FUQIZIMI I GRAVE NË BUJQËSI

Ekziston një njohje në rritje e rëndësisë së fuqizimit të grave në bujqësi. Sfida e matjes së fuqizimit, veçanërisht nëpër kultura dhe kontekste të ndryshme, po tërheq gjithashtu vëmendjen e shumë kërkimeve shkencore.

Sot, në vendin tonë roli i gruas në bujqësi është ende në nivele të ulëta promovimi dhe mbështetje. Edhe pse, janë ndërmarra me dhjetëra projekte dhe incentiva për të forcuar pozitën dhe rolin vendimmarrës të grave në zhvillimin rural nuk ia kanë dalë të jenë në efektivitetin e duhur. Nëse flasim për nismat, nuk mund të lëmë pa përmendur nismën nga Ambasada Italiane, apo tëagjencive të specializuara të Kombeve të Bashkuara, të cilat synojnë që të ketë një klimë më mbështetëse ndaj fuqëzimit të grave edhe në Shqipëri, dukë theksuar dukshëm që ka boshllëqe në rolin që duhet të ketë gruaja në bujqësi. Ne duhet t’i adresojmë këto boshllëqe. Nga ana e qeverisë tonë, ministrive apo dhe drejtuesve përkatës ka reagime dhe inciativa për këtëpjesë, por nuk janë të mirëfillta dhe nuk janë afatgjatë. Roli i gruas në bujqësi, sipas përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare për barazi gjinore, është lënë nën hije për shkak të disa pengesave që krijohen në aktualitetin tonë. Sfidat e pabarazisë gjinore, që gratë rurale hasin në komunitetin e tyre dhe sfidat e përditshme për të kontribuar në zhvillimin e sipërmarrjeve bujqësore, ka sjellë që vetëm 7 përqind e grave drejtojnë fermat rurale, sipas të dhënave të INSTAT.

Fuqizimi ekonomik i grave në zonat rurale është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë, për forcimin e rolit në zhvillimin dhe komunitetin rural. Për fat të keq, ky kontribut mbetet i padukshëm për shkak të një sërë probematikash tërrënjosura në kulturën dhe mentalitetin e komunitetit rural. Përsa i përket rolit të gruas në Shqipëri, sipas Ministrisë së Bujqësisë, gratë në vendin tonë përbëjnë afro 55% të forcave të punës në bujqësi, përsëri roli në bujqësi dominohet nga burrat. Në fakt në fermat familjare janë gratë që luajnë rol të rëndësishëm, konkretisht bëjnë 96 % të punës në fshat. Por, ndodh që nga ana tjetër duhet të luftohen sfidat me të cilat përballet gruaja shqiptare në zonat rurale si: lufta kundër stereotipeve gjinore, pabarazia gjinore, parandalimi i të gjitha formave të dhunës ndaj grave, aksesi në shërbimet shëndetësore dhe sociale, etj.

Hulumtimi i realizuar nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë tregojnë se produktiviteti i tyre bujqësor në vendet në zhvillim mund të rritet 20-30 për qind, nëse gratë do të kenë akses në burime si burrat apo fermerët meshkuj. Sipas Joan B. Landes, në librin e tij përshkruan se, kur gratë fermere kanë të drejta të sigurta mbi tokën (pronësia, aksesi dhe fuqia vendimmarrëse mbi burimet prodhuese si toka, bagëtia, pajisjet bujqësore, mallrat e qëndrueshme të konsumatorit dhe kredia), lidershipi (anëtarësimi në grupe ekonomike ose sociale dhe mundësi në të folur në publik); si dhe kohë (ndarja e kohës për detyra prodhuese,  shtëpiake dhe kënaqësia me kohën në dispozicion për aktivitete të lira), të ardhurat ekonomike tëfamiljes dhe të zonave rurale do të përmirësoheshin, gratë veçanërisht vajzat, kanë më shumë gjasa të arsimohen dhe të qëndrojnë në shkollë më gjatë dhe pjesëmarrja e grave në vendimmarrjen familjare do të rritet.

Nëse duam të konsiderojmë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, përmirësimi dhe ndryshimi i këtyre sfidave apo dhe shtimi i të gjitha burimeve për të realizuar fuqizimin ekonomik të grave, duhet të konceptohet që nuk është vetëm për to, por nëpërmjet rritjes së saj, gratë fuqizojnë të ardhurat ekonomike të familjeve të tyre dhe japin një kontribut për të gjithë zhvillimin e vendit. Pra, për të përballuar sfidat e pabarazisë gjinore nevojitet që grave rurale tu ofrohet aksesi në shërbime, aksesi në financë për tu dhënë mundësi atyre të informohen për cdo gjë që lidhen me risitë teknologjike në fushën e bujqësisë.

Adresimi i pengesave, me të cilat përballen gratë dhe vajzat rurale, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, si pjesë integrale e angazhimit të marrë për më shumë barazi gjinore dhe përfshirje sociale. Gjithashtu, qeveria jonë do të përgatisë një plan masash për të mbështetur në skemat financiare rritjen e rolit të grave, por dhe të rinjve në bujqësi.

Ky shkrim vë theksin që këto pengensa kërkojnë adresim jo vetëm në MBZHR, por Ministri e Financave, Ministri eArsimit, Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.  

M.Sc Ermelinda SATKA

Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit

Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural

Shto Koment

Na Ndiqni në: