fernandozhiminaicela - www.pixabay.com

Profesor Ametaj, rrugëtimi i suksesshëm i një shkencëtari nga Shqipëria

“Ndershmëria në shkencë, kusht bazë për suksesin e një individi dhe laboratori’’

Profesor Burim Ametaj ka punuar për 13 vjet si pedagog dhe Zv. Dekan në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Tiranë. Aktualisht ai është Profesor i Fiziologjisë dhe Imunologjisë Nutritive në Univesitetin e Albertës, Kanada.

Profesor Ametaj i përket plejadës së shkëlqyer të pedagogëve që denjësisht përfaqësojnë vendin tonë nëpër botë. Edhe pse kanë kaluar 27 vjet që është larguar nga vendi, Prof. Burimi ruan një marëdhënie të fortë bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare (FMV) në Tiranë, të cilin e viziton rregullisht ndërsa gjithashtu merr pjesë shpesh si prezantues në konferenca shkencore dhe seminare të organizuara nga FMV dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT). Ametaj, po kaq ngushtë, bashkëpunon me pedagogët e Fiziologjisë në FMV në lidhje me përmirësimin e mësimdhënies së kësaj lënde. Ai është autor dhe redaktor i librit: “Sëmundjet e rrethpjelljes në lopët e qumështit; një qasje përmes biologjisë sistemike”.  (Titulli original: Periparturient Diseases of Dairy Cows: A Systems Biology Approach, 2017).

Profesor Ametaj tek Universiteti i Albertës në Kanada

Prof. Ametaj shërben edhe si kryeredaktor i Bordit Shkencor të revistës shkencore ndërkombëtare “Dairy – mdpi”, e cila ka 81 shkencëtarë e profesorë të njohur nga e gjithë bota si anëtarë bordi. Gjatë karrierës së tij akademike Prof. Burim Ametaj cilësohet si autor i 105 artikujve shkencorë në revista tepër prestigjioze dhe autor i 190 abstrakteve ose posterave të paraqitura në konferenca shkencore, në mbarë botën. Që nga viti 2014 ai ka marrë titullin Profesor i plotë (Full Professor), në Universitetin e Albertës, Kanada.
Prof. Ametaj ka kryer studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare (FMV) nga viti 1976-1981 dhe i ka përfunduar ato me rezultate të shkëlqyera. Ai tregon se ëndrra e tij ka qenë të bëhej mjek human dhe kërkoi të ndiqte studimet për mjekësi, por asokohe qeveria vendosi që një pjesë të maturantëve më të mirë të Tiranës t’i dërgonte në Universitetin Bujqësor për të zëvendësuar profesoratin e vjetër që do të dilte në pension dhe kështu u profilizua në FMV.

Jeta akademike dhe shkencore në Shqipëri

Lidhur me pyetjen se kur nisi karriera e tij akademike në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Prof. Ametaj thotë se ka nisur sapo filloi vitin e tretë si student në FMV, kur i nderuari Profesor Haxhi Aliko, ish-Shef i Katedrës dhe Profesor i Fiziologjisë në atë kohë, i shprehu dëshirën që të punonte me të në të ardhmen. Ishte pikërisht Prof. Aliko ai që e mbështeti dhe e përgatiti atë, të bëhej një pedagog dhe shkencëtar i mirë. Kësisoj, Prof. Ametaj nisi të punonte me Prof. Alikon (si udhëheqës shkencor) në studimin e një sëmundjeje të lopëve që shoqërohej me shkatërrimin në masë të qelizave të kuqe të gjakut nga një faktor hemolitik i pranishëm në lakrat që ato konsumonin gjatë dimrit. Ai tregon se studimet me orë të zgjatura, puna shkencore dhe pasioni për shkencën dhe mësimin i dhanë rezultatet pasi u punësua menjëherë si asistent-pedagog në lëndën e Fiziologjisë (me Prof. Alikon) në FMV. Në vijim gjatë vitit 1984-1985, ai realizoi një specializim pas-universitar në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit të Sassarit në Itali, ku u specializua për Spektrofotometrinë me Absorbim Atomik.

Gjatë viteve 1985-1989 ai punoi për titullin ‘’Kandidat i Shkencave’’ (sot ekuivalent me doktoraturën) për të njëjtin problem shëndetësor të lopëve të qumështit që i shërbente ekonomisë së vendit, si vazhdimësi e punës që kishte bërë si student. Ky studim ishte mjaft i suksesshëm sepse me gjetjet që ofronte i vinte në ndihmë industrisë së qumështit që të evitonte zhvillimin e sëmundjes dhe të parandalonte humbjet e lopëve më të mira nga tufa.
Në vitin 1987 Prof. Ametaj u emërua Zv. Dekan i FMV për kërkimin shkencor, kohë gjatë së cilës u rrit së tepërmi veprimtaria shkencore si edhe niveli i punës kërkimore-shkencore të Fakultetit. Ametaj tregon se përmes një pune intensive me çdo katedër dhe bazuar në një filozofi Carnegiane të bazuar në sfidë por jo kritikë në marrëdhënie me kolegët, arritën që të krijonin fusha të rëndësishme shkencore të katedrave në përgjigje të nevojave të ekonomisë.

Fillimet shkencore në Amerikë

Prof. Ametaj tregon gjithashtu edhe për fillimet e tij në Amerikë si bursist i Fulbright. Ai aplikoi në vitet 1993-94 për bursën amerikane Fullbright ku nga më shumë se 400 persona me status kandidat shkencash, në fazën përfundimtare u përzgjodhën vetëm 7 prej tyre për të ndjekur studimet shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në Amerikë përgjatë një viti ai u mor me studimin e efekteve te vitaminës D mbi qelizat e bardha të gjakut dhe përgjigjen e tyre imune; në fushën e imunologjisë nutritive, të cilën e kishte dëshiruar prej kohësh. Një sfidë e jashtëzakonshme për të asokohe ishte puna në një nga institucionet kërkimore më prestigjioze të qeverisë federale të Amerikës, në Qendrën Kombëtare të Sëmundjeve të Kafshëve (NADC), pjesë e Departamentit të Shteteve të Bashkuara për Bujqësinë (USDA) si edhe në Universitetin Shtetëror të Iowa-s (ISU), të vendosura të dyja në qytetin Ames, të shtetit të Iowa-s.

Karriera akademike e Prof. Ametajt në SHBA vijon me studimet për një doktoraturë të dytë me temë: “Studimi i Efekteve të Izomerëve të Vitaminës A dhe D në Përgjigjen Imune të Gjedhit”. Ai shpjegon se doktoraturën e kreu pasi dëshironte të ishte një konkurent i denjë me vendasit për gjetjen e një pozite shkencore në studime të mëtejshme në SHBA.

Pas përfundimit të doktoraturës ne 1999, Prof. Ametaj filloj punë si postdoktorant në Universitetin Shtetëror të Iowas (ISU) ku punoj për një periudhë 2 vjecare. Gjatë kësaj periudhe u përfshi në një studim për mjekimin dhe parandalimin e mëlçisë së yndyrëzuar me një medikament të ri. Melcia e yndyrëzuar prek rreth 50% të lopëve të qumështit. Pas një analize të thelluar, ai filloi ta shikonte shkakësinë e kësaj sëmundjeje nga një këndvështrim plotësisht të ndryshëm nga udhëheqësit e tij shkencorë, që e kishin studiuar këtë sëmundje për pothuajse 35 vjet. Për këtë arsye, ai paraqet idenë e tij të re duke theksuar rolin e mundshëm që mund të luanin toksinat bakteriale në zhvillimin e mëlçisë së yndyrëzuar. Bëhej fjalë për vitin 1999 kur dihej pak ose aspak për rolin e toksinave bakteriale në sëmundjet e metabolizmit. Ai arriti që të siguronte një grant të vogël dhe gjatë studimit të kryer u gjet një lidhje shumë e fortë midis toksinave bakteriale, inflamacionit që ato shkaktonin në gjak dhe përgjigjes imune, me sasinë e yndyrnave në mëlçi. Karriera e Prof. Ametajt vijoi më pas me dy studime të tjera post-doktorale një-vjetore, në Purdue University (Indiana) dhe në Cornell University, në shtetin e New York ku punoi përkatësisht në fushat e biologjisë molekulare dhe imunologjisë nutritive. Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Universitetin e Cornell-it, ishte dhe vazhdon te jetë i renditur si më i miri në fushën e veterinarisë në SHBA dhe si universiteti i renditur i 19-ti në botë. Pas këtyre specializimeve, Prof. Ametaj nisi të punonte në janar 2004 si Profesor-Asistent në Universitetin e Albertës në Kanada.

Punët shkencore të kryera në Kanada dhe kontributi i tij në fushën e mjekësisë veterinare

Gjatë karrierës 17-vjeçare në Universitetin e Albertës në Kanada ai ka kryer një sërë studimesh në fusha të ndryshme të imunologjisë nutritive, shëndetit të lopëve të qumështit dhe zhvillimit të teknologjive për ndalimin e sëmundjeve të rrethpjelljes në lopë. Ai i ka kushtuar një rëndësi të veçantë fushës së metabolomës ku janë zbuluar dhe studiuar me mijëra metabolitë të rinj në lëngje të ndryshme të trupit, për herë të parë në lopë. Laboratori i tij i kërkimit, sot është lider në botë dhe është shndërruar në qendër reference për të gjithë fushën e metabolomës me 23 artikuj shkencorë të botuar 10 vitet e fundit. Metaboloma është pjesë e shkencave ‘omics” dhe ka një jetë vetëm 10- vjeçare në lidhje me lopët e qumështit, ku botimet tona janë pioner- tregon Prof. Ametaj.

Në laboratorin e tij kryhen studime që shkojnë drejt veterinarisë parandaluese e cila duke u bazuar në vlerat e qindra metabolitëve të ndryshëm në lëngjet e trupit dhe ndryshimet që ato pësojnë, është në gjendje të parashikojë me saktësi të lartë kur do të mund të shfaqen këto sëmundje metabolike. Madje po punohet që të zhvillohen paisje nanoteknologjike për të përcaktuar ndjeshmërinë e lopëve ndaj gjashtë sëmundjeve të rrethpjelljes. Kjo, sipas Prof. Ametajt do të bëjë të mundur në të ardhmen e afërme, që përmes zhvillimit të bioteknologjive të reja (për të cilat po punohet në laborator) të mjekohen lopët e qumështit përpara se sëmundja të zhvillohet klinikisht; dmth të parandalohet sëmundja. Po kështu ai ka realizuar studime edhe për sëmundjen e “Lopës së Çmendur” ku është fokusuar në rolin e toksinave bakteriale në ndryshimin e proteinës së prionit nga alfa (normale) në beta (patologjike) që është propozuar të jetë përgjegjëse për shkaktimin e sëmundjes. Ishte hera e parë në botë që një ide e tillë iu paraqit komunitetit shkencor botëror nga laboratori I mësipërm. Prioni i zhvilluar në laborator, përmes toksinave bakteriale, ishte në gjendje të shkaktonte sëmundje neurodegjenerative në minj eksperimenti. Për këtë, rezultatet e laboratorit u paraqitën në Kongresin Ndërkombëtar të Prioneve (sëmundjeve neurodegjenerative të njerëzve dhe kafshëve) të mbajtur në Salzburg të Vienës. Komiteti ndërkombëtar i ngritur për të përcaktuar punimin më të mirë të Kongresit, zgjodhi punimin e paraqitur nga grupi i Prof. Ametaj si fitues.

Burim Ametaj tregon se ndër të tjera janë realizuar edhe një sërë studimesh për efektet negative të ushqimit të sasive të mëdha të drithërave dhe veçanërisht elbit, në shumë sëmundje të lopëve të qumështit dhe zhvillimin e një bioteknologjie për parandalimin e tyre. Ai ka arritur të zhvillojë një teknologji të re dhe është në bashkëpunim me një profesor të inteligjencës artificiale me të cilin po punojnë që kjo teknologji të mbërrijë tek fermerët sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në karrierën e Prof. Ametaj, një vend të rëndësishëm kanë zënë dhe studimet me probiotikët, duke izoluar bakterie të mira nga lopë të shëndetshme dhe injektuar ato në traktin gjenital, për të parandaluar infeksionet e mitrës. Nga studimet e realizuara u vërejt një ulje e theksuar e patologjive uterine dhe shtimi i prodhimtarisë së qumështit. Ky është një koncept shkencor shumë i rëndësishëm, sepse bazohet në filozofinë e parandalimit të sëmundjes, në vend të mjekimit me antibiotik. Përfitimet e kësaj teknologjie të re shtrihen nga eliminimi i mundshëm i antibiotikëve deri tek eliminimi i zhvillimit të rezistencës bakteriale kundrejt antibiotikëve. Terapia është gjithmonë shumë më e shtrenjtë e mundet edhe të dështojë. Bazuar mbi tre studime të mëdha, Prof. Ametaj tregon se kanë prodhuar një produkt probiotikësh të cilët do të jenë në treg në të afërmen jo të largët.

Kohët e fundit, në bashkëpunim me një koleg kanadez, Ametaj ka përfunduar një projekt madhor ku matën mbi dymijë metabolitë në qumështin e lopëve; kjo për herë të parë në fushën e gjedhëve. Metabolitët e matur në qumësht përfshijnë acidet yndyrorë, sheqernat, aminoacidet, mineralet dhe vitaminat si edhe nënproduktet e metabolizimit të tyre. Bazuar mbi këto të dhëna është përgatitur edhe një databazë me përbërësit e qumështit në internet, ku janë përshkruar në detaje shumë të hollësishme çdonjëri prej këtyre mijëra metabolitëve. Bazuar në informacionin shumë të detajuar që jepet në këtë faqe interneti mbi metabolitet e qumështit, kjo databazë u quajt “Enciklopedia e Qumështit”. Ata që janë të interesuar të dinë më shumë në lidhje me këtë databazë, mund të klikojnë në këtë faqe interneti: https://mcdb.ca/.

Nuk do të ishte e plotë përmbledhja e veprimtarive të tij shkencore nëse nuk do të përmendej edhe një fushë tjetër, që Prof. Ametaj e ka shumë për zemër dhe që lidhet me zhvillimin e dy vaksinave për parandalimin e efekteve etiopatogjenike të toksinave bakteriale në gjashtë sëmundje të rrethpjelljes në lopët e qumështit. Për vite me radhë dhe përmes disa studimeve të njëpasnjëshme, janë zhvilluar dy vaksina, të patentuara tashmë, të cilat janë në gjendje të ulin incidencën e disa sëmundjeve të rrethpjelljes në të njëjtën kohë. Këto vaksina bazohen në një koncept të ri që Prof. Ametaj zhvilloi që në vitin 1999, kur punoi si postdoktorant në Amerikë. Për të, një gjë e tillë ka qenë një nga kontributet e tij më të mëdha dhe më interesante ne fushën e shkakësisë dhe parandalimit e sëmundjeve të rrethpjelljes dhe më tej. Tashmë roli i toksinave bakteriale në sëmundjet e lopëve të qumështit, pranohet gjerësisht nga komuniteti shkencor botëror dhe është përqafuar dhe provuar nga shumë laboratorë në të gjithë botën.

Prof. Burim Ametaj flet me superlative për aftësitë e shkencëtarëve shqiptarë. “Me njohuritë që kam, mund t’ju konfirmoj se sot shqiptarët mund të thonë me kompetencë fjalën e tyre dhe të arrijnë sukses në çdo fushë të shkencës, përfshirë edhe fushën e mjekësisë veterinare apo shkencave bujqësore’’– thotë Ametaj. Ai tregon se gjatë karrierës së tij është përpjekur t’iu ofrojë ndihmë dhe t’iu krijojë oportunitete disa shkencëtarëve të rinj shqiptarë, përfshirë disa post-doktorantë si edhe për një student masters dhe se këtë gjë ai do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.
Si një i apasionuar për shkencën por edhe pas mësimdhënies, Prof. Ametaj nuk nguron edhe të japë mesazhe e këshilla për studentët e mjekësisë veterinare, por edhe me tej.

  1. “Nëse keni dëshirë të përfshiheni në punë shkencore, mos e bëni sepse duhet të merreni me diçka apo që të keni një zanat për të jetuar. Nëse nuk e keni pasion shkencën, ndiqni pasionin dhe talentin tuaj në jetë. Gjithkush ka një talent, nuk ka njerëz pa talent, por duhet zbuluar talenti që ka secili për ta ndjekur atë gjatë tërë jetës”.
  2. “Nëse dëshironi të merreni me shkencë mos u bëni një ndjekës i mirë por bëhuni një lider i mirë në fushën tuaj. Kurrë mos përdor, ndiq apo riprodho idetë e shkencëtarëve të tjerë. Mundohu të jesh i pari në çdo punë shkencore që bën. Të krijosh një fushë të re është një kontribut i madh në shkencë por edhe një kënaqësi e madhe”.
  3. “Respektoni mësuesit apo mentorët (udhëheqësit) tuaj shkencorë. Krijoni idenë tuaj shkencore dhe diskutojeni atë me udhëheqësin tuaj por gjithmonë me respekt. Do të shikoni që ata do ta përqafojnë idenë dhe do t’iu mbështesin. Mosrespektimi i udhëheqësve shkencorë apo mësuesve tuaj nuk do t’iu sjellë sukses në fushën tuaj shkencore. Kini parasysh që kudo që të jeni apo përpiqeni të punoni, do të keni nevojë për një shtytje të vogël dhe mbështetje që të ndërmerrni ‘’fluturimin’’ tuaj të lirë dhe individual në shkencë. Ja përse në botën Perëndimore është krijuar sistemi i letrave të referencës, por pavarësisht prej kësaj, besnikëria dhe respekti janë edhe virtyte të vyera shqiptare”.
  4. “Mos kopjoni idetë e udhëheqësve tuaj shkencorë apo të kolegëve tuaj. Ky është një problem në perëndim por besoj që ekziston edhe mes jush. Vjedhjet e ideve nuk do t’iu japin kënaqësinë që të jep zbulimi origjinal, por gjithashtu do të humbisni miq të vyer. Për fat të keq, vjedhësit e ideve janë ata që janë futur në shkencë rastësisht dhe për arsye mbijetese dhe jo për zbulim shkencor. Këta njerëz vuajnë për ide dhe sapo mbarojnë një ide të vjedhur luftojnë më kot të zbulojnë idenë e radhës dhe sigurisht që për të mbijetuar shndërrohen në gjuetarë idesh sepse nuk janë në gjendje të bëhen burim idesh. Përfundimisht, vjedhja e ideve nuk të çon shumë larg në shkencë. Jo vetëm që nuk të bën shkencëtar por të kthen në një gjuetar të pavlerë idesh ose pseudoshkencëtar. Bashkëpunimi me shkencëtarë që kanë ide është gjithmonë më i mirë sesa vjedhja. Ne fakt, këta lloj gjuetarësh idesh nuk duhen promovuar në shkencë, por duhen ndaluar dhe larguar. Këtyre praktikave duhet t’iu jepet fund sepse shkenca nuk mund të shkojë përpara me kësi lloj pseudoshkencëtarësh”.
  5. “Në jetë dhe në shkencë duhet fokusim dhe këmbëngulje. Nëse keni një ide shkencore mos e braktisni atë në mes të rrugës, por ndiqeni deri në zgjidhjen përfundimtare. Kini parasysh se në shkencë ka konkurencë të madhe si për ide ashtu edhe për fonde. Edhe pse mund të mos gjeni fonde për një farë kohe, këmbëngulni në aplikime të reja derisa ta çoni idenë deri në fund. Ideja shkencore, në mënyrë krejt mistike, të është besuar ty dhe nëse e braktis idenë apo idetë, është si ta kesh lënë në mes të rrugës dhe atëherë nuk do të besohen ide të reja. Përfundimisht në shkencë por edhe në jetë mos jini si një gjethe vjeshte që e merr era, por fokusohuni si një shigjetë që godet në objektiv si në punët që kryeni por edhe në ndjekjen e tyre”.
  6. “Sot në shkencë kërkohet bashkëpunim. Arsyeja për bashkëpunim është se nuk ka ‘’supermanë’’ në shkencë; dmth që një njeri i vetëm të mund të mbulojë shumë fusha shkencore për të adresuar një problem të caktuar. Problemet shkencore janë komplekse dhe kërkojnë bashkëpunim për zgjidhjen e tyre. Përpiquni të krijoni lidhje me shkencëtarë të shquar në fushat e tyre. Siç thotë një fjalë e urtë në anglisht (“birds of a feather flock together”), “zogjtë e një pende mblidhen së bashku” sepse kështu do të lartësoni veten dhe bashkëpunëtorët tuaj në shkencë”.
  7. “Mos i nënvlerësoni gjetjet shkencore të papritura dhe mos u dekurajoni nga gjetjet negative. Për më tepër, kurrë mos manipuloni të dhënat shkencore duke u bazuar në pritjet që ju apo udhëheqësi juaj mund të keni për rezultate të caktuara. Një gjetje e papritur mund të jetë një zbulim i ri. Përpiquni ta kuptoni dhe interpretoni gjetjen e re ndaj mos e nënvlerësoni. Çfarëdo rezultati të gjeni, do të jetë një ‘’tullë’’ e re në godinën e shkencës. Nga ana tjetër, ndryshimi i të dhënave mund t’iu largojë nga ky zbulim i rastësishëm. Ndershmëria në shkencë është një kusht bazë për suksesin e një individi dhe laboratori. Edhe dështimi i një eksperimenti është një zbulim më vete sepse kjo do t’ju tregojë shkencëtarëve të tjerë që punojnë në këtë fushë, që të mos ndjekin rrugën tuaj, sepse nuk funksionon. Nga ana tjetër, rastësia apo fati ka sjellë shumë zbulime në shkencë. Shkencëtari i njohur francez Louis Pasteur ka thënë në lidhje me këtë: “Rastësia favorizon vetëm mendjen e përgatitur”. Pra, përgatituni sa më mirë që të interpretoni gjetjet tuaja dhe jo t’i neglizhoni, ndryshoni apo aq më keq, t’i manipuloni ato”.
  8. “Edhe pse shkencëtarët që kanë kontribuar përpara jush në një fushë të caktuar duhet t’i respektoni për zbulimet dhe kontributet e tyre shkencore, kurrë mos i idealizoni idetë e tyre. Nëse e bëni një gjë të tillë do të mbeteni skllav i atyre ideve apo zbulimeve dhe do të jeni një ndjekës i mirë, por kurrë një zbulues shkencor i mirë. Kini parasysh se çdo shkencëtar që ka jetuar dhe punuar para jush, ka përdorur instrumenta dhe laboratorë inferiorë në krahasim me laboratorët tuaj shumë më të sofistikuar. Përdoreni këtë avantazh si dhe logjikën tuaj shkencore që të përparoni dhe përmirësoni arritjet në fushat që do të angazhoheni. Me këtë qasje do të mund të jeni në gjendje të rrëzoni mitet që pengojnë shkencën, të ndryshoni paradigmat shkencore dhe të kontribuoni në evolucionin e saj”.

Ndërkaq si Profesor i Fiziologjisë prej tre dekadash, Ametaj jep edhe një këshillë lidhur me suksesin në studimet universitare të studentëve. Ai thotë se nëse mund të studioni me orë të zgjatura, atëherë suksesi do të jetë i garantuar. Rruga e suksesit sipas tij është puna, ajo intensive.
Prof. Burim Ametaj shton duke theksuar se nëse dëshironi të bëheni dikush në shkencë, mos prisni që idetë t’ju bien nga qielli dhe punën ta bëjnë të tjerët, por ndiqni udhëzimin e gjeniut amerikan në fushën e elektricitetit, Thomas Edison, i cili ka thënë: “Gjeniu është një përqind frymëzim dhe nëntëdhjetëenëntë përqind djersitje, d.m.th punë”. Idetë e reja vijnë nga punimet tuaja dhe nga analiza e kujdesshme, e thellë, dhe kritike e të gjithë dijes në fushën që ju punoni.

Prof. Ametaj nuk harron të falenderojë me mirënjohje të gjithë ata që kontribuan në brumosjen dhe formimin e tij si shkencëtar apo mësues dhe që e ndihmuan përgjatë karrierës së tij. Por, ai nuk lë pa falenderuar edhe ata që e kanë penguar në një mënyrë ose tjetër, sepse e kanë shtyrë, pa dashje, të marrë rrugën që e coj atje ku është sot.

Na Ndiqni në: