HIPERLIPIDEMIA, METODAT E PËRCAKTIMIT TË LIPIDOGRAMËS

Ekzaminimi i hiperlipidemisë apo i përqëndrimit të lartë jo normal të yndyrnave në gjak ka interes praktikën klinikeveterinare për faktin se profili lipidik është një mjet i rëndësishëm për hulumtimin dhe diagnozën e disa patologjive të lidhura me një metabolizëm yndyror jonormal. Ekzaminimi i hiperlipidemisë ka interes klinik edhe për faktin se serumi lipemik mund të interferojë pozitivisht apo negativisht me analizat sasiore të analitëve të tjerë të serumit, përcaktuar me metoda kolorimetrike. Hiperlipidemia mund të çojë gjithashtu në hemolizë in vitro si rezultat i ndryshimit tëfraxhilitetit të membranës së eritrociteve, duke u bërë shkak për rezultate false të testeve të ndryshëm.

Lipidet janë komponime organike të patretëshme në ujë, esenciale për shumë funksione normale të organizmave të gjalla. Ato janë komponente të rëndësishme të membranave qelizore, përdoren si depo energjie, luajnë një rol të rëndësishëm si kofaktorë enzimatikë, hormonalë dhe mesazherë brendaqelizorë. Nga shumë grupe lipidesh, dy janë më të rëndësishëm në aspektin klinik: kolesteroli dhe trigliceridet, të cilat transportohen në plazmë si komplekse makromolekulare të njohura si lipoproteina. Bazuar në karakteristikat e tyre fiziko-kimike dhe lëvizshmërinë elektroforetike, lipoproteinat plazmatike kafshëve mund të ndahet në katër klasa kryesore: (1) kilomikrone, (2) lipoproteina me densitet shumë të ulët (VLDL), (3) lipoproteina me densitet të ulët (LDL) dhe (4) lipoproteina me densitet të lartë (HDL). Dy të parat janë të pasura me trigliceride dhe dy të fundit të pasura me kolesterol. HDL mund të ndahen më tej në HDL1 (e cila është unike për qentë), HDL2 dhe HDL3. Në njerëz janë identifikuar lipoproteina me densitet të ndërmjetëm (IDL), por ekzistenca e tyre nuk është verifikuar në kafshë.

Ka ndryshime midis specieve në sasitë relative të HDL dhe LDL.Në speciet që zakonisht kanë HDL të lartë dhe LDL ulët në gjak(shumica e kafshëve shtëpiake), HDL janë transportuesit kryesorë të kolesterolit dhe estereve të kolesterolit në mëlçi. Në speciet me HDL të ulët/LDL të lartë si p.sh njerëzit, esteret e kolesterolit mund të transferohen nga proteinat përgjegjëse (CETP) në mbetjet VLDL dhe LDL për dërgim mëvonshëm në mëlçi. Speciet me nivel tëlartë të LDL janë në rrezik për zhvillimin e aterosklerozës për shkak akumulimit të kolesterolit LDL në makrofagë. Kjo rezulton në depozitime lipidike subendoteliale ose pllaka aterosklerotike.

Në mënyrë të përmbledhur janë renditur çrregullimet kryesore në kafshë, që shoqërohen me nivel të lartë të yndyrnave në gjak.Përcaktimi i lipidogramës paraqet interes veçanërisht në këto patologji.

Sëmundjet dhe kondicionet që shkaktojnë hipertrigliceridemi dhe/ose hiperkolesterolemi

Rritja e prodhimit të triglicerideve dhe/ose kolesterolit

Nga hepatocitet:

Hiperlipidemia e kuajve

Sindromi nefrotik ose nefropati me humbje proteinash

Nga enterocitet:

Hiperlipidemia pas marrjes së ushqimit

Ulja e lipolizës ose përpunim intravaskular i lipoproteinave

Hipotiroidizmi

Sindromi nefrotik ose nefropati me humbje proteinash

Pamjaftueshmëria e lipoproteinë lipazës (e rrallë mace, shumë e rrallë qen)

Mekanizma të tjerë, të panjohur ose të shumëfishtë

Pankreatiti akut

Kolestazis

Diabeti mellitus

Dietë me nivel të lartë yndyrnash

Hiperadrenokorticizmi ose teprica e glukokortikoideve

Hiperlipidemia idiopatike në disa raca qensh (miniature schnauzers, Brittany spaniel)

Metodat e ekzaminimit të lipideve të plazmës

Vëzhgimi me sy të lirë i plazmës

Kjo metodë ofron një vlerësim paraprak të përqëndrimit të triglicerideve në kampion. Kampionet që kanë nivelin e triglicerideve në normë apo pranë normës janë të qartë, ndërsa kampionet me rritje të triglicerideve janë të turbullt, me nuancë si qumësht (lipemike). Prania e turbullisë pas dietës së urisë konfirmon hipertriglicerideminë dhe është rezultat i përqendrimit të lartë të lipoproteinave të mëdha (kilomikrone dhe VLDL). Përqëndrimet e larta të kolesterolit, pa rritjen e kilomikroneve ose VLDL, rezultojnë me rritje të LDL, HDL dhe përgjithësisht nuk ndikojnë në pamjen makroskopike të serumit ose plasmës. Sidoqoftë këto guida kryejnë një vlerësim të përafërt.

   

Testi i kilomikroneve

Për të vlerësuar më tej një plazmë të turbullt mund të kryhet testii kilomikroneve duke lejuar mostrën e plazmës të qëndrojë në frigorifer (4oC) për 12 deri në 14 orë. Kilomikronet janë më pak të dendura se VLDL dhe do të notojnë në krye të një kampioni të ftohtë. VLDL janë më të dendura dhe kanë tendencë të qëndrojnëpezull brenda në plazmë. Formimi i një shtrese kremi në sipërfaqetregon praninë e kilomikroneve. Mungesa e një shtresë kremi në një mostër lipemike konfirmon VLDL të rritura kur kampioni është i turbullt. Formimi i një shtrese mbi kampion dhe plazma e turbullt është tregues i tepricave të kilomikroneve dhe VLDL.

Prania vetëm e kilomikroneve mund të rezultojë nga mosmbajtja e dijetës së urisë para kampionimit, apo sëmundje të trashëguara ose të fituara që rezultojnë në reduktimin ose mungesën e aktivitetit të lipoprotein lipazës. Prania e VLDL sugjeron se hiperlipidemia është sekondare nga ulja apo mungesa e aktivitetit të lipoprotein lipazës ose rritja e prodhimit të VLDL.

Matja e triglicerideve dhe kolesterolit total

Matja e këtyre lipideve kryhet në 0,5 ml serum të heparinizuar me metodat spektrofotometrike, kromatografike, automatike dhe enzimatike. Të njëjtat metoda mund të aplikohen dhe për matjen e lipoproteinave.

Përcaktimi i VLDL dhe LDL

Sipas metodës Friedewald, vlerat e VLDL dhe LDL llogariten duke përdorur formulën:

VLDL = Trigliceride

                      5

LDL = Kolesterol Total – HDL – VLDL

Teste për hiperlipideminë dytësore

Kur hiperlipidemia është konfirmuar, në shumicën e rasteve ajo është dytësore, ndaj testimi shtesë synon identifikimin e shkakut kryesor. Testet shtesë mund të përfshijnë: CBC, profilin biokimik të serumit, analizat e urinës, testin suprimues me dozë të ulët të deksametazonit, testimin për funksionin e tiroideve (T4 në serum dhe përqendrimin e hormonit tireo-stimulues) dhe imunoreaktivitetin e lipazës pankreatike në serum.

Teste për hiperlipideminë primare

Nëse hiperlipidemia dytësore përjashtohet, mbetet e mundshme hiperlipidemia primare dhe testimi shtesë mund të përfshijë elektroforezën e lipoproteinave dhe aktivitetin e lipoprotein lipazës. Mungesa ose ulja e aktivitetit të lipoprotein lipazës mund të vlerësohet duke përcaktuar aktivitetin plazmatik të kësaj enzime. Aktiviteti indirekt mund të përcaktohet nga mbledhja e mostrave të serumit para dhe 15 minuta pas një injeksioni intravenoz të heparinës (90 IU/kg) në një pacient. Heparina shkakton lëshimin e lipoprotein lipazës nga endoteli i enëve të gjakut, që stimulon hidrolizën e kilomikroneve dhe VLDL. Përqendrimet e kolesterolit dhe triglicerideve maten në mostra para dhe pas injektimit të heparinës. Një rënie e përqendrimit të triglicerideve dhe kolesterolit pas heparinës konfirmon aktivitetin e lipoprotein lipazës. Përqendrimet e ngjashme të triglicerideve dhe kolesterolit para dhe pas heparinës janë në përputhje me aktivitetin e ulur ose mungesën e lipoprotein lipazës.

Përgatiti: Elenica DIMÇO

Shto Koment

Na Ndiqni në: