Përgjegjësia penale e personave juridikë

 

Përcaktimi i saktë i personave juridik të cilët i nënshtrohen ligjit “Për përgjegjësinë penale të
personave juridikë” është shumë e rëndësishme pasi jo çdo subjekt juridik mund të përgjigjet
penalisht.
a. Nëse do t’i referohemi nenit 45 të Kodit Penal do të shohim se aty parashikohet që të
gjithë personat juridik kanë përgjegjësi penale me përjashtim të institucioneve
shtetërore. Doktrina ka theksuar se përjashtimi shpjegohet në faktin se, nuk do të
kishte kuptim që shteti, i cili gëzon monopolin e dënimit të shkelësve të ligjit, të
dënonte veten e tij. Shteti ka si objektiv kryesor realizimin e interesit publik, pra të
shoqërisë, për këtë arsye është e pamundur që vetë shteti të realizojë vepra penale.
Në Kodin Penal, neni 45 pika 2 parashikohet se: “Njësitë e qeverisjes vendore përgjigjen
penalisht vetëm për veprime të kryera gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, të cilat mund të
ushtrohen nëpërmjet delegimit të shërbimeve publike”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon si njësi të qeverisjes vendore bashkinë dhe
komunën. Edhe ligji “ Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” parashikon si
njësi të qeverisjes vendore bashkinë dhe komunën si dhe njësi e nivelit të dytë të qeverisjes
vendore, qarkun. Nëse do t’i kthehemi edhe njëherë dispozitës së mësipërme të Kodit Penal
mund të themi se kanë përgjegjësi penale, njësitë e qeverisjes vendore vetëm për
veprimtarinë e zhvilluar prej tyre nëpërmjet delegimit të shërbimeve.
Në këtë rast ligjvënësi ka pasur për qëllim vendosjen e garancive të njësive vendore mbi
korrektësinë e subjekteve private e shtetërore në zhvillimin e aktiviteteve publike, pra kur ata
delegojnë tek subjektet realizimin e veprave publike duhet edhe të kontrollojnë korrektësinë e
këtyre subjekteve. Njësitë vendore përgjigjen penalisht në rastet kur duhet të kontrollonin
punën e subjekteve private ose shtetërore të cilat kanë realizuar vepra penale dhe kanë marrë
dobi nga kjo e fundit dhe nuk e kanë kontrolluar. Nëse do t’i referohemi ligjit nr. 9754 datë
14.06.2007 do të shohim se për njësitë e qeverisjes vendore, partitë politike, sindikatat dhe
personat juridik publik nuk zbatohen dënimet kryesore siç janë gjoba dhe mbarimi i personit
juridik, madje për njësitë e qeverisjes vendore nuk zbatohen as disa prej dënimeve
plotësuese, pra bëjnë përjashtim gërmat a,b,d,dh të nenit 10, pika 1 të ligjit në fjalë.
b. Përjashtimi i partive politike dhe sindikatave nga dënimet kryesore dhe nga disa prej
dënimeve plotësuese është bërë me qëllim garantimin e plotë të të drejtave të
qytetarëve të përcaktuara në kreun 3 të Kushtetutës për t’u organizuar në sindikata e
parti politike. Gjithashtu ky përjashtim është bërë për të shmangur mundësinë e
goditjes së kundërshtarit politik të cilët mund të goditen jo vetëm nga ana financiare
me anë të gjobave por edhe me anë të mbarimit të personit juridik.
Në sistemin italian neni 1 paragrafi 2 i ligjit nr. 231/2001 përjashton aplikimin e ligjit
kundrejt enteve publike jo ekonomike si dhe për entet që zhvillojnë aktivitete me rëndësi
kushtetuese sic janë sindikatat e partitë politike. Nëse ligjvënësi do të kishte gjetur një
zgjidhje tjetër që do të binte në kundërshtim me Kushtetutën italiane, e cila në nenet 39 e 49
parashikon lirinë e qytetarëve për t’u organizuar në parti politike e sindikata do të sillte
pasoja të rënda.

c. Këtij ligji i nënshtrohen edhe personat juridik të huaj të cilët kanë fituar personalitetin
juridik sipas legjislacionit shqiptar. Kjo e kushtëzon personin juridik të huaj të
përgjigjet për veprat penale të kryera vetëm në momentin që fiton personalitetin
juridik sipas legjislacionit tonë. Po në rastet kur personi juridik i huaj kryen disa vepra
penale përpara se të fitojë personalitetin juridik në vendin tonë? Nese do t’i
referohemi nenit 2 paragrafi 2 i ligjit do të shohim se bie ndesh me nenin 7 paragrafi
1 të Kodit Penal. Duke parë hierarkinë e normave të së drejtës në nenin 116 të
Kushtetutës do të vëmë re se Kodi ka epërsi mbi ligjin prandaj si rrjedhim personat
juridik të huaj duhet të përgjigjen penalisht për veprat penale të realizuara në territorin
e Republikës së Shqipërisë edhe kur nuk kanë fituar ende personalitetin juridik sipas
legjislacionit tonë.
Nëse do t’i referohemi nenit 3 të ligjit do të vëmë re se aty nuk përcaktohen në mënyrë
specifike llojet e veprave penale që duhet të kryejë një person juridik për t’u dënuar, aty
duket se mjafton që subjektet e personit juridik të kryejnë një vepër penale apo një
kundravajtje në emër apo në dobi të tij për t’u dënuar.
Por duhet mbajtur parasysh se qëllimi i ligjit është të frenojë veprimet e paligjshme të
personave juridik të cilat shpesh nxiten nga interesi, fitimi dhe shmangia e konkurrencës apo
e evazionit fiskal etj. Pra ndërgjegjësimi i subjekteve të personave juridik për të mos kryer
vepra penale. Nisur nga karakteri dhe lloji i veprave penale gjykojmë se personi juridik nuk
mund të përgjigjet për ato vepra penale të cilat ai s’mund t’i kryejë si i tillë. Këto do të
vlerësohen rast pas rasti. Për këtë arsye personi juridik nuk mund të përgjigjet penalisht për
vepra penale të cilat janë jashtë fushës së veprimtarisë dhe aktivitetit që ai zhvillon.
Llojet e dënimeve të parashikuara nga ligji
Më poshtë do të trajtojmë shkurtimisht sanksionet që ka parashikuar ligji në fjalë për veprat
penale të kryera nga personi juridik.
Në ligjin nr. 9754 përcaktohen në mënyrë të qartë sanksionet që mund të vendosen nga
gjykata në zbatim të dënimeve kundrejt personave juridik përgjegjës të cilët kanë kryer
veprën penale. Neni 9 i ligjit përcakton se dënimet kryesore për personat juridik janë :
a. Gjoba, kjo nënkupton pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të
parashikuar në ligj, e cila përcaktohet nga gjykata në bazë të rasteve konkrete. Gjithashtu ligji
ka parashikuar edhe mënyrën e ekzekutimit të vendimit të gjykatës në rastet e pamundësisë
apo pengesës për shlyerjen e dënimit me gjobë, gjykata me kërkesën e prokurorit vendos
ekzekutimin e detyrueshëm të vendimit të dënimit, siç mund të jetë sekuestrimi i pasurive të
paluajtshme, të llogarive bankare etj. dhe në rastet kur personi juridik nuk posedon asnjë
pronë atëherë gjykata mund t’a zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me anë të mbarimit
të personit juridik. Mënyrat e ekzekutimit të dënimit me gjobë përcaktohen nga Kodi i
Procedurës Penale sipas neneve 463,467 etj. dhe vendimet ekzekutohen nga Zyra e
Përmbarimit shtetëror ose privat. Në varësi të llojit të veprës penale të kryer vendoset edhe
dënimi me gjobë nga gjykata. Në rastet kur vepra penale është kryer më shumë se një herë
nga personi juridik atëherë ligji ka parashikuar një gjobë më të rëndë sesa për veprat penale të
kryera vetëm një herë.
b. Mbarimi i personit juridik është një dënim tjetër kryesor. Është mjaft i rëndë, prandaj ne
kemi mendimin se ky dënim duhet të aplikohet vetëm në rastet kur është kryer një vepër
penale që përbën krim, pra çmojmë se kur ndodhemi përpara një kundravajtje penale nuk
justifikohet zbatimi i këtij dënimi. Termi i përdorur nga legjislatori “vepër penale” është

shumë i gjerë e pikërisht për këtë arsye është e vështirë të përcaktosh se në cilat raste duhet të
jepet ky lloj dënimi për personin juridik duke qënë se vetë ligji nuk i ka përcaktuar rastet.
Neni 12 i këtij ligji parashikon mënyrën e mbarimit të personit juridik. Pra likuidimi i
personit juridik bëhet nga Gjykata e Shkallës së Parë, vendimi i së cilës duhet të depozitohet
në zyrën e regjistrit, me qëllim që të bëhet çregjistrimi i shoqërisë nga regjistri tregtar.
Gjithashtu ligji në nenin 10 të tij ka përcaktuar edhe dënimet plotësuese të cilat jepen së
bashku me dënimet kryesore në rastet e kryerjes së veprave penale nga ana e personave
juridik. Si të tilla konsiderohen:
a. Mbyllja e një ose më shumë veprimtarive apo strukturave të personit juridik, sipas
nenit 13 të ligjit nr. 9754 datë 14.06.2007, jepet kur nga struktura drejtuese e personit
juridik janë përdorur mënyra dhe mjete të atilla që kanë sjellë pasoja të rënda.
Ligjvënësi e ka vendosur këtë dënim me qëllim që të mënjanojë përsëritjen e veprave
penale të tjera. Ky lloj dënimi mund të jepet për një kohë nga një deri në pesë vjet.
Vendosja e mbylljes së një apo më shumë veprimtarive apo strukturave të personit
juridik mendohet se ka efekt pozitiv për faktin se disiplinohet veprimtaria e tyre e
paligjshme. Ky ligj ka tejkaluar parashikimet e nenit 18 të “Konventës Penale të
Korrupsionit” e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë në vitin 2001, sipas të cilit
personi juridik është përgjegjës vetëm për veprat penale të kryera nga drejtuesit e tij,
por ligji parashikon se përgjigjen penalisht edhe çdo punonjës i personit juridik, i cili
vepron në emër dhe në dobi të tij. Përveç konceptit të kryerjes së veprimeve “në
emër” dhe “ në dobi”, instituti i përfaqësimit njeh dhe një tjetër koncept që është
kryerja e veprimit juridik “ për llogari” të të përfaqësuarit. Shprehja “për llogari” do të
thotë se i gjithë rezultati ekonomik dhe juridik i veprimit që kryhet, i përket personit
të përfaqësuar, pavarësisht nga fakti se cilat janë mjetet e shpenzuara për këtë qëllim.
b. Vendosja e personit juridik në administrim të kontrolluar. Ky dënim jepet për një
periudhë kohore nga një deri në pesë vjet. Me dhënien e këtij dënimi nga ana e
gjykatës përcaktohet administratori, detyrat e tij si dhe fusha e veprimtarisë e cila do
të jetë nën administrimin që është përdorur për kryerjen e veprës penale.

c. Ndalimi për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike. Ky lloj
dënimi jepet nga një deri në pesë vjet në varësi të rrethanave të kryerjes së veprës
penale të cilat do të shqyrtohen rast pas rasti nga gjykata.
d. Heqja e së drejtës së marrjes ose përdorimit të licencave, autorizimeve, koncesioneve,
subvencioneve. Pavarësisht se në nenin 16 pika 1 të ligjit nuk përcaktohen rastet në të
cilat aplikohet ky lloj dënimi plotësues, nuk është parë e nevojshme nga ana e
ligjvënësit për shkak se ato janë parashikuar në ligjin nr. 10081 datë 23.02.2009 “Për
licencat, autorizimiet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.

e. Ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe burime financiare është një lloj dënimi
plotësues pak më i zbutur krahasuar më dënimet e mësipërme. Ky lloj dënimi e
ndalon personin juridik që t’u drejtohet bankave apo institucioneve financiare për të

kërkuar garanci apo kredi kur ai ka shkelur ligjet e shtetit dhe ka kryer vepër penale
siç mund të jetë kundravajtje administrative apo krime të ndryshme.
f. Heqja e së drejtës së ushtrimit të një apo më shumë veprimtarive apo operacioneve.
Në këtë rast nëse vepra penale është kryer në emër të personit juridik, nga organet dhe
përfaqësuesit e tij, ose në emër ose në dobi të personit juridik nga një person që është
nën autoritetin e personit që përfaqëson, drejton dhe administron personin juridik
dënimi jepet për një afat jo më pak se tre vjet.

g. Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor, nëpërmjet shtypit të shkruar, llojeve të
tjera të organeve të informimit public, siç mund të jetë televizioni, radio etj.,
shpalljeve në vende të caktuara apo kohëzgjatja e publikimit janë parashikuar në
vendimin e gjykatës, apo kohëzgjatja e publikimit bëhet vetëm në rastet kur ka
interes për personat fizik dhe juridik njohja e vendimit. Shpenzimet e publikimit janë
në ngarkim të personit juridik të dënuar. Mediat audio- vizive janë të detyruara të
bëjnë publikimin e vendimit gjyqësor të dhënë nga gjykata. Publikimi i vendimit
gjyqësor nuk bëhet në raste të veçanta kur rrezikohet dalja e një sekreti shtetëror, kur
cënohet jeta private e viktimës së veprës penale etj. Ky lloj dënimi ka qëllim
parandalues për faktin se duke e bërë publik vendimin e gjykatës për dënimin e një
personi juridik që ka kryer vepër penale, ndikon edhe tek persona juridik të tjerë për
të mos kryer të njëjtën vepër penale.
Lind pyetja dënimet plotësuese duhet të jepen gjithmonë së bashku me dënimet kryesore apo
mund të aplikohen edhe vetëm?
Përgjigjen e kësaj pyetje e gjejmë tek neni 10 paragrafi 1 i këtij ligji ku vëmë re se personit
juridik që ka kryer një vepër penale bashkë me dënimin kryesor mund t’i jepet edhe më
shumë se një dënim plotësues duke mbajtur parasysh rëndësinë e veprës, dëmin e shkaktuar,
rrezikshmërinë e autorit etj. Pra formulimi i kësaj dispozite na shtyn të konkludojmë se
dënimi plotësues nuk mund të jepet i vetëm, pra si dënim kryesor, por ai gjithnjë (kur çmohet
nga gjykata) do të shoqërojë dënimin kryesor si në rastin kur jepet vetëm një dënim plotësues
ashtu dhe kur jepen disa prej tyre. Megjithëkëtë ndonëse ligjvënësi është shprehur në mënyrë
taksative se dënimi plotësues nuk jepet i pavarur nga ai kryesor përsëri nga formulimi i
dispozitës përkatëse vetë ligjvënësi ka përjashtuar nga dënimi kryesor si dhe nga disa dënime
plotësuese një kategori të caktuar personash juridik siç janë njësitë e qeverisjes vendore,
partitë politike, sindikatat dhe personat juridik publik. Në këtë mënyrë sipas një interpretimi
logjik konkludohet se dënimi plotësues (për ato raste që lejohet) mund të zbatohet i vetëm pa
shoqëruar dënimin kryesor kur bëhet fjalë për subjekte të veprës penale të sipërpërmendura ,
pra partitë politike etj.
Një argument tjetër që të shtyn në këto përfundime është fakti se në qoftë se dënimi plotësues
nuk do të përdoret i vetëm si dënim atëherë kjo kategori subjektesh nuk do të kishte dënime,
gjë që do të kishte kuptim që subjektet që kryejnë vepra penale por që për të cilat ka kufizime
zbatimi të sanksioneve kryesore nuk do të ketë fare sanksione, por do të mjaftohej kur është
rasti që gjykata t’i deklarojë ata fajtorë pa u shprehur për ndonjë lloj apo masë dënimi.

Përgatiti:

Enkela Hoxha
Departamenti “Menaxhim Turizmi Rural”
Grupi Mësimor Kërkimor “E Drejtë dhe Sociologji”

Na Ndiqni në: