Dëmtimi masiv i hapësirave pyjore dhe nevoja imediate për specialistë në sektorin e pyjeve dhe të inxhinierëve pyjorë në territor për të parandaluar problematikat e shumta të këtij sektori, ishin disa nga temat e diskutuara në emisionin “Auditor Arsimi” në RTSH pak ditë më parë.
Ekspertë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, si Rektori i këtij institucioni, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Pyjore si Dekani i tij, Prof. Asoc. Leonidha Peri dhe shefi i departamentit të pyjeve, Prof. Dr. Vath Tabaku dhanë opionionet e tyre në lidhje me një sërë problematikash. Sektori pyjor është gjithashtu një nga prioritetet e politikave qeveritare në këtë aspekt. Profesorët e UBT-së e vunë theksin gjithashtu edhe tek reformimi i kurrikulave në institucionet arsimore në vend, të cilat kanë pësuar jo pak ndryshime për shkak të nevojave të tregut dhe efekteve ekonomike e sociale të ndodhura kohët e fundit.
Universiteti Bujqësor i Tiranës si më i madhi në vend, ofron për studentët programe studimore në dhjetëra degë të rëndësishme në disa sektorë të jetës, ndaj dhe përfaqësuesit e UBT-së, prezantuan disa prej tyre, të cilësuara pse jo, si degë të së nesërmes. Kështu, ata u ndalën tek domosdoshmëria dhe kërkesa e madhe e tregut për ekspertë në sektorin e pylltarisë dhe shkencat pyjore. Mbrojtja e mjedisit është një prej sektorëve i cili është i prekshëm dhe konkret për secilin nga ne, ndaj lipset nevoja e kualifikimit apo trajtimit të një sërë fushash që lidhen me këtë sektor. Për këtë arsye edhe profesorët e ftuar në “Auditor Arsimi” parashtruan dhe shpjeguan për audiencën e gjerë por edhe për maturantët në veçanti, se përse duhet të zgjedhin të vazhdojnë studimet e larta në këto degë me interes jetësor.
Prof. Dr. Sallaku e vuri theksin tek domosdoshmëria e disa profesioneve tradicionale që i duhen dhe i nevojiten shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, të tilla si profesioni i inxhinierit pyjor, ai i zooteknikut, agronomi, ai i mbrojtjes së bimëve apo hortikulturës. Rëndësia që këto degë kanë, duhet të shërbejnë për të orientuar të rinjtë në përzgjedhjet e tyre për ciklin e studimeve të arsimit të lartë dhe si alternative të frytshme të cilat ofrojnë edhe treg pune në vitet që do ta pasojnë periudhën pasuniversitare të studentëve.
Ndër të tjera u diskutua edhe për një problematikë të madhe që ka prekur vendin tonë kryesisht pas viteve 90, siç është prerja e paligjshme e pyjeve. Dëmet e shkaktuara nga prerja e paligjshme e tyre ka sjelle dëme të pallogaritshme në vend, por sipas profesorëve të UBT-së, pasojat e një fenomeni të tillë kanë lidhje të drejtpërdrejtë edhe me përmbytjet masive të ndodhura vit pas viti në vendin tonë. Si pasojë e prerjeve masive të pyjeve, reshjet e rëna gjatë muajve të fundit kanë shkaktuar edhe përmbytje në shumë zona. Ekspertë të Fakultetit të Shkencave Pyjore theksojnë se 45% e faktorëve që kanë ndikuar në këtë situatë lidhet specifikisht me këtë problematikë. Ata thanë se dega e shkencave pyjore duhet të ketë një vëmendje më të madhe tek studentët si një alternativë me benefite jo vetëm individuale por edhe kolektive.
Përshtati Alma Janka për Ubgreen.al
Nuk shikoj te ngrihet si problem se ne shume institucione qe kane pergjegjesi per pyjet nuk punesohen ing e pyjeve por kristalista vizioterapista,skiftera sezonal.