PROF.DR. ENDRIT KULLAJ
PROF.DR. TOKLI THOMAI
Rëndësia e kontrollit të cilësisë së frutave dhe perimeve
Sektori i Frutave dhe Perimeve të Freskëta ose hortikultura luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë shqiptare si nga pikëpamja e punësimit dhe vlerës që krijon, ashtu edhe zhvillimit në zonat rurale sepse sipërmarrjet me fruta dhe perime janë zakonisht ferma të vogla dhe të mesme. Shqipëria është një aktor shumë i rëndësishëm rajonal në këtë sektor (veçanërisht perimet e hershme) duke shfrytëzuar avantazhin krahasues të klimës së ngrohtë në Ultësirën Perëndimore. Si pjesë e strategjisë mbështetëse të Qeverisë nëpërmjet fondeve IPARD dhe Skemës Kombëtare, synohet të 2 – 3 fishohen eksportet e tyre brenda një periudhe 4-vjeçare. Janë krijuar tashmë zinxhirë vlere të mirëfilltë tek fruta si molla, qershia, rrushi i tryezës, agrumet, luleshtrydhja apo perime si domatja, speci, bostanorët, etj.
Modernizimi i nën-sektorëve të frutave dhe perimeve gjendet përballë sfidash të rëndësishme të cilat kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga kërkimi shkencor në vend. Kjo sepse në stadin ku ndodhet dhe sidomos në atë që synon të mbërrijë, problemet e shumta që has prodhimi komercial i perimeve dhe frutave (përfshi ullirin, agrumet, rrushin e tryezës, etj.) nuk munden më gjatë të zgjidhen thjesht nëpërmjet importimit të dijeve dhe inovacionit nga vendet e tjera të zhvilluara. Situata aktuale e ka bërë të domosdoshme realizimin e kërkimeve të thelluara shkencore, në vend, nga institucionet përgjegjëse të kërkimit shkencor.
Në këtë kontekst, Universiteti Bujqësor dhe Departamenti i Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit kanë përgjegjsinë t’u japin përgjigje konkrete tematikës së gjerë të problemeve me të cilat përballet i bimëve perimore dhe pemëve frutore. Në kuadrin e thirrjes për projekte të infrastrukturës kërkimore të financuara nga AKKSHI, një grup kërkimor nën drejtimin e Prof.Dr. Endrit Kullaj arriti të sigurojë një financim prej afro 5 milion lek dhe bashkë me një fond të UBT prej 1.6 milion u mundësua krijimi i një Laboratori të Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve (LTCFP) që do të kryejë kërkim shkencor duke përdorur metoda jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë së frutave dhe perimeve. Kërkimi shkencor do të përdorë dhe zhvillojë metoda për diktimin e cilësisë në kohë reale të mbështetura në veçori akustike, ultratinguj, ele ktrike dhe pamore analitike dhe metoda të reja ose të përmirësuara jo-shkatërruese për vlerësimin e cilësisë, software për mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe ndërtimin e databazave për modele parashikuese precize. LTCFP do të testojë dhe përhapë teknologji të kontrollit automatik të cilësisë duke shfrytëzuar platforma me të dhëna analitike, që do të mbështesin zinxhirët e vlerës së frutave dhe perimeve në Shqipëri me vlerësime të sakta, konsistente, eficiente dhe fitimprurëse.
Metodat jo–shkatërruese të kontrollit të cilësisë
Metodat jo-shkatërruese (MJSH), si një mënyrë analitike e vlerësimit dhe instrumentacioni, kanë fituar një vlerësim të lartë në shkencë, veçanërisht në industritë ushqimore. Aktualisht, MJSH janë të dobishme sepse mundësojnë matjen e njëkohshme të të dhënave kimike dhe fizike nga ushqimi pa e shkatërruar lëndën. Veç kësaj, MJSH mund të sigurojnë njëherazi të dhëna sasiore dhe cilësore pa analiza të veçuara. Kohët e fundit janë raportuar shumë studime që lidhen me matjet diktuese të produkteve agroushqimore dhe vlerësime të cilësisë përfundimtare. E ardhmja e përdorimit te MJSH për vlerësimin e cilësisë së ushqimit dhe produkteve bujqësore është e shkëlqyer; prej tyre mund të rezultojnë gjetje shumë interesante nëpërmjet zhvillimit të sistemeve të imazherisë më eficiente dhe precise, të tilla si teknika e vizionit të makinës (machine vision technique).
Përdorimi i metodologjive jo-destruktive mundëson edhe ndjekjen e ecurisë së cilësisë së frutave dhe perimeve në parcelë lejon:
Në fazat e ardhshme, nëpërmjet buxhetit të UBT apo financimeve alternative nga projekte, Laboratori do të zgjerohet me matje të treguesve nutraceutikë, aromave, etj. si dhe njësi për pasvjeljen dhe ruajtjen.
Shërbime të analizës për prodhuesit dhe grumbulluesit e frutave dhe perimeve
Në nivel evropian dhe më gjerë, popullariteti dhe konsumi i Frutave dhe Perimeve të Freskëta (FPF) është rritur në vitet e fundit si ushqime të shëndetshme dhe të ushqyeshme. Shqipëria është ndër vendet me normë konsumi për frymë nga më të lartat në Evropë për fruta dhe perime ndaj edhe cilësia e frutave dhe perimeve është një aspekt shumë i rëndësishëm nga këndvështrimi i konsumatorëve. Prodhuesit, grumbulluesit/tregtarët e shumicës dhe eksportuesit duhet t’i paraprijnë dëshirave të konsumatorëve veçanërisht në lidhje me cilësinë sensoriale dhe volitshmërinë e përdorimit. Konsumatorët konsiderojnë fruta me cilësi të mirë ato që duken të mira, janë të forta dhe kanë aromë të mirë dhe vlerë ushqyese. Megjithatë, konsumatorët po interesohen gjithnjë e më shumë për ato cilësi që jo domosdoshmërisht lidhen me pamjen e jashtme. Nga këndvështrimi i tyre, qasja në fruta dhe perime me cilësi të mirë dhe sigurt është një nga shkaqet më të mëdha të shqetësimit të publikut në vitet e fundit. Është jetike që çdo shtet të garantojë cilësinë e ushqimit dhe të mbrojë konsumatorët e tij.
Për fat të keq, këto parametra nuk janë plotësisht përfaqësues të cilësisë së prodhimi, që përmbledh jo vetëm pamjen e jashtme, por gjithashtu veçori sensoriale të tjera (shija dhe aroma), vlera ushqyese, përbërësit kimikë, veçoritë mekanike, veçoritë funksionale dhe defektet. Kjo kërkon përdorimin e teknikave të vlerësimit të cilësisë sipas kritereve që i përafrojnë me cilësinë që perceptohet nga konsumatorët.
Veç kërkimit shkencor, Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve do të akreditohet për të ofruar shërbime lidhur me kontrollin e cilësisë së frutave dhe perimeve të freskëta, të ruajtjes pas vjeljes, shërbime trajnimi dhe gjurmueshmërie, etj. duke garantuar kështu edhe qëndrueshmërinë e mirëmbajtjes dhe zgjerimit të tij.Avantazhet e teknikave që do përdoren nga Laboratori ynë në raport me metodat analitike konvencionale janë:
Laboratori i Cilësisë në planin afatgjatë
Në planin afatgjatë, Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve synon të jetë një njësi kërkimore e specializuar në zinxhirin e furnizimit të frutave dhe perimeve. Laboratori do të zgjerohet për të patur një ambjent të gjerë dhe të sofistikuar, i projektuar posaçërisht për të analizuar, kuptuar dhe përmirësuar freskinë, shijen dhe vlerën ushqyese të frutave dhe perimeve, me një ekip që kombinon ekselencën shkencore me përvojën menaxheriale me qëllim përkthimin e njohurive shkencore në menaxhim inovativ të sektorit agroushqimor. Për këtë të fundit do të integrohen departamente të Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit.
Laboratori i Teknologjisë dhe Cilësisë së Frutave dhe Perimeve (LTCFV) do të përfaqësojë Universitetin Bujqësor të Tiranës në Qendrën Botërore për Preservimin e Ushqimit dhe do të angazhohet në zvogëlimin e humbjeve pasvjeljes në Shqipëri.
Plani afatgjatë për zgjerimin e LTCFV parashikon krijimin e disa njësive laboratorike, si më poshtë të cilat organizohen nga pikëpamja funksionale:
Të kombinuara bashkë, këto njësi ofrojnë një mjedis unik për të eksploruar bazat themelore të freskisë, aromës dhe vlerës ushqyese të frutave dhe perimeve dhe për të ndihmuar operatorët në zinxhirin e furnizimit të përmirësojnë protokollet e ruajtjes, transportit dhe marketingut.
PAGE 1