Peggy_Marco - www.pixabay.com

Helmimet e ripërtypësve nga nitratet

Përdorimi i plehrave kimike me përmbajtje azotike si nitrati i amonit (NH4NO3), ka sjellë intensifikimin e prodhimit bujqësor dhe atij blegtoral. Por nga ana tjetër, një gjë e tillë na bën të jemi të kujdesshëm për parandalimin e dëmtimeve të prodhimit blegtoral nga rritja e dendurisë së helmimeve në kafshë nga këto përbërje.

Në kushtet aktuale të përdorimit masiv të njomishteve në stallë apo në kullotë, problematikat janë të shtuara dhe shfaqen në mënyra të ndryshme. Njihen rreth 40 bimë nitratmbajtëse, si të kultivuara ashtu dhe në kullota të lira.

Mund të përmendim misrin, sorgumin, panxharet, lakrën, tërshërën, elbin, thekrën, patatet, linin dhe mjaft bimë të kullotave (bromuset, tatulla, euphorbiet, melilotuset, polygonacet, rumekset, stellariet, portulacet, pazia, spinaqi, karrota, bërsitë e ndryshme etj).

Për grumbullimin e NO3 (dhe NO2) në bimët nitratmbajtëse ndikojnë një sërë faktorësh, si: plehërimi me sasi të mëdha të plehrave kimike dhe plehrave të stallave, kultivimi i bimëve bishtajore, thatësira e zgjatur etj.

Kufijtë e lejueshëm të përmbajtjes së nitrateve në ushqimet e kafshëve janë të ndryshme dhe vërtiten nga 0,5-1,5 %.

Toksiciteti: Nitratet e marra nëpërmjet ushqimit apo ujit shpërbëhen në rumën nga mikroflora ruminale nëpërmjet enzimës nitratreduktazë dhe kthehen në nitrite (NO2), që janë shumë helmues. Kur në bimë ose rumen ka sasi të lartë sheqernash, frenohet aktiviteti i nitratoreduktazës, pra ulet dhe kthimi i NO3 në NO2.

Doza helmuese e nitrateve dhe nitriteve ndryshon sipas llojit të kafshës dhe lëviz nga 0,5 deri 1g/kg për nitratet dhe 0,05-0.15 g/kg për nitritet.

Mekanizmi i veprimit: Nitritet pasi hyjnë në gjak veprojnë shumë shpejt me hemoglobinën duke e kthyer atë në met-haemoglobinë duke humbur funksionin transportues të O2 në inde. Pra, gjaku nuk merr dot O2 në mushkëri dhe nuk e transporton në inde. Normalisht metHb në gjak vërtitet rreth kufijve 3-3.5% dhe në kafshët e reja, ajo është më e lartë 4,5-5,5 %.

Shenjat klinike: Shfaqen kur methemoglobina arrin mbi 30 % dhe kafsha rrezikohet të ngordhë kur ky nivel arrin kufijtë mbi 60 %. Shenjat klinike shfaqen nga 1,5-4 orë deri 5-8 ditë pas marrjes së nitrateve apo nitriteve. Më shpesh helmimi ndodh në formë akute me predominimin e shenjave të hipo e anoksisë. Kafsha ka jargëzim, dhembje abdominale, shtim të peristaltikës, diarre, shtim të diurezës etj. Shenjat klinike dominohen nga sindromi i hipo e anoksisë që karakterizohet nga vështirësi në frymëmarrje (dispnoe), puls i shpejtë dhe i dobët, gjendje eksitimi për të kompensuar mungesën e oksigjenit, përpjekje, hapje e gojës, nxjerrje e gjuhës jashtë etj, për të vijuar më pas me gjendje depresive, dridhje, konvulsione, kolaps e ngordhje.

Vështirësi në frymëmarrje (sindromi i hipo dhe anoksisë) Diarre nga konsumi i nitrateve në kullotë

Në kafshët barse vërehen dështime për shkak të asfiksisë së fetusit e rënies së presionit të gjakut. Dështimet ndodhin në çdo periudhë të barsmërisë.

Në formën kronike (marrja e NO3 me bimë) shenjat klinike janë më pak të shprehura dhe karakterizohen me rënie të prodhimit, anemi e cianozë të lehtë të mukozave, çrregullime gastrointestinale, dështime, çrregullime të sferës seksuale e funksioneve të tiroides dhe të mungesës  së  vitaminës A.

Ndryshimet anatomopatologjike: Në helmimet me nitrate e nitrite, karakteristike është ndryshimi i ngjyrës së gjakut, i cili është i kuq i errët ose çokollatë (mungesa e oksigjenit) dhe koagulon me vonesë (Shiko fig më poshtë).

Në gjak ulet niveli i Hb deri 10 %, glukoza, proteinat totale e Ca, ndërsa P e ureja janë të rritura.

Diagnoza vendoset në bazë të klinikës dhe ndryshimeve anatomopatologjike  (kontrolli i ngjyrës së gjakut), si dhe me përcaktimin e nivelit të metHb në  gjak dhe NO3 e NO2 në serum (25 ppb NO3 dhe 0,75 ppb NO2 konsiderohet helmim i mesëm; 35- 40 ppb NO3 dhe 1-2 ppb NO2 konsiderohet helmim i rëndë). Helmimet nga nitratet mund të ngatërrohen me helmimet nga cianuret, monoksidi i karbonit si dhe me plasjen forma atipike (pa zmadhim shpretke).

Prognoza: Varet nga koha e ndërhyrjes dhe është nga e mirë në të kujdesshme.

Mjekimi: Mjekimi synon në ndalimin e formimit të metHb dhe reduktimin e metHb së formuar, pa nënvlerësuar rivendosjen e funksioneve të çrregulluara. Substanca mjekuese me veti të mira janë; blu metileni, vitamina C, tiosulfati i Na, unitioli etj.

Këto reaksione në praninë e blumetilenit realizohen për 15 minuta dhe niveli i metHb zbret në kufijtë 10 %. Blumetileni përdoret në tretësirë ujore 0,5-1 % në doza 4-10 mg/kg peshë të gjallë. Mund të përdoret dhe në tretësirë 1 % në glukozë 25 % që quhet dhe tretësira kromosmon, në këtë rast përdoret në masën 0,5 – 1 ml / kg peshë.

Efekte të mira reduktuese mbi metHb ushtrojnë dhe përbërje që kanë në molekulën e tyre grupe “SH”, si për shembull unitioli, hiposulfiti i Na etj. Në këto helmime mund të përdoret dhe permanganati i kaliumit në tretësirë 1-2 për mijë nëpërmjet gojës. Ai jo vetëm kthen NO2 në NO3, por frenon dhe aktivitetin e akterieve  nitratoreduktuese. Ndaj efekteve ngacmuese të NO3 në aparatin tretës  mund të përdorim vajëra vegjetale, qumësht etj. Në gjendjet kolapsike mund të përdoret adrenalinë. Po ashtu në helmimet me nitrate mund të përdorim preparatet e kalciumit, tretësira të NaCl, vitamina A, C, D, E etj.

Parambrojtja: Kontrolli i ushqimeve dhe parcelave ku kullosin kafshët për praninë e nitrateve. Në periudhën e përdorimit masiv të ushqimeve të gjelbra duhet të futen në racion melasë, drithëra, përzierje mikroelementesh si Zn, J, Co, Cu, vitamina A, D, E. Kur në masën e gjelbër (apo bimë) ka mbi 1,5 % nitrate dhe mbi 0,05 % nitrite, ato silazhohen ose lihen për konsum në një periudhë të mëvonshme, në rast të kundërt jepen të fraksionuara disa herë në ditë, ose para dhënies së tyre u jepen koncentrate e ushqime të thata. Mishi i kafshëve të helmuara me nitrate konsumohet pasi të jetë bërë analiza për ngarkesë mikrobike dhe nuk duhet të rrijë gjatë në frigorifer sepse mund të formohen nitrozaminat.

 

Prof. Asoc. Dr. Jani Mavromati
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: