mzmatuszewski0 - www.pixabay.com

Sfidat për ruajtjen e ikonave në Muzeun Mesjetar të Korçës

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri ku janë të ekspozuara qindra – mijëra ikona dhe objekte.

Një sfidë e madhe paraqitet në ruajtjen e këtyre ikonave nga deformimet fiziko – mekanike dhe biodegradimet që pësojnë për arsye të kushteve jo të përshtashme të ambientit ku ato janë ekspozuar, siç janë ndikimi i lagështisë relative të ajrit, luhatjet e temperaturave, ekspozimi UV, oksidimi, sulmet prej kërpudhave, mykut dhe insekteve të ndryshme ksilofage.

Me mbështetjen e Muzeut të Korçës, Departamenti i Industrisë së Drurit në UBT kreu një studim ku u morën në konsideratë rreth 60 ikona. Për të gjitha këto ikona, është bërë kategorizimi i tyre sipas konstruksionit të panelit, sipas shkallës së deformimit dimensional dhe shkallës së biodegradimit, identifikimi i insekteve si dhe procesi i dezinfektimit të ikonave nëpërmjet metodës së trajtimit termik në dhomën Thermo Lignum.

Dëmtimet më të shpeshta që u vunë re në suportet prej druri ishin krisjet dhe çarjet në drejtim të fibrave të drurit, shkëputja midis dërrasave në rastin e paneleve të përbërë, shkëputje në telajo ose midis panelit dhe telajos, plasaritje nga përkulja, bombime, përdredhje etj.

Dëmtim tjetër i rëndësishëm dhe shumë i përhapur i vërejtur në grupin i ikonave në studim ishte dëmtimi nga insektet dhe kërpurdhat. Ky lloj degradimi varet nga kushtet termo-higrometrike të konservimit të veprës së artit ndër shekuj. Degradimi biotik shkatërron strukturën qelizore të drurit duke vënë në pikëpyetje serioze vetë ekzistencën e veprës së artit.

Metoda e aplikuar për dezinfektimin e ikonave në Muzeun Mesjetar të Korçës, është trajtimi i ikonave me temperaturë të lartë në pajisjen Thermo Lignum. Është një nga metodat më efektive të kontrollit të përhapjes së insekteve sepse nuk paraqet rrezik për shëndetin e restauruesve dhe siguron ruajtjen e identitetit të ikonës.

Fig. 1. Dhoma e konservimit të ikonave në muzeun mesjetar të Korçës

Pajisja Thermo Lignium (Fig. 1) siguron në dhomën e trajtimit një temperaturë prej 55°C dhe lagështi relative të ajrit konstante. Ikonat të vendosura brenda dhomës termale, fillimisht ventilohen gradualisht me ajër të nxehtë të lagësht për një periudhë kohore 4 orë (në mënyrë që të arrihet temperatura 55°C në qendër të trashësisë të panelit të ikonës) dhe duke e vazhduar trajtimin për një periudhë kohore shtesë prej 1 ore në të njëjtën temperaturë (kohë e nevojshme kjo për ngordhjen efektive të insektit dhe larvës).

Më pas kryhet procesi i ftohjes graduale për rreth 4 orë. Një mikroproçesor rregullon lagështinë relative dhe siguron se nuk do të ketë ndryshime në përmbajtjen e lagështisë së panelit prej druri të ikonës. Kjo i siguron restauratorit se nuk do të përballet me reaksione të ndryshme të suportit dhe dëmtime të shtresave të pikturës.

Fig. 2. Disa prej ikonave te trajtuara

Nga analizat mikroskopike të pluhurit të marrë nga galerite e krijuara nga insektet në ikona, u bë
percaktimi i llojit të insektit sipas çelësit të identifikimit. Ky insekt ishte Anobium Punctatum.
Nga ekzaminimi mikroskopik i materialit prej druri te ikonat në muze, u zbulua se llojet më të përdorura të drurit në ndërtimin e mbështetëses prej druri të ikonave ishin Arra 63%, Pisha 14%, Rrobulli 14%, Bredhi 6%, Rrapi 3%.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka një fond të pasur me rreth 6500 ikona dhe rreth 1500 objekte të tjera në metal, gur, tekstile dhe letër. Ky koleksion është një nga më të mëdhenjtë jo vetëm në Shqipëri, por mund të konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë edhe në Ballkan. Në muze ruhen objekte që vijnë kryesisht nga qendra të mëdha të Apolonisë, Butrintit, Durrësit etj.

Autori më i shquar i periudhës post-bizantine në Shqipëri është Onufri së bashku me djalin e tij Nikollë dhe Onufër Qipriot, që janë dhe përfaqësuesit më të spikatur të shkollës së Beratit. Ikonat e shekujve 16 dhe 17 janë të shumta në numër (421 vepra) dhe përfaqësojnë një larmi të tipareve stilistike.

Me interes të veçantë është gjithashtu një grup i madh prej 125 ikonash të disponueshme nga muzeu dhe që vijnë nga fshati Vithkuq i Korçës si dhe një grup prej 55 ikonash që vijnë nga zona e Ersekës dhe i përkasin mesit të shekullit XVII, (Shën Mëria në fron, Johan Baptist etj). Ikonat e piktorëve shqiptarë të shekullit XVIII i përkasin shkollës së Korçës dhe tregojnë ndikime nga piktura e Athosit dhe nga arti perëndimor. Por një vend shumë të rëndësishëm në koleksionin e muzeut zënë ikonat (246 punime) që i përkasin dy vëllezërve Athanas dhe Konstandin Zografit, më të rëndësishmit dhe më të spikaturit e kohës.

 

Prof. Dr. Entela Lato, Dr. Holta Çota, Prof. Asoc. Doklea Quku
Departamenti i Industrisë së Drurit, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: