Shega është një pemë subtropikale dhe i takon brezit të klimës së ngrohtë, brezit Mesdhetar. Mendohet se origjinën e ka nga Arabia jugore, Irani, Mesapotamia, Palestina, Egjipti dhe Pakistani. Shega gjendet më e përhapur në Azinë perëndimore dhe në Azinë e vogël, në Afrikën e Veriut, në brigjet e Mesdheut e kryesisht në Spanjë, Itali, Greqi, Shqipëri, Portugali, Turqi, Mali të Zi, Kroaci e Kaliforni. Në vendin tonë ky frut gjendet në ultësirën bregdetare nga Shkodra në Sarandë si dhe në zonën që shtrihet përgjatë Mallakastrës, Tepelenës e Përmetit.
Në vendin tonë gjenden disa varietete dhe forma shegësh. Deri në vitin 1990-të, në strukturën e pemëve frutore përfshihej tek të tjerat ndërsa pas 1990-ës, interesi për këtë frut është rritur dhe fermerët i kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me këtë specie. Deri në vitin 1990 ka patur një bllok shegësh në Bahçallëk të Shkodrës dhe në kopshtet familjare. Sot kjo specie është koleksionuar në Koleksionin Valias, UBT në Tiranë.
Përshkrimi i shkurtër botanik dhe agronomik i shegës
Shega i takon familjes Punicaceae, Gjinia Punica, Specia Punica Granatum L. 2n =16. Krahas shegës së kultivuar gjendet edhe shega primitive, Punica protopuntica. Ajo është një pemë gjetherënëse, rritet në formë peme dhe në formë shkurreje. Arrin lartësine 5 m dhe nga qafa e rrënjës lëshon një numër të madh fundakësh. Shega ka sistem rrënjor të fuqishëm që i përshtatet të gjitha llojeve të tokës. Degëzat përfundojnë me gjemba. Degët 1-2 vjeçare kanë ngjyrë të gjelbër në të verdhë ndërsa degët e vjetra kanë ngjyrë të verdhë në kafe. Gjethet e shegës janë në formë të zgjatur-shtizore, të përkundrejta ose të vendosura në tufëza, me gjatësi 2-8 cm dhe janë të plota e të lëmuara.
Lulet dalin në sqetull të gjetheve ose në majë të degëve njëvjeçare, janë biseksore, dalin një e nga një ose në tufa, janë të mëdha e të gjata 4-5 cm, me 7-8 petale të cilat kanë ngjyrë të kuqe të ndezur. Në disa kultivarë është e shprehur petaloidia. Lulja i ngjan trëndafilit dhe përdoret për t’u mbjellë në parqe.
Kupa është me 5-8 ndarje, e fortë mishtore ndërsa brenda kupës ndodhet ovariumi me shumë fole dhe vezë. Ka një pistil me stigma të spikatur. Pjalmoret janë të shumta dhe të vendosura brenda kupës.
Lulet janë dyformëshe. Disa prej tyre kanë formën e shtamës me stil të gjatë dhe disa janë në formën e këmborës me stil të shkurtër dhe nuk lidhin fruta.
Lulet e tipit A japin rreth 25 % të luleve. Frutat kanë forma të ndryshme në varësi të varietetit. Ngjyrat janë të ndryshme dhe ajo që i dallon më shumë, janë ngjyrat e kokrrës të cilat janë të veshura me një cipë të hollë. Në brendësi të saj ndodhet lëngu dhe fara. Ngjyrat variojnë; nga të verdha në të kuqe, rozë apo vishnje.
(T. Koka, 2012 Biodiversiteteti Proceeding).
Ku është koleksionuar shega?
Të gjitha varietetet, format e ekotipet janë studiuar, eksploruar, karakterizuar, janë marrë dhe mbjellë në koleksionin fushor të germoplazmës në Valias.
Varietetet e perhapura ose ato me vlerë për përdorim të shegës
Varietetet më të përdorura të shegës janë: Devedishe, Tivarash, Majhoshe e Libohovës dhe forma ekotipe. (T. Koka, Acta Hort, 1089).
Teknologjia e kultivimit
Shega shtohet me copa, me copa të mara nga degët njëvjeçare të cilat rrënjëzohen në disa mënyra. (T. Kokaj, A. Cakalli, H. Ismaili, 2017, AJAS).
Distancat e mbjelljes variojnë nga 3×3 m ose 3×4 m, apo 5×5 m në varësi të numrit të bimëve që dëshiron dhe sipërfaqes së tokës që disponon fermeri. Mbjellja realizohet njësoj si edhe për pemët e tjera.
Shërbimet për shegën janë të njëjta si për pemët subtropikale, të tilla si: plehërimi dy herë në vit një herë në periudhën prill – maj si dhe një plehërim organik në muajt tetor-nëntor.
(R. Osmani, T. Koka, Pemët subtropikale gjetherënëse. 2004).
Krasitja e shegës bëhet për formën e kurorës dhe për rrallime të vazhdueshme.
Cilësitë dhe karakteristikat me vlerë të shegës
Cilësia dhe vlerat e saj qëndrojnë tek fruti, kokrra. Ka varietete të ëmbla, ka edhe varietete të tharta. (A. Morina, R. Kongoli, L. Abazi, T. Kokaj. 2018 AJAS).
Vlera e përdorimit të këtij fruti mund të përmblidhet në konsumimin si frut por gjithashtu mund të përdoret në industrinë përpunuese në formën e shurupit, pijeve të ndryshme, gatime etj. (T. Kokaj, A. Morina, H. Kuci, 2019, AJAS.)
Prof. As. Dr. Tatjana Koka
Përgjegjëse për pemët frutore farore dhe sub-tropikale. Instituti i Resurseve Gjenetike të Bimëve. UBT.