Obeziteti ka qenë dhe vazhdon të jetë një sfidë e shëndetit publik në rajonin europian të OBSH-së, sepse është një faktor rreziku përzhvillimin e sëmundjeve jo të transmetueshme. Bazuar në rëndësinëe kësaj cështjeje, OBSH ka publikuar një raport drejtuar politikëbërësve dhe palëve të interesuara, me synim marrjen e masave të nevojshme për të korrigjuar situatën. Ky raport merr nëkonsideratë edhe ndikimin që pandemia COVID-19 dhe mjediset ushqimore digjitale kanë patur në përkeqësimin e obezitetit në vende të ndryshme.
Obeziteti: situata në Europë për vitin 2022
Mbipesha dhe obeziteti kanë arritur përmasa epidemike në rajonin europian të OBSH-së, duke prekur gati 60% të të rriturve. Gjithashtujanë prekur dhe fëmijët. 7.9% e fëmijëve nën 5 vjeç dhe një në tre fëmijë të moshës shkollore vuajnë nga mbipesha ose obeziteti. Prevalenca zvogëlohet përkohësisht tek ata të moshës 10 deri në 19 vjeç, ku një në katër paraqet mbipeshë ose obezitet.
Ndërsa është regjistruar një rritje eksponenciale në prevalencën e mbipeshës dhe obezitetit, asnjë shtet anëtar i rajonit europian nuk duket se është në rrugën e duhur për të arritur qëllimin kryesor: tëndalojë rritjen e obezitetit brenda vitit 2025.
Obeziteti: shkaqet kryesore të zhvillimit
Sipas raportit të publikuar nga OBSH, mekanizmat që besohet se janë përgjegjës për zhvillimin e obezitetit janë dy: zhvillimi i obezitetit nga ekspozimi gestacional dhe nga ekspozimi ndaj faktorëve të rrezikut që mund të përftohen gjatë jetës, të tilla si: regjimi ushqimor jo i shëndetshëm dhe pasiviteti fizik, të nxitura këto nga ekspozimi ndaj faktorëve mjedisorë obezogjenë fizikë dhe digjitalë. Në këtë kontekst, përhapja në mbarë botën e pandemisë COVID-19 ka patur një ndikim të thellë tek individët, sistemet shëndetësore dhe ndërveprimet sociale.
Obeziteti: si kanë ndikuar mjediset digjitale dhe pandemia?
Njerëzit në mbipeshë dhe obezitet janë prekur më rëndë nga pasojat e pandemisë COVID-19. Masat e ndërmarra për të kontrolluar virusin, si kufizimet e lëvizjeve, distancimi social dhe izolimi, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën sociale të popujve.
Izolimi, distancimi social dhe vështirësitë financiare, kanë shkaktuar një gjendje stresi psikosocial, i cili mund të rrisë marrjen e energjisë, në formën e sjelljeve impulsive të të ngrënit. Në fakt edhe periudha të shkurtra të marrjes së tepërt të energjisë mund të kenë pasoja negative të qëndrueshme në kohë në peshën dhe shëndetin metabolik.
Pandemia ka sjellë gjithashtu edhe një përdorim të gjërë të atyre që përkufizohen si “mjedise ushqimore digjitale”, ose “mjedise” online përmes të cilave përhapen flukse informacioni e shërbimesh të cilat mund të ndikojnë zgjedhjet dhe sjelljet ushqimore . Këto mjedise përfshijnë elementë si: mediat sociale, platformat digjitale të promovimit të shëndetit të mirë, marketingun digjital të ushqimit dhe shitjet e ushqimit online. Gjatë pandemisë, industria ushqimore ka promovuar ndjeshëm disa nga produktet e saj si : pijet alkoolike, pijet me sheqer dhe ushqimet e paketuara me jetëgjatësi të gjatë. Kjo u mundësua edhe përmes përdorimit të promovimeve lidhur me dërgesat në shtëpi, duke kufizuar më tej ato pak momente lëvizjeje të lejuara.
Kjo situatë krijoi hapësirë për interpretimin e mjediseve digjitale si potencialisht “obezogjenike”.
Mjediset ushqimore digjitale po ndikojnë në aksesin, dëshirueshmërinë, çmimin e ushqimeve në rajonin europian të OBSH-së. Megjithatë, ky është një nën-komponent shumë pak i studiuar i mjediseve ushqimore. Teknologjitë digjitale nuk janë domosdoshmërisht një kërcënim për shëndetin publik.
Çështja është se si përdoret teknologjia, çfarë publikohet dhe sikuptohet përmbajtja e publikimeve, çfarë është e disponueshme në platformat digjitale që e bën atë një mjedis ushqimor digjitalpotencialisht obezogjen apo jo-obezogjen.
WHO Regional Office for Europe. (2022). WHO European Regional Obesity Report 2022. Copenaghen. Licence: CC BY-NC-SA 3.0 IGO.
Sanije Zejnelhoxha
Fakulteti i Bioteknologjisë dhe Ushqimit
Shto Koment