By Didier Descouens - Own work, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=33203392

Insekti dëmtues që ka prekur sipërfaqet pyjore me llojin “bush” në vendin tonë.

Bëhet fjalë për Cydalima perspectalis (Walker) ose fluturën e llojit pyjor Bush (Buxus sempervirens), shkurt “flutura e bushit”. Ky dëmtues i përket rendit Lepidoptera dhe familjes Crambidae.

Origjinën e ka nga Azia por e gjejmë edhe në Evropë (ku fillimisht është diktuar në Gjermani). Gjithashtu është vrojtuar edhe në Kanada dhe SHBA.

Vitet e fundit  ky dëmtues është shfaqur në vendin tonë dhe është vërejtur kryesisht në sipërfaqet me llojin bush të luginës së Matit dhe Drinit si dhe në sipërfaqet me bush në Elbasan dhe Librazhd.

Insekti i rritur është flutur që me krahë të hapura arrin madhësinë 40-45 cm.

Mashkulli i ka krahët në qendër me ngjyrë të bardhë e me bordura ngjyrë kafe të hapur, kurse femra është gati e gjitha në ngjyrë kafe të hapur.

Vezët janë me diametër rreth 1 mm, të vendosura nën gjethet e paprekura të bushit.

Larvat që sapo dalin nga vezët janë 1-2 mm të gjata. Zhvillimi i larvave bën që ato për një periudhë katër javore të arrijnë dimensionet 35-40 mm gjatësi.

Krisalidat janë 25-30 mm të gjata, fillimisht në ngjyrë të gjelbër e me viza gjatësore në ngjyrë kafe, të cilat më vonë bëhen më të kafenjta.

Imagot e fluturës së bushit – Mashkulli, Femra

Larva e fluturës së bushit

Krisalida

Biologjia: Ky dëmtues ka 2 ose 3 brezni në vit, ku të rriturit fluturojnë nga muaji prill/maj deri në shtator/tetor. Në zonat më të nxehta, ku moti i ftohtë vjen me vonesë, mund të ketë edhe 4 brezni në vit. Dimrin e kalon si larvë e re (rreth 5-10 mm gjatësi) e mbuluar dhe e mbrojtur në një fshikëz që përfshin 2 gjethe të bushit të bashkuara fort nga fijet e mëndafshta që prodhojnë larvat. Herët në pranverë larvat që kanë kaluar dimrin, rifillojnë të ushqehen me gjethet e bushit, duke u rritur në madhësi dhe më tej kalojnë në stadin e krisalidës. Në periudhën prill/maj dalin insektet e rritur të breznisë së I-rë dhe pas koopulimit, femrat vendosin deri mbi 300 vezë në pjesën e poshtme të gjetheve.

Dëmi i shkaktuar:

Larvat ushqehen me gjethet dhe bisqet e species së bushit. Larva e re ushqehet vetëm me pjesën e sipërme të gjethes duke lënë të paprekur strukturën e fortë të brendshme. Në këtë periudhë gjethet nuk dëmtohen plotësisht. Larvat më të mëdha janë më të dëmshme, ato hanë masivisht komplet gjethet, duke lënë nganjëherë një pjesë të hollë në konture dhe në qendër. Zakonisht vërehen te bimët e prekura jashtëqitjet e larvave në formë sferike dhe në ngjyrë të gjelbër.

Larvat e fluturës së bushit, duke u ushqyer me gjethet e bushit shkaktojnë skeletimin e bimëve, ku përsëritja e skeletimeve mund të çojë deri në tharjen e plotë. Në këto kushte del si detyrë kontrolli i këtij dëmtuesi problematik për pyjet e bushit.

Dëmi i shkaktuar tek lloji bush nga larvat e fluturës së bushit.

 Masat e kontrollit

Lufta kimike ndaj këtij dëmtuesi konsiston në përdorimin e insekticideve sintetike si cypermetrina (Sumialfa) dhe deltametrina (Karateja), që janë efikase, por duhet të përdoren në brendësi të sipërfaqes me bush, duke bërë spërkatjen edhe poshtë gjetheve.

Ndaj këtij dëmtuesi rekomandohet dhe trajtimi  me insecticide biologjike siç është biopreparati Bacillus thuringensis ssp, kurstaki, një bakter që prodhon një endotoksinë specifike për larvat e fluturave, e cila depërton në zorrët e larvave duke i çuar ato në paralizë dhe më tej në ngordhje.

Trajtimet me insekticidet e lartpërmendura dhe me biopreparatin Bacillus thuringiensis duhet të përsëriten 3 herë gjatë vitit në një interval rreth 10-ditor, sepse ato veprojnë kryesisht ndaj larvave të reja të dëmtuesit.

Kurthet me ferromone (që tërheqin të rriturit meshkuj dhe janë në gjendje të parandalojnë pllenimin e femrave) arrijnë të kontrollojnë në një farë mase dëmin nga dëmtuesi, pasi në këtë rast imagot femra depozitojnë vezë sterile. Selektiviteti i ferromoneve është shumë i lartë, gjë që bën që speciet e dobishme vendase të mos dëmtohen, pasi nuk tërhiqen nga to. Kurthet me ferromone mund të vendosen në periudhën nga mars- prilli deri në tetor – nëntor. Këto kurthe përveç kontrollit të popullatës së dëmtuesit, shërbejnë edhe për monitorimin e tij.

Kurthet me ferromone

Kontrolli biologjik duke përdorur armiqtë natyralë të dëmtuesit, konsiston në përdorimin e Grerëzës aziatike (Vespa velutina). Në vendin e origjinës (Azi) ndodh kontrolli natyror i dëmtuesit flutura e bushit, kryesisht nëpërmjet kësaj grerëze, gjë që ka bërë që sjellja e fluturës së bushit atje mos të jetë tepër agresive dhe dëmtuese. Në zonën e Evropës, aty ku flutura ka arritur të futet, dëmi është mjaft serioz, sepse nuk ka ndodhur kontrolli natyror në nivelin e duhur nëpërmjet organizmave antagoniste. Megjithatë në zonën evropiane, aty ku grerëza aziatike ka qenë prezente përpara shfaqjes së fluturës së bushit janë vërejtur disa predatime kontrolluese nga ana e grerëzës. Kjo ka ndodhur në jug-perëndim të Francës, si vendi i parë ku grerëza aziatike është futur në Evropë (në vitin 2004). Grerëza aziatike është në gjendje të ushqehet me larvat e vogla si dhe me larvat që janë duke u përgatitur për stadin e krisalidës, por vlen të theksohet se futja e grerëzës aziatike në Evropë ka shkaktuar dhe probleme, siç është dëmtimi i bletëve evropiane që janë më të dobëta ndaj saj në krahasim me bletët aziatike. Kërkime shkencore janë bërë në Evropë edhe për ndikimin ndaj fluturës së bushit të specieve parazitare, siç është Ezorista larvarum.

Grerëza aziatike (Vespa velutina)

 

Prof.Dr. Fatmir Laçej
Fakulteti i Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.

Na Ndiqni në: