Lija e majmunit në njerëz

Që nga java e parë e majit të këtij viti, numri i rasteve tëlisë së majmunëve në njerëz ka njohur rritje, krahas rritjes sëpyetjeve, shqetësimeve dhe pasigurisë lidhur me rëndësinë, riskun e përhapjes dhe potencialin për të qenë pandemia e rradhës. Për shkak të sjelljes atipike të virusit dhe prekjes mëshumë të meshkujve, kryesisht të komuniteteve specifike, ka shumë të ngjarë që ajo të ketë qenë e pranishme më parë, por mund të mos jetë deklaruar në kuadër të ruajtjes së privacisë.  

Sëmundja ka kapërcyer kufijtë e specieve rezervuare, madje prania e tyre nuk është e domosdoshme për transmetimindhe mbajtjen e infeksionit në popullatën humane. Rrjedhimisht,roli i mjekësisë veterinare pas kalimit të infeksionit tek njeriu është i kufizuar. Mjeku veterinar ka rol specifik për kontrollin e sëmundjes në kafshët e egra, atyre që përdoren për qëllime kërkimore, si edhe atyre që mbarështohen në kopshte zoologjike.

Një nga shqetësimet e ekspertëve, lidhet me faktin se ndoshta ky virus do të plotësojë boshllëkun e lënë nga virusi i lijës së çrrënjosur. Nga ana tjetër, imuniteti ndaj virusit të lijës së njeriut, nxit imunitet edhe ndaj lijës së majmunit dhe anasjelltas. Mungesa e vaksinimit kundër lijës humane e bën shumicën e popullatës botërore pa asnjë memorie imunitare, një gjendje kjo ku mungon imuniteti kolektiv, i njohur si imuniteti i tufës.

Ç’është lija e majmunit dhe kush e shkakton atë?

Lija e majmunit është një sëmundje infektive zoonotike virale, e cila prek njeriun dhe shumë gjitarë të tjerë. Ajo shkaktohet nga një virus i afërt me virusin e lijës humane (e vetmja sëmundje e çrrënjosur), origjina e të cilit është Afrika,prej nga është përhapur në kontinente të tjera. Në Britani janë konfirmuar mbi 20 raste, ndërsa në ditët e fundit janë raportuar mbi 100 raste të dyshuara në Spanjë, Portugali, SHBA, Kanada, Suedi, Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Holandë, Australi dhe Izrael. Ndërkohë priten akoma më “shumë raste të tjera” në ditët dhe javët e ardhëshme. Agjenti është një virus me ADN, relativisht i qëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj komponimeve kimike dezinfektuese. Javën e tretë të majit 2022 është kryer sekuencimi i plotë i gjenomës së shtameve të shpërthimeve në vitet e fundit.

Cilat specie preken nga lija e majmunit?

Në fakt emërtimi “Lija e Majmunit nuk është i saktë sepse rezervuarët e tij natyrorë janë brejtësit dhe gjitarët e tjerë të vegjël. Quhet i tillë, për shkak se virusi fillimisht u zbulua në vitin 1958 në një koloni majmunësh për qëllime kërkimore, ndërkohë që rastet e para në njerëz raportohen në vitin 1970 në Kongo. Shpërthimet ndodhin herë pas here në Afrikën Sub-Sahariane, pas kontaktit të njeriut me një kafshë të egër të infektuar, ndërsa udhëtarët e infektuar mund ta bartin sëmundjen, duke kontribuar në importimin e saj në vende të tjera.

Si merret/transmetohet lija e majmunit?

Deri në vitet 1980, mbi 75% e rasteve janë transmetuar nga kontakti me kafshët e infektuara, ndërsa më pas raporti ka ndryshuar në favor të transmetimit person – person. Shkaktari i lisë së majmunit përhapet direkt nga kontakti i ngushtë me lëkurën, me aerosol dhe kontakti me fluidet e individëve tësëmurë. Në shpërthimin e fundit transmetimi në rrugë veneriale luan një rol të dukshëm, çka nuk është tipike për sëmundjet e virusëve të lisë. Shqetësimi është i natyrshëm, por nuk ka vend për panik. Grupi Këshillimor Strategjik dhe Teknik i OBSH-së për rreziqet infektive me potencial pandemik dhe epidemik, ka analizuar masa të ndryshme nga zbatimi i programit tësurvejancës agresive deri tek opsioni i përdorimit të vaksinave kundër lisë së majmunëve. Transmetueshmëria e sëmundjes vlerësohet e ulët dhe shanset për shpërthim epidemik ka pak gjasa të ndodhin.  

Cilat janë shenjat e lijës së majmunit?

Në njerëz, sëmundja shkakton ethe, dhimbje koke dhe ënjtje të nyjeve limfatike të ndjekura nga një shpërthim i flluskave të mbushura me eksudat purulent (qelbëzor). Shumica e rasteve kanë lezione ekskluzivisht perigjenitale, perianale e rreth gojës dhe nuk ka asnjë provë që sperma mund të transmetojë virusin. Deri më tani, hipoteza më e pranueshme është se ajo transmetohet pas kontaktit me lezione të sëmundjes, pra kontaktet e zakonshme dhe ato seksuale.

Lezionet ngjasojnë me lezione të lisë së erradikuar dhe shumica e njerëzve shërohen brenda pak javësh. Midis shtameve ka ndryshim në patogjenitet, ndërsa letaliteti është i ulët (përgjithësisht më pak se 1%), tipike për shtamet e Afrikës Perëndimore, por sakaq janë rregjistruar shpërthime më të rënda me letalitet deri në 10%  (shtamet e bazenit Kongo).

Si mund të mbrohet njeriu nga lija e majmunit?

Sëmundja ka qenë sporadike, e rrallë dhe e pazakontë, por rastet në rritje kanë shtuar shqetësimin për përhapje masive. Bazuar në njohuritë aktuale, organizmat ndërkombëtare nënvizojnë se nga sëmundja mund të preket një proporcion i vogël i popullatës; rastet do të rriten, por nuk pritet të ndodhëndonjë situatë e ngjashme me atë nga SARS – CoV-2.

Aktualisht disponohen dy vaksina kundër lisë në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Njëra, e prodhuar nga Emergent BioSolutions, është e ngjashme me vaksinën e përdorur gjatë fushatës së së lijës pandemike humane të çrrënjosur tashmë dhe tjetra nga Bavaria Nordic, e cila shkakton më pak efekte anësorese e para dhe është e vetmja vaksinë e aprovuar në mënyrë eksplicite për linë e majmunëve. Vaksinat parandalojnë sëmundjen edhe nëse përdoren deri në 4 ditë pasi një person është ekspozuar ndaj virusit. Ato mund të përdoren gjithashtu për të mbrojtur kontaktet e rasteve të dyshuara ose të konfirmuara të lisë së majmunëve. Deri më tani, asnjë vend nuk ka njoftuar plane për ta bërë këtë. Krahas vaksinave, ekzistojnë medikamente antivirale si tecovirimat dhe brincidofovir,miratuar nga FDA respektivisht në vitet 2018 e 2021. As vaksinat e as medikamentet ende nuk disponohen në sasira të mjaftueshme, por nëse do të lind nevoja ato mund të prodhohen në sasi të mjaftueshme.

Përgatiti

Prof Xhelil Koleci

Tiranë 23 Maj 2022

Shto Koment

Na Ndiqni në: