Krimbi i degëve “Zeuzera pyrina”, dëmtues serioz në ullishtet tona

Tashmë dëmtuesi është evidentuar në ullishtet e vendit tonë duke shkaktuar dëme dhe duke patur vështirësi në menaxhimin e tij.

Insekt i irritur

Femra është një flutur, e cila me krahë të hapur ka dimensione 70 mm, me ngjyrë të bardhë me njolla blu të errëta në krahë dhe toraks. Antenat janë filiforme dhe ovopozitori është i gjatë. Mashkulli diferencohet nga femra nga dimensionet më të vogla (me krahë të hapura 50 mm) dhe nga antenat karakteristike.

Veza është ovale me dimensione rreth 1.2 x 2 mm dhe ngjyra është rozë e lehtë.
Larva e porsaçelur ka gjatësi 1.5 – 2 mm, ndërsa kur arrin pjekurinë, arrin 40-50 mm. Trupi është ngjyrë të verdhë. Krizalida është e gjatë nga 25- 40 mm , me ngjyrë kafe në të verdhë.

Në ullishtet tona dëmtuesi është prezent me 1 brezni. Insektet e rritura shfaqen në prill por periudha e fluturimit mund të zgjatet deri në tetor. Insektet e rritura kanë dy maksimume fluturimi, gjatë muajit maj dhe qershor dhe gjatë gushtit dhe shtatorit.

Kultivues të ullirit vëmendje për këtë dëmtues!

Insekti i rritur gjatë ditës është joaktiv dhe qëndron i fshehur në bimë duke rifilluar aktivitetin pas perëndimit të diellit. Femrat vendosin vezët zakonisht në të çarat e lëvores. Larvat e porsaçelura arrijnë në vegjetacionet e reja dhe depërtojnë në vendin e bashkimit të llastarit me gjethen, duke krijuar një galeri që ndjek aksin e degës. Preferohen degëzat më të holla, por gjatë zhvillımit të tyre larvat braktisin galeritë e tyre të vjetra dhe prekin degët gjithnjë e më të mëdha, duke arritur deri në trung.

Aktiviteti i larvës vihet re nga jashtëqitjet e tyre dhe që gjenden në galeritë e ndryshme. Larvat dimërojnë në stadet e ndryshme të zhvillimit për t’u krizaliduar në pranverë dhe për të dhënë insekte të rritur kohë pas kohe.

Krimbi i degëve

Shkakton dëme të konsiderueshme sidomos në bimët e reja. Si pasojë e galerive të bëra nga larvat, degët duken të dobësuara dhe më vonë thahen.

Dëmi vërehet dhe tek ullinjtë në prodhim. Në ullinjtë për tavolinë humbja arrin deri në 43%.

“Zeuzera pyrina” duhet monitoruar për të përcaktuar kapjet e para dhe për të evidentuar ecurinë biologjike të këtij dëmtuesi.


Zeuzera është një insekt shumë dëmprurës duke prekur një numër të konsiderueshëm të kulturave bujqësore. Por kohët e fundit po bëhet gjithnjë e më shqetësues dëmi në kulturën e ullirit, gjë e cila bën të nevojshme adoptimin e një sistemi kontrolli që integron të gjitha metodat e mundshme për të arritur rezultate sa më të mira.

Monitorimi dhe kampionimi

Hapi i parë që duhet bërë kundrejt këtij dëmtuesi është monitorimi e kampjonimi me qëllim që të diktohen shumë shpejt vatrat e infeksionit për të vlerësuar nevojën e ndërhyrjes me anë të metodave të ndryshme të kontrollit.

Faktorët kufizues kanë ndikim të pakët në zhvillimin e zeuzerës. Për këtë arsye, një veprim i njëkohshëm i faktorëve agronomikë kufizues dhe artificial kufizues, është alternativa e vetme për kontrollin e ketij dëmtuesi. Për menaxhimin e dëmtuesit në kushtet e fermës duhet të bazohemi në implementimin e elementëve të mëposhtëm.

Kontrolli biologjik

Një praktikë efektive konsiston në futjen e një teli të hollë prej hekuri që ka majën në formë grepi në mënyrë që të arrijë të vrasë larvën. Një mënyrë e tillë përdoret për të kontrolluar infeksionet në ullishtet masive.

Kontrolli me mjete bioteknike

Me interes për kontrollin direkt është përdorimi i kurtheve (mastrap – L) për kapjen masive të meshkujve të zeuzerës. Nga vrojtimet e para këshillohet vendosja e kurtheve 2-3 m larg nga toka dhe me një numër që mund të arrijë 10 kurthe/ha. Një metodë e tillë duhet përsëritur çdo vit për të arritur reduktimin e dëmtuesit

 

Prof. Dr. Shpend Shahini
Përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

Na Ndiqni në: