Photo by Max on Unsplash

Historiku i agrumeve në Shqipëri

Të dhëna për agrumet dhe informacione që egzistojnë në dokumenta të arkivuara flasin për kultivimin e tyre në trevat ilirike, rreth 3 shekuj më parë. Kjo është dhe referenca e vitit 1806 e kryekonsullit francez Pukvil në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, pashait të Janinës.

Mungesa e dokumenteve historike më të hershme, nuk mund të jetë pengesë për përcaktimin e lashtësisë reale të agrumeve në truallin ilirik, aq më pak po të bazohemi në burimet historike të Greqisë fqinje. Sigurisht, nuk mund të ketë patur ndonjë faktor pengues që ata (Grekët?!) të mos i përhapnin edhe në Shqipëri, në mos herët, të paktën në të njëjtën kohë me Lindjen e Afërme. Agrumikultura më e moçme në vendin tonë konsiderohet ajo e vatrave më me traditë si Lukova, Borshi, Pandelejmon, Delvina, Rusan, Shals, Himara, Xarra etj. Dimrat e ashpër të viteve 1930 – ’33 dëmtuan rëndë speciet më delikate të agrumeve (qitron e limonin).

Në vitin 1936 u organizua fidanishtja e parë e agrumeve në Laprakë të Tiranës nga agr. Abedin D. Çiçi, gjë që dëshmon për fillimin e zhvendosjes së organizuar të agrumeve nga ngrohtësia bregdetare drejt zonave të freskëta të Tiranës, Elbasanit apo brenda avllive qytetare, duke përfaqësuar një mjeshtëri të rrallë shtimi dhe kultivimi.

Në vitin 1946 u ngrit fidanishtja e parë kombëtare e subtropikaleve, me objektiv kryesor zgjerimin e agrumikulturës e të ullirit në zonat më të përshtatshme të Shqipërisë.

Në periudhën 1951 – 1953, një ekspeditë shkencore me specialistët më të shquar të asaj kohe, të udhëhequra nga shkencëtarja ruse Nina Berezina, studioi materialin gjenetik të agrumikulturës ekzistuese dhe orientoi perspektivën e zhvillimit (mund të mbilleshin rreth 4500 ha ose 4 milionë rrënjë nga 220 mijë rrënjë që ishin në atë kohë). Më pas vjen një periudhë disi e veçantë, ajo e projektimit të masiveve si ato të Nivicës, Përparim – Shënvasi, Borsh, Vrinë, Ksamil e Uji i Ftohtë. Shumica e këtyre masivëve me subtropikale u brezaruan me aksione të rinisë shqiptare.

Në vitin 1957 u ngrit fidanishtja e dytë për prodhimin e fidanëve të agrumeve në Strat të Delvinës e në të njëjtën kohë, u importuan fidanat e para të agrumeve, të cilat u mbollën në fushë  – Borsh. Filloi më pas shfrytëzimi i tokave më të mira siç ishin blloqet fushore në Mursi, Çiflik, Shalis, Vazalat, Lefterhor, Bistricë, Vllahat e Finiq, me rreth 50.000 rrënjë si dhe masivi i vargut kodrinor të Mursisë e Xarës, që njihen me emrin plantancionet e Vrinës, ku së bashku me sipërfaqet e mbjella në Delvinë e Ksamil gjatë viteve 1961 -67’, përbënin rreth 200 mijë rrënjë agrume.

Pas vitit 1962, filloi mbjellja e agrumeve në masivet kodrinore të pjerrëta, në toka të hapura rishtas të cilat u shoqëruan me vepra ujore si ujëmbledhësi i Murisë, kanali Thoma Filipeu e tuneli i Sasajt, të cilat mundësuan vënien nën ujë të rreth 700 ha me agrume në Lukovë e Ksamil.

Për t’u përmendur janë sidomos masivet e mëdha të Vrinës që u ngritën nga viti 1963 -1977, me 157.000 rrënjë (130.000 rrënjë portokalle, 15.000 rrënjë limona dhe 17.000 rrënjë mandarina) dhe masivi i Stjarit me 3.699 rrënjë, që përfaqësonte agrumikulturën më të re të vendit tonë.

Shqipëria në fund të viteve ’90-të arriti në 2.350 ha me agrume ose disi më tepër se 1 milionë rrënjë, ku 28% e sipërfaqjes u mboll në toka fushore dhe gjithë sipërfaqja tjetër shtrihej në masivet kodrinore të brezuara. Agrumikultura e asaj kohe u shtri në një brez fitoklimatik të ngushtë në rrethet Sarandë dhe Vlorë dhe shumë pak në rajonet e tjera klimatike të vendit.

Sot Shqipëria në kushtet e ekonomisë së tregut, ka një vizion më të hapur duke zhvilluar një qasje praktike dhe efikase në kultivimin e agrumeve, sidomos të mandarinave, ku inisiativat e fermerëve pasionantë, tashmë biznesmenë të suksesshëm si në zonën e Mursisë e të Xarrës, me familjen Kote kanë lënë gjurmë në agrumikulturë, ndjekur nga shumë pasionantë dhe koleksionistë shembullorë të pemëve frutore, si ai i familjës Sherra në Qinam, me një nga koleksionet më të veçanta të varieteteve të pemëve frutore autoktone dhe agrumeve në Shqipëri.

 

Prof.As. Adriatik Çakalli
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: