Riatdhesimi i elbit nordik në fillesat e krijimit të bankave gjenetike në botë

Riatdhesimi në lidhje me resurset gjenetike ka të bëjë me kthimin e materialit gjenetik në vendin e tij të origjinës. Ky material i resurseve gjenetike ndodhet sot në bankat gjenetike të vendeve përkatëse, ose në vende koleksionimi në vende të ndryshme të botës.

Resurset gjenetike dhe të drejtat sovrane

Riatdhesimi i resurseve gjenetike të bimëve ka marrë një vëmendje të veçantë dhe gjithmonë në rritje duke nisur që nga ratifikimi i Konventës së Biodiveritetit në vitin 1992. Resurset gjenetike të bimëve përpara kësaj date kanë qënë pjesë e përbashkët e trashëgimisë njerëzore. Të gjitha resurset gjenetike të regjistruara në botë pas vitit 1992, janë subjekt i të drejtave sovrane të vendeve respektive, të cilat janë përgjegjëse për të siguruar konservimin aftagjatë dhe përdorimin e këtyre resurseve, në harmoni dhe në përputhje me Konventën e Biodiversitetit.

Bankat e para gjenetike

Koleksionimi i parë i resurseve gjenetike të bimëve, në shumë vende të botës ka nisur që në dekadat e para të shekullit të XX. Në këtë periudhë të hershme, kërkuesit shencorë dhe koleksionuesit grumbulluan burime gjenetike kudo në botë dhe i ruajtën ato në bankat e tyre gjenetike. Për rrjedhojë, materiali gjenetik me origjinë nordike mund të gjendet edhe në koleksionime jashtë rajonit të vendeve nordike. Kështu, një nga bankat më të njohura gjenetike në botë është ajo e N.I. Valiov- Institutit Kërkimor të Industrisë së Bimëve (VIR) në Shën- Petërsburg, Rusi. Ky institut është themeluar në vitin 1894. VIR përfaqëson ndër institutet e para që kishte koleksionime të ndryshme të resurseve dhe është përcaktuar si Bankë Gjenetike.

Ka një qëllim mbarëbotëror unik për konservimin dhe shkëmbimin e 330, 000 aksesioneve të resurseve gjenetike të kultivarëve të mbjellë dhe të kultivarëve të egër, bazuar ndër të tjera në trashëgiminë e N.I. Valiov.

Riatdhesimi i elbit nordik

Në lidhje me projektin e riatdhesimit të elbit nordik, ka patur një bashkëpunim të ngustë mes resurseve gjenetike nordike dhe VIR –it në Rusi. Kështu që, banka e parë gjenetike vuri në dispozicion të shteteve nordike çdo rekord që kishte në lidhje me elbin e këtij rajoni. Rreth 56 aksesione të materialit gjenetik të elbit që ishin regjistruar me vend-origjinë të një nga vendeve nordike, u riatdhesua nga VIR-Rusi dhe u vendos në dispozicion të vendeve nordike në vitin 1998. Po në këto vite, rreth 11 banka të tjera gjenetike që ekzistonin për kohën, u ekzaminuan dhe iu kërkua të rishikoheshin arkivat dhe rekordet që mbaheshin për vendin e origjinës. Kërkimi bazohej në seleksionimin e aksesioneve të elbit duke u nisur nga:

  • Informacioni i pasaportës
  • Informacioni i vendit të origjinës
  • Emri i aksesionit
  • Viti i futjes në koleksionim
  • Tipi i materialit gjenetik (varieteti ose landrace)

Vetëm aksesionet potenciale unike me origjinë nordike të cilat nuk ishin rimarrë nga Banka Gjenetike Nordike u zgjodhën që të riatdhesohen. Në këtë mënyrë, në vend arritën të futeshin rreth 242 aksesione në bankën gjenetike nordike e cila sot quhet Qendra e Resurseve Gjenetike Nordike (NordGen). Në ditët e sotme në laboratorin e farërave të NordGen, ku bëhet edhe ndalesa e parë e çdo fare që futet në qendër, gjenden rreth 33,000 mostra farërash nga 500 specie të ndryshme bimësh të cilat janë të rëndësishme për bujqësinë nordike. Stoku i bazës së NordGen ndodhet në Danimarkë dhe një pjesë e konsiderueshme ndodhet në SvaltBard të Global Seed Valut, me qendër në Norvegji.

Në projektet e riatdhesimit, mostra origjinale e farës shpesh identifikohet mes një grupi potencial të aksesioneve të dublifikuara. Për të realizuar një identifikim të tillë, karkaterizmi gjenetik mund të bëhet duke përdorur markuesit molekularë dhe morfologjikë të bimëve të cilët duhet të riatdhesohen në vendet e origjinës. Të tilla projekte, mund të realizohen për çdo lloj bime për të cilën mund të kërkohet që të riatdhesohet në vendin e origjinës. Materialet gjenetike tashmë ruhen dhe sigurohen për brezat e ardhshëm në bankat gjenetike të vendeve të ndryshme.

 

Punoi: Anika Totojani

Kërkuese në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve

Na Ndiqni në: