Shpëtohet ariu i zënë në kurth në parkun e Korab-Koritnikut

TIRANË, 29 korrik, pas njoftimit të marrë prej një banori të fshatit Xhaferaj, Kukës, në brendësi të Parkut Natyror Korab-Koritnik, mbi një ari të kapur nga një lak në afërsi të zonës ku ai jetonte, PPNEA, së bashku me AWRT, Four Paws Kosovë, ADZM Kukës dhe banorë të zonës, arritën të lirojnë e të mjekojnë ariun që kishte më tepër se 3 ditë i zënë në kurth.

Lajmin e bën të ditur PPNEA, që përmes një njoftimi për mediet informoi se megjithëse terreni ishte i vështirë, grupi i punës arriti që të mjekojë plagët e gjetura në trupin e ariut, të cilat ishin krijuar nga tentativat e përsëritura për t’u liruar nga kurthi ku kishte rënë.

Në fund të procesit, ariu u pa nga distanca që arriti të ngrihej e të lëvizte, megjithëse plagët do të vazhdojnë ta shqetësojnë për disa kohë.

Ekipi i PPNEA falenderon të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion shpëtimi, i cili rezultoi i suksesshëm.
Ariu i murrmë (Ursus arctos) është një lloj që gëzon mbrojtje në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke u renditur në Ankesin II të Konventës së Bernës dhe në Direktivën Evropiane të Habitateve.
PPNEA i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë rast e të vendosin para drejtësisë të gjithë ata që vendosin të tilla kurthe për kapjen e jetës së egër, e cila përbën një vepër penale që ndëshkohet me ligj.
Burimi: ata.gov.al

Na Ndiqni në: