Nuk janë të paktë studentet/ët e huaj që kanë zgjedhur të studiojnë, të zhvillojnë praktikat mësimore apo të zhvillojnë kërkime shkencore etj, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Një ndër to është edhe 24 vjeçarja spanjolle, Pilar Castillo Campos, diplomuar si veterinere një vit më parë dhe tani po finalizon praktikën e masterit në ‘’shëndetin publik veterinar’’ pranë Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në UBT. E ardhur në kryeqytet vetëm disa javë më parë, Pilar, një vajzë e qeshur, simpatike, e thjeshtë dhe në dukje pa shumë komplekse, pranon me kënaqësi t’u përgjigjet pyetjeve për të cilat jemi të interesuar në lidhje me eksperiencën e saj në Shqipëri, e specifikisht në UBT. Për pyetjen se si ndihet në vendin tonë, ku gjendet prej disa javësh, Pilar përgjigjet: ‘’Kur erdha për herë të parë këtu, pak më shumë se një muaj më parë, u ndjeva si e humbur jo vetëm sepse ishte një vend ndryshe, por sepse Tirana në të vërtetë është një qytet i madh, me shumë njerëz dhe plot aktivitet. Me kalimin e javëve ndërsa fillova të mësohesha me ambientin e ri, fillova të ndihesha edhe më rehat dhe me dëshirën për të njohur sa Shqipërinë dhe qytetet e saj, ashtu edhe historinë e këtij vendi. Më duhet të përmend se anëtarët e stafit të fakultetit më pritën shumë mirë dhe u ofruan të më tregonin disa qytete të vendit si Berati, Durrësi, Kruja etj. Nuk mund të them se ndihem vetëm’’.
Kur e pyesim nëse kishte dëgjuar më herët për këtë vend, Pilar tregon se sigurisht që kishte dëgjuar më parë, Shqipëria gjithmonë është prezente në Eurovision- thotë ajo. Megjithatë, nuk dija shumë për këtë vend dhe gjithçka kisha dëgjuar të flitej për Shqipërinë, janë paragjykime më së shumti nga njerëz që gjithashtu nuk e kanë idenë e këtij vendi.
Më tej 24-vjeçarja zgjedh t’i përgjigjet si në vijim pyetjeve tona.
Pyetje: A ka shumë ndryshime mes dy universiteteve? Ndryshon shumë sistemi arsimor midis dy vendeve (referuar universitetit ku keni studiuar në Spanjë dhe zhvillimit të praktikës në UBT)?
Përgjigje: Të dy universitetet janë shumë të ndryshëm, duke filluar që nga infrastruktura; në UCO (universiteti i Cordoba-s, Kordoba) ka shumë më tepër godina dhe laboratore, edhe pse është e vërtetë që të universitetet kanë shumë studente/ë. Nga ana tjetër nuk kam mundur të njoh mirë planin mësimor të UBT-së, për më tepër që mësimi këtu sapo ka filluar. Përsa i përket praktikës, në laboratorin e mjekësisë veterinare në FMV mund të dëshmoj se shumë nga teknikat e përdorura këtu, realizohen gjithashtu në universitetin e Kordoba-s. Në këtë aspekt mund të themi se shkenca është shkencë në çdo vend.
Pyetje: Keni studiuar mjekësi veterinare. Në cilën degë të saj keni zgjedhur të profilizoheni?
Përgjigje: Tashmë jam veterinere, u diplomova në 2020 dhe tani po finalizoj praktikën e masterit në ‘’Shëndetin publik veterinar’’ dhe për këtë jam këtu. Fillimisht zgjodha degën e kërkimit shkencor dhe fillova të përgatis një Phd, por pas një viti, duke njohur botën e universitetit, nuk më pëlqeu aq sa unë kisha menduar. Për këtë arsye vendosa ta lë këtë degë kur mbarova praktikën dhe t’i dedikohem asaj që më ka tërhequr gjithmonë vëmendjen në karrierën veterinare, klinikën e ripërtypësve (lopë, dele e dhi). E di që kjo degë është larg kërkimit por duhej ta provoja përpara se ta refuzoja edhe pse duhej të investoja një vit të jetës sime në të.
Pyetje: Përse zgjodhët mjekësinë veterinare për të studiuar?
Përgjigje: Gjithmonë më ka pëlqyer biologjia dhe me kalimin e kohës filloi të më tërhiqte vëmendjen mjekësia. Pjesërisht mund të jetë edhe për shkak të serialit ‘’Dr. House’’, film i cili tregonte për një mjek që diagnostikonte pacientë të vështirë. Megjithatë, jo gjithmonë kam qenë e mirë me njerëzit dhe për të shmangur përballjen me ta, preferova të zgjedh kafshët. Për këtë arsye zgjodha të studioj mjekësi veterinare, sepse më pëlqente mjekësia, jo ajo për njerëzit dhe më pëlqejnë shumë kafshët.
Pyetje: Me çfarë po merreni aktualisht në FMV, në laboratorin veterinar ky kryeni praktikën?
Përgjigje: Aktualisht po bashkëpunoj në një projekt për diagnostikimin e mastitit subklinik që e ka origjinën nga lopët e sëmura. Për më tepër, ashtu siç kam vepruar në UCO, po kryejmë izolime të ADN-së së baktereve në qumështin e kontaminuar me qëllimin për të mësuar këtë praktikë që ne kryejmë në Cordoba dhe që mund të jetë e dobishme në këtë fakultet.
Pyetje: Keni hasur vështirësi në komunikim/ në zhvillimin e praktikës?
Përgjigje: Në universitet nuk kam hasur asnjë problema komunikimi dhe për më tepër ata që nuk dinë spanjisht, flasin shumë mirë anglisht. Megjithatë, në qytet, në disa restorante ka qenë paksa më i vështirë komunikimi pasi jo të gjithë kamarierët flasin anglisht, por në përgjithësi nuk kam hasur në probleme serioze.
Pyetje: Sa ju ka shërbyer kjo eksperiencë?
Përgjigje: Kjo eksperiencë po pasurohet më shumë në planin personal sesa në atë profesional sepse siç e përmenda më herët, shkenca është e njëjtë kudo. Megjithatë, dëshira dhe aftësia për t’iu përshtatur buxheteve të reduktuara (të ulta) në këtë fakultet, më duket e admirueshme. Bëjnë të pamundurën për të mos munguar asgjë dhe të realizojnë të gjitha projektet që propozohen. Nuk mund as ta imagjinoj se çfarë do të ishin të aftë të bënin nëse do t’u jepej një buxhet si ai që u jepet universiteteve spanjolle. Shpresoj që një ditë të ndodhë kështu.
Pyetje: Nëse do t’ju jepej mundësia, do ta zgjidhnit UBT për të studiuar?
Përgjigje: Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje pa ditur se si zhvillohet mësimi këtu, por pa dyshim që gjuha do të ishte një problem. Edhe pse pedagogët flasin anglisht, ndoshta jo të gjithë studentët e flasin dhe do të ishte shumë egoiste të kërkoja që ata të flasin anglisht vetëm për mua.
Pyetje: A do ta rekomandoje?
Përgjigje: Gjithmonë do të rekomandoja një Erasmus, të studioni dhe të përfshiheni në një ambient ndryshe nga ai që keni patur gjithmonë. Ka shumë vende që të mësojnë se gjërat mund të bëhen në një tjetër mënyrë, që të japin mundësi të ndryshme për të mësuar dhe jetuar dhe pa dyshim, Shqipëria është një prej tyre. Nuk mund të qëndrojmë gjithmonë brenda një mënyre të të bërit të gjërave. Shkëmbimi i metodave dhe mendimeve ndërmjet njerëzve nga vende të ndryshme është shumë e volitshme.
Në Cordoba shumë herë kërkimi kryhet nga ata që kanë bursa, studentë të sapo diplomuar, por pa mbikqyrjen e duhur dhe përfundojmë duke bërë gabime pa u korrigjuar nga askush. Këtu, në laboratorët e fakultetit, gjërat kryhen nga profesionistë, sepse ata nuk mund të përballojnë humbjen e burimeve në rast se një student bën një gabim, kështu që gjithçka kryhet me kujdes dhe me metodat më të mira e të vlefshme për të siguruar rezultate të sakta. Nga ana tjetër, ka praktika jashtë buxhetit të këtij fakulteti që janë të zakonshme në Kordoba dhe fakti që kam eksperimentuar dy këndvështrime të ndryshme (Tiranë dhe Kordoba), më ka ndihmuar të mendoj në një formë më të kompletuar.