Efektet, mënyrat e të udhëtuarit dhe të bërit turizëm pas Covid 19

Pandemia penalizon turizmin edhe gjatë vitit 2021. Vijimi i kufizimeve nga shtete evropiane ka lënë ende në pikëpyetje pushimet apo udhëtimet edhe për këtë verë. Tur-operatorët vendas ende nuk kanë bërë asnjë planifikim me agjencitë të vendeve të tjera pasi ka paqartësi në lidhje me skemat e vaksinimit apo lëvizjen e lirë. Në këto kushte as të huajt nuk janë në gjendje që të vendosin apo përcaktojnë data se kur mund të fillojnë dhe është e vështirë që të përcaktohet se kur mund të rinisin udhëtimet.

Sipas një raporti të UNWTO, udhëtimet ndërkombëtare duke rënë në masën deri 30% për vitin 2020 në nivele ndërkombëtare, do të pasohen me humbje për rreth 300-450 bilionë usd të cilat janë shumë më të larta se sa humbjet që i korrespondojnë periudhës së virusit të Sarsit, periudhë në të cilën rënia nga udhëtimet ishte afërsisht 0.4% në nivele botërore.

Nisur nga këto të dhëna, Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe i Turizmit WTTC parashikon se në nivele botërore, humbjet që do të pasojnë rënien e udhëtimeve do të shoqërohen edhe me humbjen e vendeve të punës, rreth 2 milion vende pune.

Pas kalimit të periudhës së covid 19 do të duhet afërsisht një vit që turizmi në nivele botërore të mund të kthehet në gjendjen normale. Ky konsiderohet si rasti më i mirë, pasi situatat mund të jenë shumë të ndryshme nga një vend në tjetrin dhe mund të zgjasë më tepër.

Ndikimi shkatërrues i pandemisë COVID-19 në turizmin global ka vazhduar në vitin 2021, me të dhëna të reja që tregojnë një rënie prej 87% të mbërritjeve të turistëve ndërkombëtarë në janar të këtij viti, krahasuar me vitin 2020. Kështu, nga vendet tona kërkohet një vijueshmëri dhe ndjekje strikte e koordinimit më të fortë mbi protokollet e udhëtimit midis vendeve për të siguruar rifillimin e sigurt të turizmit dhe për të shmangur një vit tjetër të humbjeve masive për sektorin. Sipas raportimit të UNWTO në mars 2021, pas një fundi të vështirë të vitit 2020, turizmi global pësoi pengesa të mëtejshme në fillim të vitit ndërsa vendet forcuan kufizimet e udhëtimit në përgjigje të shpërthimeve të reja të virusit. Sipas botimit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit në UNWTO, të gjitha rajonet botërore vazhduan të përjetojnë rënie të mëdha të mbërritjeve turistike në muajin e parë të vitit. Testimi i detyrueshëm, karantinat dhe në disa raste mbyllja e plotë e kufijve, të gjitha kanë penguar rifillimin e udhëtimeve ndërkombëtare. Për më tepër, shpejtësia dhe shpërndarja e vaksinimit ka qenë më e ngadaltë se sa pritej, duke vonuar më tej rifillimin e turizmit.

Çfarë do të ndryshojë në të ardhmen në turizëm?

Përveç vendeve të punës, të tjera parashikime që lidhen me turizmin në të ardhmen dhe trendet e reja vërehet se:

-Do të ketë rënie të udhëtimeve të konferencave dhe biznesit, aq më tepër edhe për shkak të përdorimit të metodave online dhe kjo do të ndryshojë mënyrën jo vetëm të të bërit biznes por edhe të komunikimit në turizëm, qoftë kjo edhe për arsye shkencore si konferencat, simpoziumet etj.

-Do të shmangen udhëtimet në grupe të mëdha dhe destinacione të populluara. Tashmë, marrja e vendimit për të udhëtuar nuk do të varet kryesisht më nga çmimi. Udhëtarët do të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë dhe qëndruar më pak në zona të sigurta, atraktive, të shëndetshme dhe të ndryshme nga ajo ç’kanë parë dhe prekur më parë nga zonat e mbipopulluara. Vendi ynë mund të përfitojë përmes një mirëshpërndarjeje të turistëve në më shumë vende, duke tërhequr veçanërisht turistët që vinin kryesisht në Kroaci apo Greqi;

-Do të ketë tendencë në rritje për udhëtime në vendet në zhvillim dhe destinacionet e reja. Këtu kanë mundësi vende si Lindja e Mesme apo rajone specifike, ndërsa për këtë arsye, në Ballkan mund të ketë një rritje në vitet në vijim Mali Zi dhe Shqipëria.

-Do të ketë një rritje të udhëtimeve familjare krahasuar me më parë, gjë e cila mund të pasohet me ulje të aktiviteteve me 5 yje, rritje të aktiviteteve në natyrë, duke përbërë fëmijët si segment mjaft të rëndësishëm nga i cili do të varet edhe vendimarrja për çmimet dhe vendet e përzgjedhura.

Cili është në të vërtetë efekti domino që krijon mungesa e udhëtimeve?

-Nëse nuk ka udhëtime, asnjë e ardhur nuk shkon tek komunitetet dhe zonat që veçanërisht kanë më shumë nevojë;

-Nëse nuk ka udhëtime, nuk do të ketë udhëtarë/turistë që blejnë e konsumojnë produkte lokale;

-Nëse s’ka udhëtime krociere, mijëra porte nuk do të funksionojnë duke u ndikuar veçse negativisht, duke dëmtuar ekonomitë lokale që janë të ndjeshme dhe të varura nga ky sektor;

-Nëse s’ka udhëtime, s’ka hotele të hapura, s’ka udhëtarë e turistë dhe rrjedhimisht produktet lokale që furnizojnë këto njësi akomoduese nuk do të konsumohen;

Përfundimisht mund të themi se pa turizëm dhe udhëtime, ekonomitë në mbarë botën do të përballen me një rrezik të madh.

 

Dr. Arben Terpollari
Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, UBT

Na Ndiqni në: