www.pixabay.com

Fiku dhe resurset e tij në vendin tonë

Origjina dhe përhapja

Fiku (Ficus carica L) një pemë subtropikale që i përket zonave të ngrohta dhe shtrihet në rajonin mesdhetar. Kjo bimë ka evoluar gradualisht përgjatë shekujve, nga një bimë e egër në atë të kultivuar.  Ka shumë legjenda dhe mite për këtë specie, ka shkrime në Bibël e në Kuran dhe që janë të lidhura me origjinën, me përdorimin dhe vetitë specifike të fikut dhe frutit të tij ( T.Koka, 2010, Monography). Zbulimet e fiqve fosile në kuaternare dhe terciare, janë të depozituara në testamentet e Francës dhe Italisë.

Migrimet e para të fikut u sollën nga Azia perëndimore gjatë bregdetit mesdhetar. Prodhuesi dhe eksportuesi kryesor i fikut të thatë është Turqia.

Në vendin tonë fiku është një pemë që daton që nga lashtësia, shume e përhapur, një pemë mjaft e njohur dhe që pëlqehet nga shumë njerëz, një pjesë e të cilëve e kanë kultivuar edhe në oborret e tyre. Para vitit 1990 ka patur blloqe të pemëve të fikut me varietete rajonale të cilat pas këtyre viteve, nuk ekzistojnë më, me përjashtim të zonës së Beratit ku blloqet e fikut kanë qenë në hapësira të mëdha, rreth 1200 ha, me numër pemësh deri në 200 000 dhe me një prodhim deri në 3500 ton fiq në vit.

Në ditët e sotme këto u janë ndarë bizneseve private duke ju shpëtuar prishjeve dhe sigurisht në një numër më të vogël pemësh, në 7000 të tilla në Uznovë dhe me 1000 pemë në Roshnik. Varieteti Roshnik që gjendet në këtë zonë është fik për tharje, kultivar që edhe eksportohet. (T. Kokaj, 2018, IJAEB, Vol 3, no 6).

Në strukturën e pemëve frutore, ky frut ka zënë vendin e tretë për numrin e pemëve në shkallë vendi.

Në vendin tonë është i përhapur në zonën Adriatiko-Joniane (veriore, qendrore, jugore) duke filluar nga Malësia e Madhe, në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Lushnje, Fier, Vlorë e Sarandë, duke vijuar në zonën Mesdhetare Kodrinore si në Tepelenë, Gjirokastër, Berat, Skrapar e Gramsh.  Gjithashtu ky kultivar gjendet edhe në zona të brendshme me temperaturë të ulëta por edhe në mikrozonat luginore si Pukë, Mirditë, Librazhd e Leskovik (R. Osmani, T. Koka, 2004).

 

Prof. Ass. Dr. Tatjana Koka
Përgjegjëse për pemët frutore, farore dhe sub-tropikale, Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve, UBT.

 

 

Na Ndiqni në: