Bru-nO - Pixabay.com

Gruri, kulturë bazë e të ushqyerit

Gruri është një kulturë e lashtë bujqësore e cila ka evoluar dhe është përmirësuar si rezultat i punës kërkimore të bërë ndër vite në Shqipëri dhe në të gjithë botën. Avantazhet e kësaj kulture janë të lidhura së pari me vlerat e saj ushqyese dhe  peshën që zë në dietën e të ushqyerit të popullsisë botërore si dhe për përshtatjen e saj ndaj kushteve klimatike dhe tokësore.

Vlerat ushqyese të grurit janë të lidhura me përmbajtjen e proteinave, yndyrnave, karbohidrateve etj. Mielli i grurit është i pasur me vitamina dhe minerale të cilat variojnë: vitamina B1 – 14,7%, kolina – 12,2%, vitamina B5 – 13,6%, vitamina B6 – 15%, vitamina E – 14%, vitamina PP – 23%, Si – 27%, Mn – 13,8%, Fe- 24,9%, Cl – 38,3%, Fe- 17,8%, Co – 38%, Mg- 129,5%, Cu- 32,4% , molibden – 25,7%, Zn – 15,8% të cilat kanë një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut pasi ndikojnë në proceset e metabolizmit dhe forcimit të sistemit imun.

Gruri si rezultat i aftësisë përshtatëse që ai zotëron, kultivohet nga lartësitë e Himalajës në mbi 4500 m mbi nivelin e detit apo në Meksikë, ku kultivimi i tij shkon edhe në pllajat mbi 3000-5000 m mbi nivelin e detit. Në Europë gruri kultivohet deri në pllajat e alpeve të Europës në 3000 deri 4000 m mbi nivelin e detit. Edhe në vendin tonë kultivimi i grurit shtrihet nga bregdeti dhe tokat e kripura anës tij deri në lartësitë 1300 -1600 m.

Në kushtet e privatizimit të tokës dhe të zhvillimit të sektorit privat, në bujqësi merr një rëndësi të veçantë ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i varieteteve lokale pasi ato veç të tjerave, janë lloje të përshtatur dhe rezistente ndaj kushteve klimatike. Edhe pse kërkimi shkencor në fushën e grurit në Shqipëri ka vite që nuk ka ndonjë produkt të ri. Ende janë në qarkullim dhe në përdorim farat e grurërëve të vendit, përveç atyre që importohen nga bizneset e agroimputeve bujqësore.

Varietet e grurit të vendit si Dajti, Agimi, Kamza, Çerma etj, kanë ende vlera përdorimi dhe kultivimi nëse do të administrohen dhe menaxhohen nga bujq/fermerë të pasionuar dhe me njohuritë e mjaftueshme për të kultivuar por edhe për të krijuar skema të prodhimit të farës së këtyre varieteteve. Është e rëndësishme që të identifikohen këto fermerë dhe të bëhen pjesë e programeve kombëtare për trenimin dhe asistimin e tyre për të garantuar prodhimin e farës së këtyre varieteteve dhe përhapjen e tyre në prodhim.

Përveç formave të kultivuara dhe të përmirësuara të grurit ndër vite në Shqipëri, veçanërisht në vitet 60-të janë mbjellë dhe kultivuar një sërë varietesh  tradicionale si zhulica e bardhë, zhulica e kuqe, karapash etj.

Shqipëria si një vend mesdhetar me një diversitet të lartë klimatik dhe tokësor, është habitati natyror i shumë formave të afërme të egra të grurit të cilat kanë një rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe kërkimin shkencor në bujqësi.

Në kushtet e  ndryshimeve klimatike dhe të impaktit që ato kanë në bujqësi, varietet e vendit që i kanë rezistuar ndër vite këtyre ndryshimeve dhe impakteve negative të klimës dhe të tregut privat, si dhe format e egra të paraardhësve të tyre marrin një rëndësi tëveçantë lidhur me programet e vlerësimit,  koleksionimit dhe ruajtjes së tyre in situ, onfarm dhe ex situ.

Të afërmit e egër të grurit që gjenden edhe në vendin tonë si: triticummonococcum (tepa), triticumcylindricum, triticumovatum (vezake), triticumtriuncale (tregishteshe), triticumnegleta, triticum uniristatum (njëhalëshe),  janë paraardhës të egër të grurit të cilët kanë një shtrirje gjeografike nga niveli i detit deri në 1600 m lartësi. Edhe për këto paraardhës të egër, është e rëndësishme të ndërmerren programe specifike  me qëllim vlerësimin dhe mbrojtjen e tyre. Për rëndësinë që kanë, si llojet e vendit të kultivuara ndër vite ashtu dhe paraardhësit e tyre te egër, është i nevojshëm vlerësimi i habitateve natyrore dhe  kushtet në të cilat ajo gjendet, veçanërisht në zonat e mbrojtura për të bërë të mundur dhe garantuar ruajtjen e tyre në natyrë dhe shmangien e erozionit gjenetik të tyre. Përveç kësaj, është i nevojshëm koleksionimi dhe vlerësimi i këtyre formave edhe në bankën gjenetike të bimëve.

 

Prof. Dr. Pëllumb Abeshi
Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

Na Ndiqni në: