Designed by vectorjuice / Freepik.com

Përse një kompani duhet të ketë çertifikimin ISO 9001

Çfarë është ISO 9001?

ISO 9001 është standarti më i njohur i menaxhimit të cilësisë. Çdo organizatë mund ta adoptojë këtë standart dhe të çertifikohet me të. Ky është një standart i prezantuar fillimisht në 1987. Pas disa rishikimesh, aktualisht është bërë mjaft i përhapur ndër mjetet e adaptuara prej bizneseve për të përmirësuar aktivitetin dhe rritjen e pëlqyeshmërisë së konsumatorëve ndaj tyre.

Sigurisht që përpara çertifikimit nevojitet zbatimi i ISO 9001 në një kompani të caktuar dhe ngritja e një sistemi ISO të menaxhimit të cilësisë. Ndërkohë që qëllimi i tij është të rrisë cilësinë dhe kënaqësinë e konsumatorit, ky sistem gjithashtu përmirëson edhe proçese të tjera operacionale në të gjithë kompaninë. Nëse zbatohet mirë, ISO 9001 do të rezultojë në një përmirësim të përgjithshëm të biznesit.

Por cilat janë përfitimet e çertifikimit ISO 9001?

Në disa publikime të Organizatës Ndërkombëtare të Standartizimeve bazuar në raste studimore u shpjegua se si kompanitë në më tepër se njëzet vende në mbarë botën përfituan prej ISO 9001. Sondazhet në lidhje me përfitimet ekonomike prej standarteve treguan se përfitimet më të mëdha ishin përfitimet e brendshme në krahasim me ato të marketingut. Në këtë kontekst përfshihen përmirësimi i kënaqësisë së klientit, produkte dhe shërbime me cilësi më të mirë, rritje e efikasitetit dhe të punësuar më të dedikuar ndaj kompanisë.

Vlen të theksohet se ka një sërë arsyesh se përse ISO 9001 është i përshtatshëm për një kompani të caktuar. Fillimisht çertifikimi jep përfitime në veprimtarinë bazë të kompanisë dhe më tej pason përfitimi prej marketingut. Gjithashtu kënaqësia e klientit është në fokus të çertifikimit ISO 9001. Standartizimi kërkon jo vetëm që të përcaktohet nëse kërkesat e konsumatorit janë përmbushur por gjithashtu të monitorojë perceptimin subjektiv të konsumatorit për to. Për kompaninë ruajtja e një niveli të kënaqshëm të konsumatorëve është gjithashtu shumë e rëndësishme. Një konsumator i kënaqur bëhet një konsumator i përhershëm me një ndjenjë të fortë besnikërie ndaj kompanisë.

ISO 9001 mund të jetë një mjet shumë i mirë marketingu duke qenë një standart i mirënjohur ndërkombëtar. Ky çertifikim tregon cilësi dhe besueshmëri për klientët vendas dhe ndërkombëtarë. Pajisja me këtë çertifikim i jep kompanisë një avantazh konkurues.

Akreditimi i kompanive po bëhet gjithnjë e më shumë i nevojshëm jo vetëm për të siguruar kontrata qeveritare por edhe shumë kompani të regjistruara me çertifikimin ISO 9001 kërkojnë që edhe furnizuesit e tyre të kenë gjithashtu këtë çertifikatë. Kjo është një arsye e fortë për ta patur këtë çertifikim më herët se sa zbatimi i saj në momentin e gjetjes së një klienti.

Një sistem i menaximit të cilësisë ISO ndikon pozitivisht edhe mbi stafin e kompanisë. Përfshirja e stafit dhe angazhimi i tij kontribuon në motivimin e punonjësve. Trajnimi dhe rritja profesionale e punonjësve ka rezultuar gjithnjë në një reagim pozitiv të punonjësve të cilët parapëlqejnë të ndjehen pjesë e kompanisë dhe të ndjejnë se mund të rriten në detyrë brenda kompanisë. Përfitimi i kompanisë prej ISO 9001 konsiston në fuqi punëtore të lumtur, të motivuar, të trajnuar mirë dhe produktive.

Ajo që zakonisht pritet prej kompanive të çertifikuara Iso 9001 është një cilësi më e mirë produkti. Pikërisht ky është përfitimi kryesor prej aplikimit të këtij standarti. Gjithashtu drejtpërsëdrejti ose indirekt rezulton se pajisja me këtë standart ndikon në rritje të efikasitetit dhe besueshmërisë. Gjithashtu duke qenë se nëpërmjet aplikimit të këtij standarti nxitet analiza e bazuar në risk, d.m.th., për të parashikuar dhe parandaluar faktorët që mund të jenë pengues, mund të parandalohen efektet negative dhe ulet risku në përgjithësi.

Përfitimet prej marketingut të standartit ISO 9001 rrezultojnë në rritje të shitjeve dhe prezencës në treg, përmirësim të mardhënieve me furnitorët, rritje e aksesit në tregun ndërkombëtar dhe rritje të prestigjit të kompanisë. Pasi arrihen përfitimet e brendshme dhe ato prej marketingut rrezultati përfundimtar do të jetë rritja e fitimit.

Çfarë nevojitet për të marrë këtë çertifikim?

Ka disa mënyra për të siguruar pajisjen me këtë çertifikim dhe secili mund të zgjedhë njërën apo edhe një kombinim të tyre. Për shembull, mund të punësohet një konsulent për ta bërë këtë dhe ky është opsioni i zgjedhur nga shumica e kompanive. Në Shqipëri ky shërbim mund të ofrohet prej RIGCERT Albania, QCB Albania, TBI CONSULTING, ICDQ Albania, AQSCERT etj. Vlerësohet se është një opsion i përshtatshëm, i shpejtë por që kërkon buxhet. Një mënyrë tjetër mund të jetë përfshirja individuale në këtë proces, megjithatë kërkesat e shumta dhe koha e gjatë që kërkon kjo procedurë duke i shtuar dhe mundësitë për të gabuar, e bën këtë metodë jo shumë praktike. Përdorimi i një “pakete çertifikimi” është një kombinim i dy mënyrave të sipërpërmendura dhe kushton më shumë. Paketa zakonisht përmban formate të gatshme dokumentesh të nevojshme dhe udhëzues për çdo hap që duhet të ndiqet. Nëse përfshihen edhe trajnime dhe mbështetje profesionale atëhere secili do të jetë në gjendje të zbatojë këtë sistem ISO relativisht shpejt.

 

Prof. Asoc. Irma Tabaku
Departamenti i Ekonomisë dhe Politikave të Zhvillimit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: