetër ose ta hani të nesërmen. Sigurohuni që ta ruani në kushtet dhe temperaturën e duhur. 
  3. Bëni pazar në mënyrë të zgjuar. Bëni një listë paraprake me qëllim që të mos blini më shumë sesa keni planifikuar dhe mos bëni pazar me barkun bosh!
  4. Mos i evitoni frutat dhe perimet që nuk kanë formën dhe ngjyrën karakteristike. Ato janë po aq të mira sa të tjerat.
  5. Kontrolloni temperaurën e frigoriferit tuaj që ushqimi të mos prishet. I vendosni produktet në vendin e tyre dhe mos e mbushni frigoriferin plot.
  6. Praktikoni ‘ushqimi i parë që blihet, është i pari që konsumohet’.
  7. Kontrolloni datat e skandencës. Pjesa më e madhe e ushqimeve kanë një afat të kufizuar për t’u konsumuar.
  8. Përdorini lëkurat e frutave dhe perimeve në kopshtin tuaj të luleve.
  9. Dhurojeni ushqimin që ju ka mbetur për personat në nevojë.

 

Pranvera Troka 

Departamenti i Drejtimit të Agrobiznesit, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit

Na Ndiqni në: