Ekspertët e UBT evidentojnë problematika mjedisore në liqenin e Shkodrës; shoqëria civile, OJF e bashkia Shkodër ndërmarin aksion për pastrimin.

Një aksion i rëndësishëm për pastrimin e një sasie të konsiderueshme gomash automjetesh u ndërmor fundjavën që lamë pas në një nga furnizuesit me ujë të liqenit të Shkodrës, në përroin e Vrakës në afërsi të Shtojit. Aksioni i zhvilluar në 25 tetor u krye falë bashkëpunimit ndërmjet bashkisë Shkodër, OJF ‘’Eko Mendje’’ dhe aktivistit të shoqërisë civile Adriatik Lapaj.

Falë evidentimit dhe identifikimit të problematikës nga UBT nëpërmjet punës së një grupi kërkimor (studente/ë, pedagoge/ë) të cilët prej gjashtë muajsh po kryejnë monitorimin e cilësisë së ujrave në zonën litorale të liqenit të Shkodrës, u bë i mundur më pas edhe aksioni për pastrimin e ujërave të liqenit. Gjatë ekspeditave në muajin gusht u vu re që në përroin e Vrakës kishte një problem mjedisor të krijuar rishtaz, disa goma automjetesh ishin hedhur aty në mënyrë të paligjshme. Kujtojmë se liqeni i Shkodrës është një zonë Ramsar dhe një Rezervë Natyrore e Menaxhuar që prej vitit 2005. Kësisoj, është nën menaxhimin e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Shkodër dhe vend-ndodhja e këtyre objekteve të hedhura është brenda kufirit të kësaj zone të mbrojtur.

Pas punës disamujore, grupi i punës nga UBT iu drejtua aktivistit dhe avokatit Adriatik Lapaj i cili jo pak herë ka qenë inisiator i të tillla aksioneve. Ai i ndihmuar edhe nga “Nisma e Luleve’’ dhe “Eko Mendje” iu përgjigjën pozitivisht kërkesës për ndihmë të UBT-së dhe ndërmorën me sukses aksionin e largimit të gomave nga liqeni i Shkodrës. Pamje nga aksioni i zhvilluar mund t’i dalloni në fotogalerinë 1 dhe 2 si dhe në linqet e mediave si më poshtë.

Grupi i punës nga UBT i përbërë nga studente/ë dhe ekspertë për problematikën në fjalë, evidenton se zona litorale vuan edhe nga probleme të tjera të lidhura me mbetjet urbane, të cilat herë pas here gjenden të hedhura në vende të ndryshme pranë liqenit në sasi, forma dhe rrezikshmëri të niveleve të ndryshme. Kështu për shembull, janë parë mbetje të lëkurës së kafshëve të therura, mbetje inerte në zonën e livadheve apo mbetje polisteroli apo plastike pikërisht në grykëderdhjen e përroit të Shtojit dhe jo vetëm (shfleto fotogalerinë 3 më poshtë).

Duke falenderuar aktivistët për aksionin e kryer, po ju përcjellim fotot respektive për situatën para dhe pas pastrimit por gjithashtu edhe materialin filmik përgatitur nga ‘’Eko Mendje” për këtë aksion.

Figura 1. Gjendja para se të ndërmerrej aksioni

Figura 2. Gjendja gjatë aksionit

Video link nga nga Eko Mendje

Figurat 3. Gjendja e mbetjeve në brigjet e liqenit pranë Shtojit dhe Livadeve

 

Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, UBT.

koment

  • Bravo!
    Shembull qe duhet ndjekur. Shqiperia do behet e paster vetem kur te reagojme te gjithe !

Na Ndiqni në: