Perspektivat e të mësuarit përgjatë gjithë jetës bazuar në teknologji

Sot më shumë së kurrë më parë, të mësuarit është i ndërlidhur nga teknologjia në të gjitha fushat e jetës së një shoqërie. Mësimi i bazuar në teknologji është një temë e shumëdiskutuar gjatë dekadës së fundit, por me pandeminë e krijuar si pasojë e virusit COVID-19, u kthye në emergjencë për të gjitha vendet.

Globalizimi dhe integrimi në edukimin bashkëkohor, tashmë i sfiduar nga kushtet e mbylljes së shkollave e universiteteve dhe aplikimi gjerësisht i mësimit në distancë, solli sa nxitje të integrimit të mësimit bazuar në teknologji aq dhe sfida të aksesueshmërisë dhe aftësisë për të aplikuar saktë teknologjinë për këtë qëllim.

Me mjete elektronike në përdorim, njerëzit, pa dallim moshe, mund të mësojnë praktikisht në çdo kohë dhe kudo që ata zgjedhin pa pengesa.

Shoqëria dhe ekonomia mbështeten te njerëzit me arsim të lartë dhe cilësor dhe kjo është një arsye që sistemet e arsimit dhe trajnimit, të ndryshojnë në këtë realitet të ri. (EC, 2020).

Në kontekstin e ndryshimeve të shpejta socio-ekonomike, kulturore dhe teknologjike, pranohet gjerësisht se individët duhet të kenë aftësi unike që do t’i lejonin ata të konkurronin në një botë gjithnjë e më të globalizuar (Mwaikokesya et al., 2014).

Për të zhvilluar një kulturë të re të të mësuarit përgjatë gjithë jetës, thelbësore është jo vetëm që të ndihmojmë individët të plotësojnë sfidat me të cilat përballen por dhe të orientojmë universitetet drejt një kursi të ri sfidues të të mësuarit përgjatë gjithë jetës.

Të mësuarit gjatë gjithë jetës, shihet si përfshirja e të gjitha strategjive që vendosen për krijimin e mundësive që njerëzit të mësojnë përgjatë gjithë jetës. Bëhet fjalë për të mësuar se çfarë, si, kur dhe ku dikush dëshiron të mësojë. Të mësuarit përgjatë gjithë jetës ka të bëjë me përvetësimin dhe përditësimin e të gjitha llojeve të aftësive, interesave, njohurive dhe kualifikimeve.

Ekonomia e njohurive universale që ndryshon vazhdimisht, tregon se individët kërkojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre përgjatë jetës së rritur për të përballuar jetën moderne, jo vetëm në vendet e punës por edhe në jetën e tyre personale (OECD, 2007).

Është e nevojshme që të theksojmë konceptin e të mësuarit përgjatë gjithë jetës dhe reflektimit mbi mundësitë e aplikimit të tij në universitetet tona dhe të adresojmë mënyrën sesi teknologjitë interaktive kanë potencialin e përgjithshëm për të avancuar këtë proces.

Sfida të ndryshme gjenden sot në shumë sfera të jetës duke përfshirë sfidat ekonomike, ato demografike, sociale, mjedisore madje dhe teknologjike.Teknologjia në edukim është bërë kohët e fundit një mjet kryesor për plotësimin e nevojave të të mësuarit dhe veçanërisht e të mësuarit përgjatë gjithë jetës.

Studimi i programeve dhe politikave arsimore në vendin tonë duhet të reflektojë përkushtimin në programe specifike për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Zgjerimi i aksesit për të mësuar përgjatë gjithë jetës, në të gjitha format, është një pjesë thelbësore e politikës së zgjatjes së jetës së punës.

 

Anila SULAJ, PhD
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: