Kumbullat janë një frut mjaft i përhapur në vendin tonë. Në varësi të zonës klimatike dhe të llojit të tyre, ato piqen nga qershori deri në tetor. Janë pak kalorike dhe të pasura me shumë lëndë ushqyese, prandaj konsumimi i tyre i sjell përfitime të shumta organizmit.
Kumbullat janë të pasura me ujë, fibra, karbohidrate, vitamina, minerale e antioksidante të rëndësishëm.
Përmbajtja e lartë e ujit në kumbulla (mesatarisht 85%) është shumë e rëndësishme për organizmin e njeriut. Konsumimi i kumbullave ndihmon në filtrimin dhe pastrimin e aparatit tretës, zorrëve, veshkave etj, në luftën kundër kolesterolit dhe në qarkullimin më të mirë të gjakut.
Sasia e karbohidrateve në përgjithësi tek kumbullat është e pakët. Kur ato janë shumë të pjekura kjo sasi është më e lartë, por prania e fibrave bën që kabohidratet të absorbohen ngadalë dhe sheqeri në gjak të mos rritet menjëherë.
Kumbullat përmbajnë sorbitol që ka efekte laksative në organizëm.
Kumbullat përmbajnë gjithashtu disa lloje mineralesh dhe vitaminash si: kalium, kalcium, fosfor, magnez, hekur, sasi të konsiderueshme të vitaminës C, A, E, B1, B6 etj, që janë shumë të nevojshme për mirëfunksionimin e organizmit të njeriut.
Kumbullat janë të pasura me antioksidantë (përmbajnë rreth dyfishin e sasisë në krahasim me shumë prej frutave të tjerë), të cilat ndikojnë në uljen e inflamacionit në trup dhe mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira.
Kumbullat mund të konsumohen të freskëta apo të thara. Ato mund të konsumohen të përpunuara si lëngje, komposto, recel etj. Kumbullat e thara janë mjaft të mira për kujdesin ndaj osteoporozës dhe konstipacionit.
Prandaj është e rëndësishme të shtojmë përdorimin kumbullave që të përfitojmë nga vlerat e tyre, sepse konsumimi i rregullt i frutave të kumbullës, të freskëta apo të thara ndikon pozitivisht në shëndetin e kockave, të zemrës, të veshkave, të aparatit tretës, në stimulimin e sistemit nervor, për të luftuar lodhjen, në shëndetin e të sëmurëve diabetik, etj.
Prof. Assoc. Frida Çarka
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.