ThisisEngineering RAEng - www.unsplash.com

Pesë arsye pse të studiosh në Agronomi

Tek shumica e të rinjve maturantë, ekziston një dilemë e zgjedhjes së profesionit të tyre për të ardhmen. Është një sfidë e madhe e cila bashkëshoqërohet edhe me stresin e një përzgjedhjeje të duhur jo vetëm për ta, por edhe për prindërit dhe familjarët e tyre.

Midis larmishmërisë së drejtimeve që ofron Universiteti Bujqësor i Tiranës, është edhe studimi në “Agronomi”, degë e cila përfaqëson shtyllën e studimeve në fushën e bujqësisë.

Nëse deri më tani nuk e keni marrë drejtimin për studimet tuaja dhe jeni në kërkim të fushës që mund t’ju sigurojë një të ardhme të sigurt, atëherë më lejoni t’ju rendis pesë arsyet kryesore pse të studioni për Agronomi.

  1. Bujqësia është motor i zhvillimit në botë dhe të rinjtë janë burimi i fuqisë së saj

Sot, më shumë se kurrë më parë, ndryshimet klimaterike dhe kërkesa në rritje për ushqime të sigurta, kanë rritur kërkesën për ide dhe njohuri të reja, të cilat domosdoshmërisht do të eksplorohen nga të rinjtë e kualifikuar në fushën e bujqësisë.

  1. Të studiosh Agronomi në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit

Agronomia si drejtim është i hershëm sa vetë historia e themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me një kurrikul të bashkëkohëzuar si rezultat i bashkëpunimit me shumë universitete të mirënjohura evropiane dhe amerikane. Në Departamentin e Shkencave Agronomike, ju do të keni mbështetjen e profesorëve dhe stafit ndihmës të kualifikuar, në çdo hap të studimeve dhe gjithashtu në punën kërkimore dhe laboratorike. Profesorët tuaj do të jenë gjithashtu dhe këshilltarët tuaj, duke ju ndihmuar të mësoni brenda dhe jashtë auditorëve, si dhe të merrni vendime të rëndësishme për kualifikimin dhe karrierën tuaj.

  1. Përfitimet e një diplome në “Agronomi”

Si student në Agronomi, ju mund të mësoni se si të gjeni përgjigje për sfidat e rëndësishme me të cilat përballet bujqësia. Pavarësisht nëse jeni të interesuar për biologjinë e bimëve, ekologjinë, gjenetikën, bioteknologjinë, prodhimin e farave, bimët mjekësore dhe aromatike, menaxhimin dhe mbrojtjen e bimëve, ose aspekte të tjera të sistemeve të prodhimit të kulturave bujqësore, një diplomë në “Agronomi” ofron shumë mundësi punësimi dhe zhvillim karriere.

  1. Njohuritë dhe kompetencat e studentëve të Agronomisë

Studentët do të zotërojnë njohuritë e duhura për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi që lidhet me kultivimin e bimëve, të bimëve mjekësore dhe aromatike, prodhimin e farave, dhe do të kenë  kompetencë në aplikimin e mekanizimit si hallkë e rëndësishme në teknologjinë e kultivimit të bimëve bujqësore. Do të keni njohuritë e duhura për këshillimin e  fermerëve për bimët më të përshtatshme që mund të kultivohen në zonën e tyre; seleksionimin dhe prodhimin e farave; për përzgjedhjen, specifikimin, mirëmbajtjen dhe vlerësimin e performancës të sistemeve të ujitjes dhe kullimit në fushën e bujqësisë, etj.

  1. Çfarë pune mund bëjnë të rinjtë që diplomohen në Agronomi?

Shumë drejtime studimi të cilat janë shumë të kërkuara nga studentët, kanë njëkohësisht edhe mungesë të vendeve të punës. Në ndryshim nga këto drejtime studimi, në fushën e Agronomisë ka filluar të vërehet një “uri” për specialistë të aftë. Ka aktualisht mjaft vende pune ku kërkohen specialistë me njohuri të thella  agronomike dhe akoma a më shumë do të hapen në vitet e ardhshme pasi një plejadë e tërë specialistësh agronomë po i afrohet moshës së pensionit.

Një specialist Agronom mund të punojë në vendet e punës së mëposhtme:

  • Specialist Agronom në rrjetin e Qëndrave të Teknologjive Bujqësore
  • Specialist Agronom në zyrat e bujqësisë në çdo bashki në vend
  • Specialist i menaxhimit të ujitjes dhe kullimit në institucionet publike (Ministri, Bashki, Agjensi Rajonale të Bujqësisë, Bordet e Kullimit, etj.).
  • Specialist i shërbimit këshillimor në bujqësi (sektori publik dhe privat).
  • Specialist i prodhimit të farërave (kompani private apo institucione publike).
  • Ekspert/konsulent në projekte dhe programe zhvillimore në fushën e bujqësisë. (me mbështetje shtetërore dhe donator të ndryshëm).
  • Punonjës mësimor/shkencor në institucionet akademike (publike dhe private).
  • Konsulent bujqësor.
  • E shumë të tjera…

Por njëkohësisht një specialist agronom, me njohuritë që përfton në vitet e studimit,  mund të menaxhojë më mirë se çdokush tjetër fermën e tij.

 

Prof. Dr. Alban Ibraliu
Pedagog në Departamentin e Shkencave Agronomike, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: